Grabitja në Rinas, faji mbetet “kopil” !
Ka pesë ditë që vendi është tronditur nga grabitja më e madhe e viteve të fundit dhe ende është e paqartë sesi hajdutët me armë arritën hyjnë në zonën që duhet të jetë më e sigurta në vend. Ngjarja në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas tregoi se shteti është i paaftë jo vetëm të parandaloj grabitje të tilla, por edhe të marrë masa apo të nxjerrë përgjegjësi. Aq me tepër ku flitet për një zonë, e cila quhet me e sigurta në Shqipëri. As në vitin 1997 nuk guxoi njeri të afrohej në aeroport, ku hyjnë njërëz dhe ulen avionët. Por ndodhi në vitin 2016 !
Pas hekurave janë pesë punonjës të kompanive private. Sigurisht që ata kanë pjesën e fajit në këtë histori, por janë hallka e fundit e zinxhirit të përgjegjësive si për kompanitë private dhe institucionet shtetërore.
Më i rëndë është fakti se gati një javë pas ngjarjes ende nuk ka asnjë gjurmë nga personat që kryen grabitjen dhe as paratë që zyrtarisht ende nuk dihet sesa ishin saktësisht. Dikush thotë 1 milionë euro, një tjetër 10 milionë euro. Nuk ka shumë rëndësi shuma e eurove, por guximi i grabitsëve dhe indiferenca e institucionëve përgjegjëse pasi është grabitur mu në mes të aeroportit ndërkombëtar. Bile ka edhe dyshime se ka përsona të aeroportit të përzier në këtë histori grabitje. Prej një javë opinioni po bombardohet me reagime nga institucionet shtetërore dhe private. Policia e Shtetit deklaron se përgjegjësia direkte për grabitjen është e kompanisë private që menaxhon aeroportin Tirana Internacional Aeroport (TIA) dhe kompanisë tjetër private të sigurisë “ICTS”. Këtë variant e mbështeti dje dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Në një deklaratë për mediat, Tahiri theksoi se policia nuk ka përgjegjësi për këtë ngjarje, pasi siguria është çështje që lidhet me kontratën private të koncesionarit.
Ndërkohë, për herë të parë që nga ngjarje, Tirana International Aeroport (TIA) reagoi dje duke hedhur poshtë variantin e policisë. Sipas kompanisë private, efektivë të Policisë së Shtetit kanë qenë në aeroport ditën e ngjarjes, por nuk kanë ndërhyrë. Sipas kompanisë policët kanë qenë vetëm pak metra larg vendit ku ndodhi grabitja dhe s’kanë ndërhyrë. Ndërkohë që policia sqaron se janë lajmëruar pasi grabitësit kanë marrë eurot dhe kanë dalë nga rrethimi i aeroportit.
Edhe një tjetër institucion i qeverisë, Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) e sheh problemin tek kompanitë private. Si institucioni që mban përgjegjësi për funksionimin e aviacionit AAC thotë në një deklaratë se kompanitë private ishin paralajmëruar për mungesën e kamerave dhe sigurisë në aeroport dhe nuk kanë reaguar. Mbetet e paqartë se përse AAC edhe pse ka të drejtën e lincesimit të kompanive private për shërbimin, ka rinovuar kontratën kur nuk plotësohej asnjë kusht i sigurisë në aeroport.
Të gjitha qëndrimet e ditëve të fundit të institucioneve me shumë se zbardhje të asaj çfarë ndodhi janë kalim i përgjegjësisë. Policia akuzon kompaninë private, kompania private akuzon policinë dhe anasjelltas. Ndërkohë secila palë thotë se ka kryer detryrën sipas ligjit. Në fakt duket se vetëm grabitësit e kanë kryer ‘detyrën’ siç duhet, se të gjitha institucionet e tjera akoma nuk e dinë se kush e ka pasur fajin.
Nga një çështje e zbatimit të ligjit, grabitja është kthyer në dhe një kauzë politike. Demokratët kanë fajësuar Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit për paaftësi dhe madje implikim në këtë histori. Komisioni i Sigurisë Kombëtare u bë dje qendra e akuzave mes mazhorancës dhe opozitës për sigurinë në vend. Grabitja është e papranueshme dhe për aleatin e koalicionit qeverisës, Lëvizjen Socialiste për Integrim. Deputeti i kësaj force politike, Luan Rama tha dje se një grabitje e tillë nuk ka ndodhur as në vitin 1997.
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare është më e pakta që mund të bëhet në këtë histori. Sepse këtu nuk është fjala vetëm për grabitjen e parave të një bankë. Më shumë se kaq është në pikëpyetje siguria e qytetarëve që udhëtojnë në këtë aeroport. Por veç detajeve teknike të protokollit të sigurisë në aeroporte, institucionet duhet t’i japin një zgjidhje çështjes së kompanive private. Mënyra sesi administrohet ruajtja e aeroportit është një koncesion i dhënë nga qeveria e Fatos Nanos, e rinovuar më pas nga qeveria e Sali Berishës dhe së fundi nga qeveria e Edi Ramës. Që një qeveri të jap shërbimet kombëtare me koncesion tashmë nuk është më çudi, por shteti nuk mund të heq dorë nga të gjitha të drejtat e tij. Të paktën çështjet që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike nuk mund tu besohen privatëve.
Ndërkohë prokuroria ka bërë disa ndalime porse duhet ta rrisë stekën e ndalimeve, pasi flitet se është cënuar Siguria Kombëtare në vendin ku udhëtojnë qindra mijë shqiptarë e të huja, që është Rinasi. Dje Belgjika e hoqi Shqipërinë nga lista e vendeve të sigurta dhe pa asnjë hezitim ka ndikuar ngjarja në aeroportin e Rinasit.
Kanë ndodhur ngjarje tragjike në Stamboll dhe në Bruksel ku terroristë janë futur në vijën e parë të aeroportit duke bërë masakër, por janë ndeshur në zjarrin e policisë. Tragjike ajo që ka ndodhur në këto aeroporte, porse nuk ka ndodhur që të hyjnë në mes të aeroportit, në pistë, dhe të bëjnë çfarë të duan e të dalin qetë-qetë kriminelët siç ndodhi në Rinas.
Debatet polici-TIA
Top Channel ka publikuar pjesë nga procesverbali i mbledhjes së 13 majit të Këshillit të Sigurisë së Aeroportit, kur drejtuesve të tij u është njoftuar edhe raporti i testimeve sekrete të bëra njga policia. Por drejtuesit e policise se shtetit kanë hasur në indiferencën e përfaqësuesve të “Tirana Airport Partners”, të cilët kanë mbrojtur gjithashtu firmën e sigurisë ICTS. Në mbledhje kanë marrë pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve të ndryshme shtetërore, të cilët kanë diskutuar edhe rezultatet e testimit të sigurisë së aeroportit. Pjesë të raportit janë bërë prezente nga drejtuesi i Autoritetit të Aviacionit Civil, zoti Aleksandër Lipivani, i cili ka treguar para të pranishëmve sesi në tre raste janë futur eksploziv, armë të ftohta dhe është thyer siguria pikërisht në derën ku ndodhi dhe hyrja e grabitësve. Në këtë mbledhje përfaqësuesit e “Airport Partners” nuk japin ndonjë shpjegim për këtë thyerje të sigurisë, ndërsa nuk shprehen shumë të gatshëm që policia të ketë kontrollin direkt të kamerave të sigurisë në aeroport.
Ilir Alimema, “Airport Partners”: Faleminderit. Ne jemi në dijeni të gjithë kësaj, por nuk jemi në dijeni të raportit dhe pa u njohur me të mund të themi se nuk jemi në raport të barabartë. Kur raporti të vijë zyrtarisht dhe të njihemi konkretisht me gjetjet do të shprehim dhe ne sugjerimet tona.
Aleksandër Lipivani, Aviacioni Civil: Raporti do t’ju vijë por problemi është dhe sistemi i kamerave, të cilën e kemi diskutuar dhe dy-tre herë këtu në komitet dhe shohim se nuk ka asnjë përmirësim të tyre dhe nga të cilat punojnë vetëm 15% të kamerave. Kjo është e patolerueshme.
Ilir Alimema: Nëse kjo është pjesë e raportit do të keni përgjigje dhe për të.
Aleksandër Lipivani: Është apo jo pjesë e raportit nuk ka rëndësi. Kjo mangësi është gjetur dhe nga auditet e kryera nga ndërkombëtarët.
Genc Merepeza, Drejtoria e Kufirit: Së paku kjo është diskutuar në të gjitha takimet që kemi patur. Problem tjetër është dhe ai i rrethimit të perimetrit, i cili në disa vende është i dëmtuar.
Bahri Shaqiri, Ministria e Transporteve: Të gjitha këto probleme që tha z.Genc Merepeza janë të mbartura dhe nuk vihet re asnjë lloj ndryshimi nga ana e kompanisë tuaj.
Ilir Alimema: Nuk kam gjë tjetër përveç atyre që thash.
Aleksandër Lipivani: Ju jeni informuar për gjithçka nëpërmjet informacioneve të takimeve të zotit Bujar me zotin Vangjel Nikolla në ambientet tona. Tashmë gjithçka dihet dhe është e regjistruar nga kamerat.
Genc Merepeza: Në lidhje me problemet në Aeroportin e Rinasit, meqenëse kemi dhe përfaqësuesin e Aeroportit këtu, do të doja një përgjigje të sinqertë në lidhje me kompaninë që kryen shërbimin e sigurisë, e kryen siç duhet ajo detyrën apo jo? Ne duhet të punojmë shumë që të mos themi “o bobo” nesër.
Ilir Alimema: Unë ju konfirmoj se bën punë të shkëlqyer, është viti i 11 që kjo kompani është aty dhe është viti i 11 që kjo kompani është e liçencuar dhe e njohur nga Autoriteti nën mbikëqyrjen e vazhdueshme. Drejtuesit e kësaj kompanie janë te liçencuar po nga Autoriteti, kështu që unë nuk mund të them gjë tjetër. Përsa i përket problemit të aksesit të kamerave, ne kemi një detyrim kontraktor që është kontrata e konçesionit dhe çfarë do të thotë, që ju të keni akses aty tek ato kamera.
Genc Merepeza: Të duam të kemi akses për të marrë pamjen në kohë reale, pse unë duhet të pres që të marrë një telefonatë tënden që po ndodh ngjarja, ose të ketë një punonjës të policisë të akomoduar në ambientet e sallës së kamerave me numrin e vetë, me butonin e vetë që të japë alertin në momentin e duhur.
Ilir Alimema: Pa e paragjykuar kërkesën, por mendoj se një kërkesë specifike duhet t’i drejtohet TIA-s të ardhur nga autoriteti juaj për këtë aksesin e kamerave, si ju e konceptoni dhe çfarë kërkoni. Pra, të detajuar që çfarë ne mund të bëjmë dhe çfare ju duhet të bëni.
Genc Merepeza: E kemi parë në sallën e kamerave që ju keni monitorët dhe ju na keni thëne që s’keni ku mund të qëndroni pasi ambienti është i vogël dhe janë operatorët.
Teuta Krasniqi, eksperte e pavarur e sigurisë: Se si ka mundësi që policia mos të këtë akses mbi këto kamera. Nëse ndodh diçka në Aeroportin e Tiranës askush nuk thotë që ka ndodhur kjo gjë dhe se në aeroport është një kontraktues gjerman. Nëse tashmë do te këtë një kontraktues tjetër, unë mendoj se patjetër duhet të rishikohet mirë kontrata, roli i policisë në atë kontratë duhet të përcaktohet qartë në draftin që do të përgatitet që policia të këtë akses në gjithë kamerat e aeroportit.
/ Top Channel