Gratë po rrezikojnë jetën në grevë urie, ndërsa qeveria nuk don t’ia dijë

Ajo që po ndodh në Ballsh mbetet treguesi më i mirë se si Qeveria është e pandjeshme ndaj halleve të njerëzve të thjeshtë.

Prej 11 ditësh vijon greva e grave naftëtareve në mjediset e qendrës shëndetësore të uzinës së përpunimit të thellë të naftës në Ballsh. Edhe pse kanë lënë prej ditësh familjet e tyre dhe gjendja shëndetësore sa vjen e përkeqësohet, ato shprehen se nuk tërhiqen nga kauza e tyre e përbashkët derisa të marrin pagat e prapambetura.
Një natë më parë njëra prej grevisteve u dërgua në spital për ndihmë mjekësore e nuk ju rikthye më grevës, sepse ndodhet në gjëndje të rëndë në banesën e saj. Naftëtarja që e shoqëroi shprehet se largimi i saj i bën edhe më të vendosura, pavarësisht ironisë së kryeministrit Rama.

Gratët kanë kërkesa jetike për të marrë pagat që nuk iu jep asnjeri deri tani, ndonëse faturat e dritave qeveria ua kërkon ose i stakon energjinë. Kryeministri shprehet se nuk pranon presion dhe se nuk ka Qeveria faj, por privati. Kush ia dha privatit uzinën, Qeveria apo punëtorët? Natyrisht Qeveria.

Heshtja, bile indiferenca e qeverisë ndaj këtyre grave që po rrezikojnë jetën, tregon se kjo qeveri jo vetëm duhet zbuar me 25 prill, porse edhe penalizuar para drejtësisë.

Si ka mundësi që kryeministri nuk dërgon ministren përkatëse që ti thërrasë palët; kompaninë private dhe naftëtarët (përfaqësi të tyre) në ballafaqim, sepse Qeveria ka autoritetin kushtetues në këtë rast e të sugejrojë zgjidhjen, derisa privati ka mashtruar. Pse nuk ushtron kompetencat Qeveria, ndaj kujtdo që ushtron veprimtarinë në territorin e Republikës, e që mashtron punonjësit, apo ka interesa të ndërthuruara mes qeverisë dhe kompanisë private?

Nëse kryeministri ka dëshirë ti ndihmojë, mund ta kishte zgjidhur brenda 24 orëve problemin e konfliktit mes tyre dhe naftëtarët tashmë kishin marrë pagat e prapambetura e të gjithë do ishin në punën e tyre.

Por nuk do!

Nuk ka sesi të thuhet ndryshe kur gratë janë në grevë urie dhe dimri po afron, e nga dita në ditë mund të rrezikohen seriozisht jetët e tyre.

Edhe një pyetje: Si ka mundësi gjithë gra deputete dhe ministre të PS nuk duan t’ia dijnë për gratë naftëtare që janë në grevë urie?!

SHKARKO APP