Guri “Tropoja” i Ramës dhe Veliajt, pa LSI, dje në sheshin “Skenderbej”

Projekti për sheshin “Skenderbej”, ideuar nga Edi Rama dhe zbatuar nga Erion Veliaj, mbetet një projekt që do fjalë të mira. Natyrisht duhet mbajtur nën kontroll dyshja në fjalë ku, siç thuhet, ka një plan të fshehtë për kulla-pallat anash sheshit. Gjithsesi këtu jemi duke i vëzhguar, por për çfarë është bërë deri tani meritojnë fjalë përgëzuese. Dikush thotë se inagurimi i sheshit po bëhet në shërbim të zgjedhjeve të 18 qershorit, dikush tjetër për parkimin nëntokësor,etj, etj. Sikur të gjitha të jenë të verteta, prapë sheshi zgjerohet, zbukurohet dhe shërben për qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. E jo vetëm, por mbarë kombit. Miratimi duket se është fryt i bashkëpunimit të këshilltarëve bashkiakë të PS dhe LSI. Të dyja forcat politike zihen, pajtohen, prapë sherrnojnë, por janë dy forca politike të së majtës të cilat funksionojnë mirë kur janë bashkë, qoftë dhe në zemërim herë pas here. Dje Edi Rama shkoi te sheshi për të vendosur gurin e parë në shesh. Sikur të mos nxitohej nga pasioni për ta parë sheshin nga afër, porse të ishte krah për krah me Ilir Metën sheshi do t’i dukej më i mirë, thonë qytetarët e Tiranës. Sikur gurin “Tropoja” ta vinte duke e mbajtur bashkë me Metën do të vinte edhe guri “Skrapari”, “Vlora” apo edhe “Qeparoi”, pavarësisht se këtë gur po e mban në krah përgjatë bregdetit ish-deputeti Kokëdhima. Nëse do vinin bashkë, simbolikisht, edhe gurin “Korça” atëhere Ben Blushi nuk do të kishte kaq shumë përkrahës; nëse guri “Durrësi” do vendosej nga dy palë duar dje në shesh, kryebashkiaku durrsak Vangjush Dako nuk do bënte kaq shumë tangërllëk ministrit popullist Lefter Koka. Dhe shumë “nëse” të tjera.

Por Edi Rama nxitoi siç nxiton gjithmonë kur turret të marrë për vete frytet e punës të një koalicioni bashkëqeverisës. Bile nuk përtoi dhe shkruajti me vrap disa fjalë në profilin e tij në Facebook, ku nuk përmendi, qoftë edhe për formalitet miqësor askurkund “bashkëkryetarin e koalicionit”. Ja se ç’shkruan Rama: 

Nga Edi Rama.

Dje gjatë vendosjes së pllakës të parë në Sheshin Skënderbej, rilindja e vështirë e të cilit për shkak të pengesave gjithëfarë të së shkuarës, tanimë është më në fund në prag të kurorëzimit.

Projekti që më në fund po finalizohet, sot është një projekt i zhvilluar e i përmirësuar si një metaforë urbane fantastike për Shqipërinë dhe shqiptarët; Sheshi Skënderbej do të jetë një qilim unikal i thurrur me gurë nga të gjitha trojet shqiptare, ku do të rrinë pranë e pranë gurët e Malishevës e Konispolit, gurët e Vlorës e te Tropojës, gurët e Manastirit, Lezhës, Korçës e kështu me radhë, në një mozaik sensacional që e bën këtë shesh një hapësirë publike unikale.

Gjelbërimi që do të rrethojë sheshin, po ashtu me bimësi dhe pemë nga të gjitha trojet e Shqipërisë, do të jetë një ftesë shumë tërheqëse për të gjithë qytetarët e Tiranës e po ashtu të gjithë ata që do ta vizitojnë Tiranën, e cila perditë e më shumë po transformohet në kryeqytetin e Shqipërisë së Gjeneratës Tjetër.

Natyrisht që një gur i vendosur dje nga kryeministri Rama nuk shton për mirë, dhe as nuk ul me shumë përsëkeqi në bashkëqeverisje, porse tregon paksa dëshirën për protagonizëm, ndërkohë që tre këmbët e karrikes kryeministrore apo edhe atë për të bërë shumicën në këshillin bashkiak në Tiranë i ka LSI.

Gjithsesi sheshi po del bukur. Kur diçka del këndshëm nuk duhet të vraposh për t’i marrë erë “lules”, krejt vetëm, dhe kur diçka ka erë m… nxjerr një ministër të PS për të thënë se ” nuk e kam fajin unë, por partia tjetër!”.

Koalicioni është si një shtëpi me dy kate ku duhet të gjithë të punojnë dhe i “zoti i shtëpisë” tregohet gjeneroz, i drejtë, pa hile. “Shtëpi me dy kate”, por ama hyjnë në një derë dhe nuk turret, kurrë, ai që i kanë lenë “çelësin” të mendoj se “jam unë, pa jeni ju!”. Dhe nuk  ka përse të lejojë ndërtim pa leje duke shtuar një “kat të tretë”, kur themelet nuk mbajnë me shumë se dy kate!

SHKARKO APP