Hakmarrja e Ramës me Shkodrën. Qeveria bllokon paratë për bashkinë
Pas grabitjes së Këshillit Bashkiak në Shkodër me votimet një partiake të 30 qershorit, kryeministri Edi Rama po përdor çdo mjet për të marrë drejtimin e kësaj bashkie. Ditën e sotme, Thesari i Shtetit në varësi të Ministrisë së Financave ka ndërprerë pagesat për të gjithë veprimtarinë e institucioneve të bashkisë që drejtohet nga kryetarja e ligjshme, Voltana Ademi. Bllokimi i pagesave do të thotë se bashkia nuk ka më fonde për të ushtruar aktivitetin duke nisur që nga shërbimet vendore dhe deri të pagesat për çerdhet e kopshtet dhe pastrimin.
Denoncimi është bërë sot nga Voltana Ademi. Kryebashkiakja i ka shkruar një letër Ministrisë së Financave ku i kërkon sqarime për bllokimin e pagesave dhe i sugjeron tërheqjen nga një vendim i tillë. Letra i është dërguar dhe SHBA dhe gjithë trupit diplomatik në Tiranë. Ademi sqaron se me bllokimin e fondeve nuk preket thjesht Bashkia e Shkodrës, por gjithë qytetarët të cilët nuk mund të marrin shërbime.
“Sot ka ndodhur një ngjarje e paprecedent në historinë e administrimit të vetëqeverisjes vendore. Ditën e sotme, Dega e Thesarit në Shkodër nuk ka pranuar të kryejë veprimet përkatëse për likuidimin e faturave për shërbimet e Bashkisë Shkodër. Po ashtu, kjo degë nuk ka pranuar as ato procedura për të cilat është autorizuar zv.kryetarja e Bashkisë Shkodër. Me këto veprime të jashtëligjshme nuk po bllokoni kryetaren e Bashkisë Shkodër, por qytetarët dhe shërbimet ndaj tyre. Ju keni bllokuar sot rikonstruksionin e rrugës Oblikë-Velinaj-Alimetaj, shërbimin e gjelbërimit, shërbimin e varrezave, shërbimet për mirëmbajtjen e stadiumit “Loro Borçi”, e të tjera punë në proces, si projektimet dhe vijimin e investimeve me fondet e veta të Bashkisë Shkodër, pasi qeveria e ka “nxjerrë nga harta” e investimeve Shkodrën prej gjashtë vitesh”,- shkruan ndër të tjera Ademi.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit, Voltana Ademit i ka mbaruar mandati ditën e sotme, në orën 16:30. “…sipas ligjit, kryetares së Bashkisë i mbaron mandati më datë 20.08.2019, ora 16:30 sipas orarit zyrtar, për ditët në vijim do të jetë këshilli bashkiak që duhet të zgjidhë problemin”, thuhet në email- in dërguar Ademit nga dega e Thesarit. Çudia në këtë rast është se afatin e mandatit të Voltana Ademit, pas dorhëqjes së Valdrin Pjetrit, nuk e përcakojnë dot as juristët dhe institucionet. Dega e Thesarit Shkodër duket se ka marrë dhe rolin e KQZ-së.
Në fotot (poshtë) komunikimi i Bashkisë së Shkodrës me zyrtarë të Degës së Thesarit Shkodër