Hakmarrje për Himarën? Telefonata me Kotsias zhbllokon doganat

Çështja e Himarës ka dhënë efektet e para në raportet konkrete mes Greqisë dhe Shqipërisë. Pas deklaratave të forta mes Tiranës dhe Athinës, pala greke ke vendosur që të tensionojë marrëdhëniet në çështje që prekin direkt qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt Greqisë.

Dje dhe sot, thuajse të gjitha pikat doganore të Shqipërisë me Greqinë janë bllokuar nga pala greke. Qytetarët shqiptare, me pasaporta të vlefshme dhe që njihen në gjithë, botën nuk lejohen të kalojnë për në Greqi. Të vetmit persona që kalojnë janë shqiptarët që kanë dokumente greke. Pala greke nuk ka njohur as pasaportat amerikane që kanë pasur disa qytetar shqiptaro-amerikanë.

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ishte sot në Kakavijë të Gjirokastrës ku takoi nga afër disa prej qytetarëve që prisnin në radhë. Ai tha se problemi është teknik dhe do të zgjidhet. Më pas, në mënyrë jo zyrtare në media u fol për një bisedë telefonik mes Ditmir Bushati dhe homologut grek Niko Kotsias. Pas kësaj telefonate ka nisur dhe lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptare.

Situatë e paprecedentë e bllokimit për disa orë të lëvizjes së shqiptarëve, sipas palës greke, erdhi për shkak të defekteve në sistem. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 10 orë, sërish “defekti në sistem” nuk është rregulluar dhe kontrolli i kalimit po bëhet manualisht.

Vendimi i palës greke edhe pse jo zyrtarisht duket se është një përgjigje për prishjen e banesave në Himarë nga qeveria shqiptare. Këshilli i Ministrave ka miratuar një plan rregullues për urbanizmin e zonës së Himarës, i cili parashikon edhe prishjen e disa ndërtimeve duke dëmshpërblyer pronarët, sipas ligjeve në fuqi.

Por ky projekt nga ana e Greqisë është cilësuar si represion dhe gjenocid për minoritetin grek. Sipas zyrtarëve grekë, qeveria shqiptare po kërkon të eliminojë gjurmët e minoritetit grek në këtë zonë.

Edhe pse Kryeministri Edi Rama ka sqaruar disa herë se bëhet fjalë për një projekt urban, si ata që janë bërë në gjithë vendin, sërish sqarimet e Tiranës nuk kanë dhënë efekt. Qytetarët e Himarës janë ngritur në protesta, të ndihmuar dhe nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe shoqata të tjera të minoritetit grek. Nga një çështje pronësie që zgjidhet sipas ligjeve të Shqipërisë, Himara ka kaluar në një çështje diplomatike duke sjellë dhe tensione mes dy vendeve. Ndërkohë ata që po paguajnë faturën e qëndrimeve greke dhe mosmarrëveshjeve me Tiranën janë qytetarët dhe fëmijët që presin në radhë në pikat doganore.

Ministri Bushati ‘zbarkon’ në doganë, qytetarët i kërkojnë llogari

[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=-8DhM8RP-sI” width=”560″ height=”315″]

Mbrëmë dogana në Kakavijë ka qenë e bllokuara për mëse 7 orë. Personat me pasaporta shqiptare nuk janë lejuar të kalojnë në pikën kufitare të Kakavijës nga pala greke e cila ka nxjerrë si justifikim problemet me sistemin kompjuterik. Situata është e rënduar pasi janë krijuar radhë të gjatë, për shkak se edhe mjetet të të gjitha llojeve nuk lejohen të kalojnë. Nisur nga apeli i qytetarëve, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka shkuar në Kakavijë ku është takuar me qytetarët bashkë me ministren Mirela Kumbaro.

Qytetarët të indinjuar kanë rrethuar Ministrin Bushati duke i kërkuar llogari për situatën. Ata kanë deklaruar se duhet të ishin njoftuar që prej ditës së djeshme dhe të mos prisnin sot gjithë ditën. Nga ana tjetër Bushati iu ka kërkuar të bëjnë durim. “Nuk dua të bëj avokatin e askujt. Pala greke ka thënë se ka rënë sistemi. Duhet të kuptojmë dhe të tregohemi të duruar. Nuk besoj se situata është e qëllimshme”, iu ka thënë Bushati qytetarëve.

Probleme të njëjta kanë ndodhur edhe në Kapshticë dhe Qafë Botë ku kalojnë vetëm shtetas me dokumente greke dhe të zonës Shengen.

Dëshmia/“Doganieri grek mi hodhi letrat në fytyrë, kemi 12 orë në radhë”

[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=LK8PChx8kWg” width=”560″ height=”315″]

Në një intervistë të dhënë nga pika kufitare e Kakavijës, një qytetar i cili është në pritje për të kaluar në Greqi është shprehur se nuk ka mundur të kalojë edhe pse zotëron dokumentacion të rregullt të Bashkimit Europian, duke qenë se është rezidend në BE.

“Kam që në orën 11 të mbrëmjes së djeshme këtu, është një diçka shumë e shëmtuar që ne na ndodhin këto gjëra. Na kanë kthyer. Unë jam rezident i Bashkimit Europian, më kanë kthyer. I kam paraqitur pasaportën dhe më tha që nuk është e lejueshme të kaloja. Polici grek mi ka hedhur pothuajse letrat në fytyrë”, është shprehur një nga udhëtarët për Report TV. Gjithashtu ai është shprehur se doganerët në pikën kufitare të Kakavijës nuk i kanë dhënë asnjë shpjegim se përse nuk i lejohej të kalonte kufirin.

‘Kakavija’, reagon Policia: Ja arsyeja e bllokimit të kufirit

Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim për mediat lidhur me situatën e krijuar në pikën kufitare të Kakavijës, ku automjetet shqiptare nuk lejohen të kalojnë kufirin për të shkuar në Greqi. Sipas Policisë, shkak i situatës është një problem teknik i palës greke.

Njoftimi i Policisë:

“Ne lidhje me situatën e krijuar në Pikat e Kalimit Kufitar për në Greqi, ju informojmë se: Policia Kufitare ka komunikuar në mënyrë të vazhdueshme me policinë kufitare greke, ku nga komunikimi me autoritetet policore greke, rezulton se:

Që prej mbrëmjes së djeshme, sistemi kompjuterik i palës greke ka shfaqur probleme teknike deri në bllokimin e plotë të tij.

Sistemi kompjuterik është bllokuar për shkaqe teknike, jo vetëm në kufirin më Shqipërinë, por edhe me shtetet e tjera si me Maqedoninë, Turqinë dhe Bullgarinë.

Për këtë arsye shtetasit që nuk kanë dokument udhëtimi të një vendi të BE-së e kane të pamundur të kalojnë deri në rregullimin e difektit në sistem. Policia Kufitare ka mbajtur kontakt të pandërprerë me Policinë Greke, ku është marrë përgjigje se po punohet për rregullimin sa më shpejt të sistemit.

Pala greke pretendon se deri sot pasdite ky defekt të rregullohet dhe të filloje lëvizja e qytetarëve me funksionimin normal të sistemit. Policia Kufitare kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe të drejtuesve të mjeteve që të mos dynden në pikat e kalimit duke krijuar radhë e konfuzion, pasi me të marrë njoftim nga pala greke për rregullimin e sistemit, do t’ju njoftojmë nëpërmjet medias dhe rrjeteve sociale”.

Ora 14:00/Zhbllokohet situata në Kakavijë, nis lëvizja drejt Greqisë

Pas disa orësh bllokim ka rifilluar lëvizja në pikën kufitare të Kakavijës. Të dhënat e fundit thonë se pala greke ka filluar t’i regjistrojë manualisht pasaportat, derisa të rregullohet defekti në sistemin e kompjuterik, për të cilin pala shqiptare sqaroi se ishte defekt i palës greke me të gjitha pikat e saj kufitare me Maqedoninë, Turqinë etj.

Që prej mbrëmjes së djeshme qindra udhëtarë prisnin të bllokuar në Kakavijë. Paraditen e sotme shkuan në doganë edhe ministrat Ditmir Bushati e Mirela Kumbaro. Ata u ndeshën me zemërimin e qytetarëve të cilët i kërkonin llogari për situataën e krijuar.

SHKARKO APP