Haradinaj akuzon Thaçin e Ramën: Kushdo që hap temën e ndarjes së Kosovës është armiku im

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama, se qëndrojnë prapa idesë së dhënies së tokës për të fituar njohjen nga Serbia.

Në një intervistë për televizionin të Kosovës, Haradinaj ka theksuar se çdoherë e ka kundërshtuar kushtin, që njohja e Kosovës të blihet duke dhënë tokë. Po ashtu ai pohoi se është lënë të kuptohet në shumë raste që presidenti Thaçi dhe kryeministri Rama, e kanë përkrahur idenë e dhënies së tokës për njohje. Ai ka deklaruar se në çdo takim e ka këshilluar presidentin që të mos e vazhdojë këtë ide, sepse do të sjellë tragjedi për tërë popullin.

Kushdo që hap temën e ndarjes, është armiku im. Këtë e kam thënë në takime, jo pas shpine. E kam bërë edhe me presidentin, edhe në takime tjera”,- tha ai, dhe shtoi se lëvizja e kufijve është agjendë e Rusisë, sepse e njëjta ka agjendë për lëvizjen e kufijve në Ballkan.

Haradinaj shtoi se presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mund t’i kenë ofruar Shtëpisë së Bardhë një opsion të marrëveshjes e cila do të sillte njohjen e Serbisë për Kosovën nëpërmjet ndarjes së Kosovës.

Në çdo takim unë e kam prezantu interesimin tonë për rolin e Amerikës në dialog, pra që të hyn Amerika në dialog dhe njëkohësisht për rrezikun dhe kundërshtimin tim për mundësinë e marrjes së njohjes duke dhënë tokë. Kudo që kam qenë, qoftë i vetëm, qoftë në prezencë të z.Thaçi, qoftë kolegëve të tjerë çdo herë e kam mbajt një kurs të qëndrueshëm politik të sinqertë e shumë të sinqertë, pra nuk i kam mashtruar asnjëherë (amerikanët) duke iu thënë se nuk kemi nevojë për njohje duke dhënë tokë sepse kur e hap kufirin e ki hapë atë pavarësi që e kemi shpallë më 17 shkurt. Ende është ky tension i tillë në çdo takim dhe çdo ngjarje“- tha Haradinaj.

Për një gjë të tillë, fajtor ai bën Hashim Thaçin dhe Edi Ramën. “Mendoj se pasojat i kemi për shkak se me gjasë një pjesë e lidershipit edhe të Kosovës por edhe të rajonit i ka ofruar Shtëpisë së Bardhë një opsion të marrëveshjes me Serbinë duke u mundu me i siguruar ata që e përkrah krejt Kosova. Medoj se presidenti Thaçi, pastaj shihet që edhe kryeministri Rama ndoshta e ka pëlqyer këtë ide…por hetohet se ka pasur një avancim në një ide me territore në shkëmbim të njohjes”, tha Haradinaj.

Kreu i ekzekutivit kosovar pohoi se nuk rrezikohen marrëdhëniet me Amerikën sepse kërkesa e tyre është pezullimi i taksës. Ai tha se taksa është shfrytëzuar për ta dëmtuar udhëheqësin e Qeverisë, “të më dëmtojnë mua”.

Amerika është si vëllai i madh, sepse po na teston deri ku mund të këmbëngulim ne”, tha ai. I pyetur se pse nuk po e dëgjon kërkesën e amerikane për taksën, ai tha se nuk lëshon pe para Serbisë dhe Rusisë. Ai po ashtu tha se ekziston një bindje që ka një paramarrëveshje, por që atë nuk e ka parë dhe nuk ka si të ecë përpara pa e parë marrëveshjen. Kryeministri është shprehur edhe njëherë se taksa nuk hiqet pa njohje të Kosovës nga Serbia.

SHKARKO APP