Haradinaj i përgjigjet Vuçiç: Ky është sulm i hapur ndaj Kosovës, do marrim masa

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Kryeministri Ramush Haradinaj i kanë vlerësuar deklaratat e presidentit serb, Vuçiç, të bëra një ditë më parë nga qyteti i Vranjës në Serbi, si të papranueshme dhe cënuese ndaj integritetit territorial të Kosovës. “Deklaratat e fundit kërcënuese, agresive dhe luftënxitëse të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të dhëna dje, më 7 shkurt 2019 në qytetin e Vranjës, Serbi, se nuk i njeh kufijtë e Kosovës, kufijtë ndërkombëtarisht të njohur dhe të pranuar, në Jarinjë dhe Bërnjak, janë të papranueshme dhe paraqesin cënim serioz të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”, thuhet në reagimin e kreut të qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se, këto deklarime “janë një sulm i hapur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, rajon dhe më gjerë”. Më tej, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se do të ndërmarrë të gjitha veprimet kushtetuese dhe ligjore, me qëllim ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, në përputhje me Deklaratën e Pavarësisë së 17 shkurtit 2008 dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Deklarata e plotë e Haradinaj

“Deklaratat e fundit kërcenuese, agresive dhe luftënxitëse të Presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, të dhëna dje me datë 7 shkurt 2019 në qytetin e Vranjës, Serbi, se nuk i njeh kufijtë e Kosovës, kufijtë ndërkombëtarisht të njohur dhe të pranuar në Jarinjë dhe Bërnjak, janë të papranueshme dhe paraqesin cenim serioz të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Këto deklarime janë edhe një atak i hapur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, rajon dhe më gjerë.

Si kryeministër i Republikës së Kosovës zotohem se do të ndërmarr të gjitha veprimet kushtetuese dhe ligjore me qëllim të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, në përputhje me Deklaratën e Pavarësisë së 17 shkurtit 2008 dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

SHKARKO APP