Hashim Thaçi përballë Enkel Demit në TVSH:Ja si do të jetë Presidenca ime

Enkel Demi – Zoti President, të enjten bëni betimin në Kuvend, ndërsa të premten është parashikuar një ceremoni zyrtare inaugurimi. A keni drojë se mund të këtë sërish ndonjë incident, ashtu si ndodhi gjatë seancës së zgjedhjes suaj në postin e Presidentit të Republikës së Kosovës?

Hashim Thaçi – Nuk kam kurrëfarë droje që ka me pas ndonjë incident, sepse nuk ka asnjë arsye. Ky është një moment i procesit të zgjedhjes së Presidentit krejt i zakonshëm, procedurial dhe ligjor.

Sipas mediave mes të ftuarve është dhe Presidenti serb, Tomisllav Nikoliç. Është e vërtetë në rradhë të parë?

Është e vërtetë që kam ftuar Presidentin e Serbisë, Nikolliç. Të dy vendet tash e katër vite janë duke biseduar në Bruksel për të normalizuar marrëdheniet dypalëshe dhe kjo ftesë është një mesazh, një ftesë për paqe dhe normalizim të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Është një mesazh për të ardhmen.

Ai do të pritet si mik në Prishtinë, pavarësisht gjuhës antishqiptare?

Do të pritet si Presidenti i Republikës së Serbisë. Ndërsa sa i përket miqësisë duhet punuar më tepër.

Keni një koment për vizitën e kryeministrit Aleksandër Vuçiç të djelën në veri të Kosovës, flas për incidentet?

th3

Incidentet kanë qenë krejt të panevojshme dhe të provokuara për të ngjallur një frymë nacionaliste. Por, Kosova ka qenë gjithmonë e hapur ndaj vizitave të tilla. Vuçiç ka të drejtën legjitime të interesimit për serbët që jetojnë në Kosovë, siç kemi edhe ne të drejtën e interesimit për shqiptarët jashtë Kosovës. Kështu që këto vizita nuk janë të ndaluara. Ata parashikohen edhe në ligjet tona, në Kushtetutë dhe janë pjesë e bashkëpunimit mes dy vendeve tona.

Seanca ku ju jeni zgjedhur President ishte një ndër më të tensionuarat e ndjekur nga të gjithë shqiptarët. A ka qenë një “matje pulsi” edhe për koalicionin qeverisës?

Seanca ku unë jam zgjedhur President i vendit ka qenë një seancë e zakonshme, e rregullt, e respektimit të plotë të procedurave. Ka patur më shumë agresivitet në veprimet e disa individëve që humbin shancin e së ardhmes së tyre politikë të planifikuar. Kështu që më tepër ka qenë një reagim nervoz dhe i pajustifikueshëm dhe kaos i paqenë. Është tentuar që të bllokohet zgjedhja e Presidentit për të çuar vendin kështu në zgjedhje të parakohshme. Por, kjo nuk u arrit për arsye se koalicioni aktual ka 2/3 dhe gjithçka ka qenë e rregullt.

Dihet që kjo nuk është çështje numrash se ju i keni ato në Kuvend…

Është edhe çështje numrash, sepse numrat rrjedhin nga legjitimiteti qytetar, sepse në Parlament deputetët kanë ardhur nga listat e hapura. Njerëzit i kanë votuar, deputetët kanë fituar përmes partive, ndaj vota e tyre është legjitimiteti i qytetarëve, jo vetëm i imi.

Megjithatë në një seancë për zgjedhjen e Presidentit të hidhen 4-5 herë gaz lotsjellës më duket si situatë goxha e rëndë…

Ata që i kanë hedhur kanë qenë në krizë të rëndë, ndërsa koalicioni qeverisës ka qenë në një proces normal, të rregullt dhe kanë bërë atë që duhej. Ata që prodhuan situatë të tensionuar kanë dhënë mesazhin më të keq të mundshëm jo vetëm në popull, por edhe për Kosovën në arenën ndërkombëtare, natyrisht dhe me kosto politike për ata vetë.

Me këtë situatë të ngarkuar pozitë-opozitë, si mund të çtensionohet situata?

Në Kosovë është një situatë e qetë, krejt normale, me një koalicion të gjerë krejt stabël. Opozita mendoj se duhet të ketë një veprim politik më pak të dhunshëm. Pushteti nuk mund të merret as përmes dhunës dhe as përmes protestës në shesh. Koalicioni aktual, ka legjitimitet të plotë, të dhënë nga zgjedhjet e fundit demokratike dhe transparente. Rezultati zgjedhor i 2014 është pranuar nga të gjithë, edhe nga opozita e sotme. Edhe reagimet për dy marrëveshjet e arritura në Bruksel janë reagime të kauzave të paqena, që nuk ekzistojnë. Kështu që mesazhi im është që të ketë mirëkuptim më tepër, debat më tepër dhe beteja politike të zhvillohet aty ku duhet në Kuvendin e Kosovës.

Ju keni thënë për Zërin e Amerikës: “Presidenti i ri është lideri që ka fituar 6 herë zgjedhjet. Do të punoj për të dëgjuar zërin e të gjithëve.” A po punoni për të dëgjuar fillimisht zërin e ish-miqve tuaj të afërt si Haradinaj, Limaj apo Krasniqi?

Unë në rrafshin personal kam marrëdhënie korrekte, kurse në rrafshin conceptual, kur kam qenë kryetari PDK-së jemi ballafaquar në garë elektorale dhe siç e thatë dhe ju dhe po e theksoj unë kam fituar 6 herë zgjedhjet, tre kombëtare dhe tre vendore. Edhe zgjedhja e Presidentit ka qenë një garë elektorale active përballë një qëndrimi pasiv timin që rezultoi me një fitore ligjore,  kushtetuese prej meje. Por, pavarësisht kësaj unë e kam marrë këtë detyrë që t’i shërbej të gjithë shtetasve të Kosovës, të gjithë krahëve të politikës, shoqërisë civile, mediave e më gjerë. Unë kam ditur që ta unifikoj qëndrimin e Kosovës në Rambuje, në nënshkrim e marrëveshjes ndërkombëtare për lirinë e vendit, kam ditur të ruaj një drejtim qytetar të vendit kur është shpallur pavarësia në 17 shkurt 2008 edhe tani jam i bindur se në proceset integruese në Bashkimin Europian dhe në NATO do ta ruaj këtë unitet. Kështu që unë në çdo moment do t’i pres në zyrën time liderët opozitarë pa asnjë paragjykim.

Ju thatë që do ta udhëhiqni popullin e Kosovës drejt NATO-s. A ka një komb kosovar?

Ne jemi qytetare të Republikës së Kosovës që përpiqen që të ndërtojnë dhe jetojnë në demokraci. Kosova është atdheu i të gjithë qytetarëve të saj. Ne po forcojmë identitetin shtetëror, por secili ka etninë e vet, kombin e tij. Unë jam shqiptar i Kosovës, por jam shtetas i Republikës së Kosovës.

A ka ndryshim Hashim Thaçi i Kosovës nga Enkel Demi i Çamërisë?

Sa i përket etnisë asnjë ndryshim, sa i përket shtetësisë, ju jeni qytetar i Shqipërisë, ndërsa unë i Kosovës.

Përse është e frikshme të themi që Shqipëria nuk ka kuptim të rrethohet me shqiptarë?

Nëse merremi me aspektin historik duhet të themi se kemi paguar si shqiptarë çmime të mëdha, çmime të padrejta, por tani duhet të punojnë në standardin dhe kriterin e frymës euroatlantike. Kështu që shqiptarët duhet të jenë të bashkuar rreth këtyre vlerave. Nuk janë të vetmit shqiptarët që janë të ndarë në shtete të ndryshme në Ballkan apo Europë. Duhet të përshtatemi dhe të jetojnë në hapësirën ku jemi të bashkuar në BE dhe NATO. Bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë, kur të ndodhë dhe bashkimi i kroatëve, i serbëve a boshnjakëve, kur të ndodhë bashkimi në familjen e madhe europiane.

Po nuk ka gjasë që të mos ketë edhe familje europiane me gjithë këto situata dhe pikepyetje që lindin çdo ditë vetë në BE?

Ne nuk e vendosim dot nëse do të mund të ketë ose jo familje europiane, por unë personalisht besoj fuqishëm në standardin dhe vlerat euroatlantike. Shqiptarët kanë patur fat që i kanë mishëruar këto vlera.

A nuk do të ishte më normale që në raport me Brukselin të paraqiteshim si një treg më i madh, jo vetëm ekonomik, por edhe politik?

Do të ishte me interes, por ja që realiteti është i tillë dhe ne duhet ta respektojmë dhe edhe ta ndryshojmë aq sa mundemi.

Jeni shkëputur përfundimisht nga PDK-ja?

th1

Po, përpara se të votohem në Kuvend, i kam ofruar organeve drejtuese të PDK-së dorëheqjen time, kështu që tani jam vetëm President i Republikës së Kosovës pa asnjë lidhje me parti të veçanta politike.

Do me thënë je shkëputur fare, nuk ju merr kush në telefon, pra ke të njëjtin raport si me PDK-në ashtu fjala bie dhe me cilëndo parti tjetër të Kosovës?

Unë kam një jetë në Partinë Demokratike të Kosovës, 17 vite, por unë kam marrëdhënie dhe me përfaqësues të partive të tjera politike. Takohem me ta, pi kafe, diskutoj. Në kuadër të përgjegjësive politike dhe institucionale tashmë gjithçka është e qartë dhe do ta respektoj Kushtetutën e ligjet e vendit. Mund t’ju them që nuk do të kandidoj për një mandat të dytë si President, nëse ai nuk do të zgjidhet drejtpërdrejtë nga populli. Edhe nëse nuk ndodh ky ndryshim, unë nuk do të kthehem më në PDK apo qeveri.

Ju do të jeni një President i majtë apo i djathtë në Kosovë?

Në kuadër të këtyre përgjegjësive unë do të jem një President i gjithë qytetarëve të vendit që do t’i shërbejë atyre dhe jo ideologjisë së cilitdo krah.

Thuhet që Presidentja Jahjaga do të themelojë një parti të re. A keni një koment për këtë?

Unë kam vetëm komente vlerësuese për punën e saj si Presidente e vendit. Ndërsa përsa i përket të ardhmes së saj politikie është vendim i saj autonom, të cilin njerëzit duhet ta respektojnë. Por, nëse ajo futet në politikë kjo do të jetë një risi për jetën politike kosovare. Pastaj gara elektorale mbetet gjithmonë e hapur dhe aty verdiktin e kanë qytetarët.

Opozita ju akuzon se i keni bërë lëshime Listës Serbe për t’u zgjedhur President. Për çfarë lëshimesh bëhet fjalë?

Në asnjë rrethanë nuk ka patur asnjë lëshim, asnjë marrëveshje, përpos marrëveshjes së para dy viteve për ndërtimin e koalicionit të përbashkët, ku është dhe LDK-ja dhe partner të tjerë. Kështu që unë tani në detyrën që mbaj e kam për detyrim që të jem edhe pranë serbëve. Do t’i takoj ata, do t’i shërbej edhe qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë.

Opozita ju akuzon se nën presionin e Uashingtonit dhe Brukselit ju keni tradhëtuar Kosovës.

Tek ne, shqiptarët ndonjëherë, por edhe në Ballkan në përgjithësi jepen shumë lehtë përcaktimet se kush është patriot dhe kush është dëshmor apo tradhëtar. Unë i kuptoj këto zëra që mund të jenë dhe të frustruar për shkak të dështimeve të tyre politike, por mua në asnjë rrethanë nuk më bëjnë përshtypje. Unë do të bëj punën më të mirë të mundshme për vendin, kam respektuar Kushtetutën e vendit, ligjet e tij. Për ata që ngrenë opinione të tilla unë kam një pyetje shumë të thjeshtë: Cili do të jetë përkushtimi i tyre për dialogun, për normalizimin e marrëdhënieve. Para dy vitesh ata të gjithë kanë kërkuar që ta udhëheqin këtë proces, ndërsa tash dalin me këto deklarime të pamendura mirë, të paqëndrueshme, kështu që nuk më bëjnë fare përshtypje.

A është e shëndetshme “Zajednica”?

Për Kosovën është e shëndetshme zbatimi i të gjitha marrëveshjeve që kemi nënshkruar në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ato marrëveshje janë sipas Kushtetutës së Kosovës, standardeve të Bashkimit Europian. Edhe marrëveshja që lidhet me krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe është e frymën e Kushtetutës së Kosovës dhe vetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka detyruar qeverinë që të themelojë këtë asociacion. Ka patur elemente që nuk kanë qenë në frymën e Kushtetutës, e theksoj elemente, por Gjykata me vendimin e saj e ka obligu themelimin e saj.

Kur do të jetë në fuqi marrëveshja mes Kosovës dhe Malit të Zi për demarkacionin?

Marrëveshja është arritur, është nënshkruar, ka pasur edhe komision ndërkombëtar. Ky i fundit ka ardhur dhe ka bërë një studim të thellë. Kjo çështje mendoj se me vendimet përkatëse të qeverive është e mbyllur, pritet vetëm që të bëhet ratifikimi në Kuvend. Kjo do të bëhet në kohën më të përshtatshme për të dy kuvendet.

Kjo futet tek lista e tradhëtive?

Në asnjë rrethanë, për asgjë. Po e them edhe njëherë, ata që flasin për gjëra fyese, ofenduese nuk kanë argument të fortë për këtë çështje, ndaj bëjnë këto etiketime që mua nuk më bëjnë përshtypje.

Por me këtë gjuhë kaq të ashpër, si mendoni të gjeni rrugët e qetësimit të situatës politike?

Skena politike është e qetë. Krizë kanë ata që nuk pajtohen me stabilitetin.

E qetë nuk është…

Po veprimet e dy-tre individëve nuk janë veprimet e shtetit apo të qytetarëve të vendit. Ato janë veprime të shkëputura dhe që nuk kanë fare kauzë, do të kenë kosto politike. Kush dëmton shtetin me veprimet e veta do të kenë vështirësi vetë. Por unë do të punoj për t’i sheshuar edhe këto.

Flitet prej kohësh për një afrim të mundshëm të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me koalicionin në pushtet.

Këto janë çështje të partive në koalicion, jo të Presidentit të vendit. Ai as nuk përcakton koalicion, as nuk ndërhyn se kush hyn apo del.

Në fakt është akoma e “nxehtë” dorëheqja juaj nga PDK-ja, ndërsa de jure doni edhe tre ditë për t’u bërë President…

Sido që të jetë unë jam i shkëputur që prej një muaji nga jeta partiake. Është në autoritetin e zotit Veseli dhe Mustafa që të marrin vendime për koalicionin.

Si President do ta kishit problem në qoftë se kreun e qeverisë mund ta marrë për shembull Haradinaj?

Çdo formulë mirëkuptuese mes partive politike është e pranueshme, por ajo që di unë dhe nga kontaktet që kam është se koalicioni qeverisës është i vendosur që të vazhdojë punën në një stabilitet shumë të qëndrueshëm, deri në zgjedhjet e rregullta qershor 2018.

Pikërisht tek këto zgjedhjet është puna. Nëse dialogu dështon a janë alternativë zgjedhjet e parakohëshme?

Nuk mendoj se dialogu është i dështuar. Mendoj se pas zgjedhjes së Presidentit gjërat kanë ndryshuar, situata është më stabël, ka një frymë të re bashkëpunimi, por nuk mund të përjashtohen përsëri zërat e frustruar që kanë pësuar humbje të njëpasnjëshme elektorale në 16 vitet e fundit.  Zëri i arsyes besoj se do të jetë më i fortë.

Duke qëndruar tek zëri i arsyes. A komunikoni në fund të fundit me përfaqësuesit e opozitës, me njerëzit që keni patur miq, si Limaj, Haradinaj, Krasniqi etj?

Po komunikoj kudo që takohem.

Nuk është se “krushqit janë të ngrirë”?

Jo, jo. Ka patur orientime të ndryshme politike, rrethana të ndryshme, por në angazhimet politike që kemi patur kanë qenë më të rëndësishme, sepse më e rëndësishme është Kosova sesa tallazet politike.

Gjatë kohës që ju po zgjidheshit në krye të shtetit, u kuptua se polarizimi politik po shkonte poshtë, tek njerëzit. Atë ditë kushdo ndiqte zhvillimet shikonte me ankth nëse do të kishte përplase në shesh mes përkrahësve të të dyja palëve.

Nuk ka patur asnjë rrezik për përplasje, përkundrazi ka patur tendenca për pengim votimi, tendenca këto që janë eleminuar.

Nuk e di a keni patur mundësi t’i ndiqni të gjitha zhvillimet, por atë ditë në shesh dukej sikur do të shpërthente nga çasti në çast…

Njerëzit duhet të kuptojnë se deputetët kanë edhe mbështetës politikë dhe ata kanë patur disa njerëz që kanë reaguar, por unë të drejtën e protestës e vlerësoj. Tek e fundit jam rritur në demostrata, por kundër Serbisë, jo kundër shtetit dhe institucioneve të vendit tim. Por, unë do t’iu shërbej edhe atyre që kanë protestuar.

Sa herë flitet për Gjykatën Speciale, emri juaj është i përhershëm në listat mediatike, a jeni i hapur kundër një procesi të mundshëm në këtë gjykatë?

Ne nuk kemi asgjë për të fshehur, i besojmë drejtësisë dhe i japim mbështetje të plotë këtij procesi që do të heqë një re të zezë mbi Kosovën, mbi qytetarët e vendit dhe mbi luftën e UÇK-së.

Kjo Gjykatë është rast unik pas Nurembergut…

Po, sepse i tillë ka qenë edhe spekullimi, mbi të cilin u ngrit. Unë mendoj se kjo çështje duhet perceptuar si avantazh për Kosovën, sepse më në fund do të ketë mundësinë që të shpëtojë prej këtyre dilemave të të tjerëve, spekulimeve të tyre. Ne duhet të sillemi si shtet serioz dhe partner i besuar në këtë proces. Oponentët e pavarësisë së Kosovës nuk duhet të kenë asnjë mundësi që ta sulmojnë.

Fakti që u pranua ngritja e kësaj gjykate a do të thotë se në një farë mënyre në heshtje pranojmë se janë kryer krime mbi popullsinë serbe?

Ne kemi bashkëpunuar shkëlqyeshëm si qytetarë të Kosovës me gjykatën e Hagës, ish-luftëtarët. Nuk duhet harruar se kryeministri Ramush Haradinaj la zyrën e kreut të qeverisë dhe shkoi për t’u përballur me një proces gjyqësor në Hagë. Është shpallur dy herë i pafajshëm, zoti Limaj gjithashtu. Kosova përveçse ka një shembull të mirë të bashkëpunimit me Hagën ka tashmë edhe një mundësi qartësimi të së shkuarës. Kjo do të jetë ndihmë për të ardhmen. Vetëm ata që kanë bërë krime mund të frikësohen nga një gjykatë, cilado qoftë ajo.

Mendoni që mund të këtë një proces për trafikimin e organeve, sipas raportit të Dick Martin?

Ky është një projektim fantastiko-shencor që nuk ka ekzistuar kurrë. Unë nuk dëshiroj që të parashikoj as paragjykoj asgjë. Unë di që UÇK ka bërë një luftë të drejtë dhe nëse është thyer ndonjë ligj, ato kanë qenë ligjet e Sllovodan Millosheviçit dhe në asnjë rast ligjet ndërkombëtare.

A do të arrestohet Vojislav Sheshel nëse hyn në Kosovë?

Ende nuk ka ndonjë procedurë penguese, ende nuk ka ndonjë aktakuzë ndaj tij, por mendoj se do të shikohen të gjitha hollësitë e veprimeve të tij gjatë luftës. Mund të them se aktualisht ai nuk mund të futet në Kosovë.

Keni një koment në lidhje me vendimin e Gjykatës së Hagës në lidhje me Sheshelin?

Mendoj se kanë qenë të lënduar familjarët e viktimave të serbëve në Kroaci, në Bosnje, Vojvodinë. Sheshel shquhet si një ndër nxitësit e spatrimeve etnike. Unë shpresoj që kjo çështje do të ritrajtohet nga Gjykata e Hagës.

Marrëdhëniet me Shqipërinë janë gjithmonë shumë të mira, por vetëm në letra ama…

Nuk mendoj se janë vetëm në letra. Ka patur përveç mbledhjeve të qeverisë, shkëmbime dhe takime në çdo nivel drejtues nga Presidenti e poshtë. Ka bashkëpunim shumë të mirë në të gjitha aspektet.

Edhe atë ekonomik?

Në këtë fushë mund të bëhet akoma më shumë, por theksoj se secili prej vendeve ka prengesat e veta. Por ndërtimi i autostradës ka forcuar më shumë edhe këtë aspekt. Rruga e Kombit ishte një hap i jashtëzakonshëm në afrimin e dy shteteve. Është kenaqësi që ka filluar mirë.

Si janë marrëdhëniet me Metën, Ramën, Bashën?

Unë kam marrëdhënie të shkëlqyera me te gjithë. Me Kryeministrin Rama kemi bashkëpunuar më gjatë si shefa ekzekutivi, por edhe me ish-kryeministrin Berisha kemi bashkëpunuar shumë mirë në mandatet e tij të kaluara. Shqipërinë nuk e shikoj në prizmin e partive, por në bazë të interesit shtetëror.

A janë të gjithë të ftuar në ceremoninë e inaugurimit tuaj si President?

Të gjithë, dhe shpresoj që të gjithë të gjejnë kohë për të ardhur.

Ku do ta bëni vizitën tuaj të parë si President i Kosovës?

Nuk është specifikuar ende, por ekipi që punon me axhendën time do të shikojë mundësinë më të mirë për të bërë një vizitë në një vend kredibël europian, por këtë ende nuk e kam menduar. Nuk jam i shqetësuar për këtë aspekt.

Kosova sot ka një numër jo të vogël personash të rreshtuar krah ISIS-it. Si shpjegohet?

Jo vetëm Kosova.  Ka edhe nga vende të BE-së e jashtë saj. Kosova nuk është imune nga terrorizmi, por sot ajo është kampione në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Prej 8 muajsh asnjë individ nga Kosova nuk ka shkuar në Siri. Kjo betejë do të vazhdojë deri në fitore.

A është e rrezikuar Kosova nga terrorizmi?

Si çdo vend tjetër.

Flasim a keni ju informacion të klasifikuar për nivelin e rrezikut?

Kosova nuk është imune ndaj terrorizmit, por një gjë është e sigurtë çdo potencial i agjencive ligjzbatuese dhe qeverisë po investohet kundër këtij rreziku.

A kanë qenë të pranishëm persona ekstremistë islamikë në UÇK?

Kurrë. Në asnjë rrethanë, në asnjë kohë. Nuk ka patur elementë fundamentalistë apo ektremistë në UÇK. Nuk mund të themi se nuk ka patur pretendime, por nuk janë lejuar. Kjo ka qenë një ndër fitoret më të mëdha të UÇK-së që nuk ka lejuar elementë ekstremistë, nuk ka lejuar elementë terroristë që të kryejnë veprime që bien ndesh me standardet ndërkombëtare. Lufta jonë ka qenë luftë për liri, jo për kauza fetare.

Ju vetë jeni besimtar?

Unë besoj në Zot, por praktikant nuk jam. Por, respektoj të gjitha besimet.

Pas pak ditësh janë Pashkët ortodokse. Do të shkoni në ndonjë kishë a manastir?

Unë kam marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha komunitetet fetare. Vizitoj të gjitha vendet e kultit. Inkurajoj frymën e mirëkuptimit dhe tolerancës fetare.

Do ta ndjekësh një meshë me rastin e Pashkëve?

Ende nuk e kam planifikuar, por do të shikoj kushtet dhe rrethanat dhe ma do mendja që po.

Kur mendoni që do të liberalizohen vizat?

Unë kam besim të plotë se kjo do të ndodhë në një të ardhme shumë të afërt. Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet e Bashkimit Europian për të përfituar nga liberalizimi i vizave. Kjo e drejtë po i mohohet padrejtësisht.

Pse ka kaq shumë shqiptarë të Kosovës që kërkojnë azil?

Ka individë të caktuar, por jo me grupe, të paktën që prej më shumë se një viti e gjysëm.

SHKARKO APP