Helikopteri ka qëndruar 95 minuta në ajër deri në përplasje në liqen
Zbardhet si ka lëvizur helikopteri para rrëzimit në liqenin e Shkodrës. Helikopteri “EC 145” që u rrëzua në liqenin e Shkodrës të mërkurën e shkuar, ka qëndruar 95 minuta në ajër, deri në momentin e përplasjes. Kjo është provuar nga plani i fluturimit stërvitor i miratuar nga eprorët ushtarakë dhe kontakti që dy pilotët, tashmë Dëshmorë të Kombit, kanë mbajtur me operatorin ushtarak në kullën e vrojtimit të radarëve të Forcave të Armatosura.
Sipas këtij plani rezulton se helikopteri me tre persona në bord është nisur nga regjimenti i Farkës në orë 12:10, për të vazhduar në Tujan, zonën mbi Qafë-Murr, në vazhdim në Qafë-Buall, Shupenzë të Peshkopisë, më pas janë kthyer në drejtim të Kukësit, zonën e Qafë-Luzhës e Qafë-Valbonës në Tropojë, për të vazhduar sipër Vermoshit, zonën e Rapstarjes në Koplik dhe për të përfunduar në zonën e Shkodrës ku edhe u rrëzua në liqen.
Sipas hetuesve, përplasja ka qenë në ora 13:45, kohë kur edhe pilotët kanë ndërprerë kontaktet me operatorin e kullës së radarëve të Forcave të Armatosura.
Me humbjen e kontaktit, hetuesit kanë administruar një shkresë të komandantit të regjimentit të helikopterëve, i cili ka urdhëruar nisjen e një helikopteri të dytë shpëtimi drejt zonës së humbjes së kontaktit, ku edhe është konfirmuar rrëzimi i helikopterit.
Sipas ekspertëve të mjekësisë ligjore, vdekja e pilotëve ka qenë e menjëhershme pas shokut traumatik të pësuar nga përplasja me ujin, shkruan lapsi. Ndërkohë burimet pranë prokurorisë thonë se nga verifikimi paraprak, helikopteri ka bërë ulje të menjëhershme të llojit pikiatë të anuar nga e majta. Si pasojë e përplasjes me ujin, hetuesit thonë se ushtari Gerald Baramuça ka fluturuar jashtë kabinës së helikopterit duke pësuar thyerje të krahut dhe dëmtime të tjera në trup, pasi nuk ka qenë i lidhur.
Tani pritet të zbardhet se çka brenda kutia e zezë e cila po kontrollohet nga specialistë të teknologjisë. Prokuroria e ka nën hetim ngjarjen dhe pritet që javën e ardhshme të kemi fakte të reja nga hetimi.