Holanda kërkon zyrtarisht në BE pezullimin e vizave për shqiptarët

Parlamenti i Holandës i ka kërkuar sot zyrtarisht Komisionit Europian pezullimin e vizave për Shqipërinë. Kërkesa e Holandës i është dorëzuar sot komisionerit për Sigurinë e Brendshme, Dimitris Avramopoulos.

Ky është rasti i parë kur një vend anëtar i BE, kërkon nxjerrjen e një vendi tjetër nga zona Shengen e lëvizjes së lirë. Nëse kërkesa do të miratohet nga institucionet e BE, gjithë qytetarët shqiptarë do t’a kenë të pamundur që të lëvizin në gjithë vendet e BE.

Në datën 16 prill, në një votim të paprecedentë, parlamenti holandez votoi me 105 vota nga 150 rikthimin e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Për rivendosjen e vizave votuan 9 parti politike në Holandë (Partia Socialiste, PvdD, 50plus, VVD, SGP, CDA, CU, PVV, FVD), nga të cilat 3 parti janë pjesë e qeverisë. Pjesë e votimit ku kërkohej pezullimi i vizave janë dhe partitë e dy ministrave, atij të Jashtëm e atij të Drejtësisë, që më herët patën thënë se Shqipëria i plotëson kriteret e veprimit në Shengen.

Rikthimi i vizave u argumentua, sipas deputetëve holandezë, me nivelin e lartë të krimit në radhët e qytetarëve shqiptarë që vizitojnë këtë vend. Gjithashtu, autoritet holandeze kanë pasur rezerva dhe për bashkëpunimin me Ministrinë e Brendshme të Shqipërinë në luftën kundër krimi dhe trafiqeve.

Një vendim i tillë u shpjegua nga qeveria shqiptare me fushatën për zgjedhjet në BE dhe me faktin se një pjesë e partive në Holandë kërkonin të fitonin pikë në elektorat duke paraqitur një politikë më të ashpër ndaj emigrantëve dhe krimit. Por fakti është se dokumenti i drejtohet KE pas përfundimit të zgjedhjeve për Parlamentin Europian dhe tashmë ka hyrë në axhendën zyrtare të Brukselit.

Më këtë kërkesë nuk mund të flitet më për negociata, por mbetet vetëm të shpresojmë se shqiptarëve nuk do t’u duhen të rikthen edhe një herë në kohë që mbanin radhë para ambasadave.

Arsyet, përse Holanda kërkon rikthimin e regjimit të vizave

Kërkesa e qeverisë holandeze drejtuar Komisionit Europian bazohet në Artikullin 8(2) të rregullores së regjimit pa viza (Shengen) ku thuhet se një shtet antar i BE ka të drejtë të kërkojë pezullimin e vizave për një vend të tretë nëse:

(-) evidentohet një rrezik i rritur i kërcënimit të politikave publike dhe sigurisë së brendshme të shtetit anëtar;

(-) një rritje thelbësore e numrit të shtetasve të një vendi të tretë që u refuzohet hyrja apo gjendet se ata qëndrojnë në shtetin anëtar pa patur të drejtë;

(-) një rritje thelbësore në numrin e aplikuesve për azil nga shtetasit e një vendi të tretë për të cilin nuk ka tregues të rrezikut të lartë.

Përfaqësuesi i Holandës pranë Bashkimit Europian, në kërkesën e bërë në emër të qeverisë holandeze, shton edhe tabelat përkatëse sqaruese si më poshtë:

Numri i shtetsave shqiptarë që kanë qëndruar në Holandë ilegalisht: *

Viti        2009   2010  2011  2012  2013  2014  2015    2016   2017     2018

Numri      75      75      65      100    100    130    155       370     395        945

Burimi: Eurostat, 9 Maj 2019

Numri i shtetasve shqiptarë të cilëve u është refuzuar hyrja në Holandë  

Viti         2009   2010  2011   2012   2013    2014    2015     2016    2017    2018

Numri     15        15      25        50        40        105      185       200      285       245

Burimi: Eurostat, 9 Maj 2019.

Numri i aplikantëve për azil  

Viti         2009    2010   2011   2012    2013     2014     2015     2016   2017    2018

Numri     15         15       20        15         30       85       1005      1665    365     550

Burimi: Eurostat, 9 Maj 2019.

(Në fotot më poshtë, dokumenti i Holandës për KE)

 

SHKARKO APP