Hoyt Brian Yee, zyrtari amerikan që mund të urdhërojë sot Lulzim Bashën

Sot mbërrin në Tiranë zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit.  Ai ka provuar Prishtinën e Shkupin veç e veç në misione të ndara dhe si rezultat ka pasur më pas dy zhvillime: në Kosovë ra qeveria dhe vendi shkoi në zgjedhje, në Shkup u çmontua “revolucioni rus” i Nikolla Gruevskit.

Këtë herë zyrtari i lartë i DASH-it viziton Tiranën në një mision për të vendosur “pikat mbi ‘i’” pas bojkotit të paprecedent të PD-së të zgjedhjeve të 18 qershorit me anë të Republikës së re të shpallur brenda çadrës, ku për më tepër është bojkotuar parlamenti dhe ç’është më e rëndësishme për Uashingtonin, është bllokuar miratimi i vettingut.

Hoyt Brian Yee i përket zyrtarëve veteranë të Departamentit që u rekrutuan në fund të viteve ‘80 nga përbërje etnike të ndryshme, si me prejardhje afroamerikane apo aziatike, që arritën kulmin me emërimin e John Witthers, një afroamerikan, si kreun e Drejtorisë Operacionale.

Njeriu që për ironi të fatit ka tiparet e Lu-së, është një diplomat i Departamentit të Shtetit që e njeh Ballkanin më mirë se askush shkruan te sheshi.

Hoyt Yee e ka filluar “gavetën” në karrierën e tij diplomatike duke punuar me dy “elefantë” të diplomacisë botërore: Havier Solana dhe Richard Holbrooke.

Yee ka qenë asistent i Havier Solanas, kur ky i fundit ishte Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe njëkohësisht ishte asistent i Holbrooke, në kohën kur superdiplomati i ndjerë ndoqi negociatat për të arritur Marrëveshjen e Dayton-it për Bosnjën dhe marrëveshjen me Millosheviçin për të tërhequr ushtrinë e policinë nga Kosova, që më pas përfundoi me bombardimet e vitit 1999.

Hoyt BrianYee, diplomati që vjen të hënën në Tiranë për të tentuar një marrëveshje me Lulzim Bashën dhe që bindi Ivanovin të tërhiqet, ka qenë prezent në të gjithë evenimentet më të rëndësishme ballkanike,  natyrisht në prapaskenë, në një rol më të ulët. Ndërkohë që dhe pas çlirimit të Kosovës, Hoyt Yee, dërgohet në Ballkan për të përgatitur fazën e dytë të operacionit amerikan.

Emërohet si përfaqësues i SHAB në Podgoricë nga viti 2000 deri në 2002, duke përgatiur pavarësinë e më pas anëtarësimin në NATO të këtij vendi Ballkanik.

Studenti i shkëlqyer i Berkley-t të California University, dhe i doktoruar në Georgetown të Uashingtonit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, dërgohet nga shefat e mëdhenj të DASH-it në Afganistan për të ndihmuar qeverinë vendase të rindërtojë vendin pas largimit të talebanëve.

Por përpara se të shkojë në Kabul, Yee futi në CV edhe një eksperiencë të rëndësishme ballkanike për ta mësuar në kompleks rajonin. Ka shërbyer nga 2006-a deri në vitin 2009 si Konsull i Përgjithshëm i SHBA në Selanik.

Në vitin 2010 emërohet sërish në Ballkan, në një vend të NATO-s tashmë si Kroacia dhe aleat i rëndësishëm i SHBA. Nga viti 2010 deri në 2013, Yee punon si Zv.ambasador i SHBA në Zagreb dhe më pas thirret në Uashington ku i jepet detyra e lartë e kreut të Departamentit të Euroazisë, post që e ka pasur një “peshë e rëndë diplomatike” si zonja Victoria Nuland, diplomate me autoritet të rëndësishëm.

Por Yee, ndryshe nga Nuland është një njohës perfekt, i thellë, i gjerë, i të gjitha zhvillimeve në rajon dhe i njeh atorët politik në vendet e Ballkanit, më shumë se xhepat e tij.

Asnjë deklaratë apo truk që shpesh përdoret nga politikanët ballkanikë nuk pi ujë me diplomatin që ka harxhuar 27 vite të karrierës së tij ose duke punuar në këtë territor ose duke punuar për këtë rajon.

Është natyrisht njeriu me kompetent në Departamentin e Shtetit për Ballkanin dhe sipas gjasave fjala e tij ka peshë mjaft të madhe tek Sekretari Rex Tillerson.

Ishte ministri i Donald Trump-it që i kërkoi personalisht Yee-së që të marrë në dorë departamentin e rëndësishëm të Euroazisë pas dorëheqjes se bujshme të Victoria Nuland-it.

Natyrisht e ka emëruar duke i dhënë edhe pushtet të madh. Kjo u pa qartësisht në Shkup, dhe pritet të shikohet qartësisht dhe në Tiranë ditën e hënë.

Sot mbetet dita finale për krizën në Tiranë. Hoyt Brian Yee mund të urdhërojë Lulzim Bashën të futet në zgjedhje. Nëse jo, atëhere Basha merr kartën e zezë amerikane. Por edhe për Edi Ramën ka një porosi amerikani.

SHKARKO APP