Humbëm dy raste goli dhe një penallti
Shqipëri bëri dje debutimin e saj të parë në Kampionatin Europian përballë Zvicrës. Rezultati 0-1 nuk lë shumë vend për diskutim. Ndeshja e parë në një kompeticion si Europiani ka rëndësi jo vetëm për prezantimin, por edhe për rezultatet që priten më pas. Dje e nisëm jo më këmbë të mbarë. Arsyet janë të shumta që lidhen me ekipin tonë, por edhe me arbitrin.
Në minutën e 71’ Ermi Lenjani ishte pranë momentit magjik të golit që do e barazonte rezultatin mes dy skuadrave. Mundësitë për të shënuar ishin të mëdha, por u ndalua nga Lihshtajner me një ndërhyrje të dhunshme. Krejtësisht e dhunshme. Duhej penallti. Ndërhyrja, siç u pa më pas edhe nga filmimet ishte e tillë që duhet t’i jepte Shqipërisë një penallti. Por për gjyqtarin spanjoll Carlos Velasco Carballo ajo që ndodhi nuk ishte e rëndë, madje as për karton ndaj futbollistit zvicerian. Heqja e një mundësie të tillë dukshëm në favorin tonë është ndëshkimi më i madh që arbitri i bëri lojës së kuqezinjve. Vlen të diskutohet edhe dalja më karton të kuq e Lorik Canës. Kapiteni nuk ishte dje në ditën e tij më të mirë. Por nëse kartoni i verdhë që mori në fillim ishte i merituar, kartoni i dytë që e nxori jashtë loje ishte i diskutueshëm. Prekja e topit me dorë ishte e pavullnetshme dhe për më tepër të dy lojtarët ishin rrëzuar në fushë dhe nuk pati pengim aksioni. Gjithësi gjyqtari çmoi se Cana duhet të largohej nga fusha, duke e lënë kombëtaren tonë për më shumë se 60 minuta më 10 lojtarë. Kjo e uli moralin e ekipit.
Por ndeshje nuk kishte vetëm gabime të arbitrit. Mbi të gjitha ishin disa gabime të skuadrës tonë që treguan se ekipi ka ende punë për të qenë kompaktë. Gabimi i parë ishte i portierit Etrit Berisha. Dalja e tij e pamenduar nga zona e portës në minutën e 5 të ndeshjes solli ndëshkimin fatal. Megjithatë, Berisha ishte ylli i ndeshjes së djeshme. Përveç gabimit të parë, shërbimi i tij në portë e shpëtoi skuadrën nga disa gola të tjerë. Nëse nuk do të ishte ajo dalje në minutat e para, Berisha do ishte heroi i ndeshjes me Zvicrën.
Momenti tjetër që ishte i pafalshëm lidhej me sulmi tonë. Skuadra pati jo pak raste për të shënuar, por minuta e 88 ishte ajo që mund të kthente fatin e ndeshjes. Shkëlzen Gashi arriti të shkëputej me topin duke dalë vetëm për vetëm përballë portierit zviceran. Në momentin e fundit nuk arrin të dërgojë topin në rrjet. Një rast i artë që u shpërdorua në mënyrën më të keqe. Duhej të ishte gol !
Është e pashpjegueshme sesi mbrojtja dhe portieri u çorientua në pesë minutat e para. Për trajnerin e kombëtares Gianni De Biasi ndëshkimi i minutave të para ishte faji i emocioneve. Dhe realisht ekipi ynë gjithmonë golat i pëson në minutat e para, ose në minutat e fundit. Kjo ka të bëjë me psikologjinë e skuadrës, presionin e pjesëmarrjes për herë të parë në kampionat. Por gjithsesi lojtarët janë profesionistë dhe duhet të sillen si të tillë.
Gjithësi ndeshja nuk pati vetëm pika të errëta dhe gabime të kombëtares. Ishim me 10 lojtarë që pas minutës së 36 ku dhanë maksimumin dhe dhuruan një ndeshje me emocione. Ajo që duhet vlerësuar ishte pjesa e dytë e ndeshjes. Skuadra tregoi guxim dhe 45 minutat e dyta ishin vetëm në favorin tonë. Loja ishte më e mirë, rastet më të pastra dhe gjithçka foli për ekipin tonë deri në minutat e fundit. Edhe më një lojtar me pak ishim më superior sesa ekipi tjetër. Kjo tregoi se ekipi nuk është rastësisht në Francë 2016. Madje me një lojtar më pak qëndroi denjësisht para një skuadre si Zvicra.
Realisht barazimi do të ishte rezultati më i saktë, por futbolli i ka këto. Tani na pret ndeshja me Francën dhe Rumaninë. Na duhet patjetër një fitore që të ecim me tej. Me Francën? Pak e vështirë ! Duhet me Rumaninë patjetër fitorja. Ndryshe kthehemi në shtëpi.
Një përshtypje të shkëlqyer ka lenë tifozët shqiptarë. Të zjarrtë e të kulturuar i kanë quajtur mediat ndërkombëtare. Dhe ashtu ishin. Gjithsesi dje na nderoi ekipi dhe tifozët. Edhe kaq mjafton pasi hera e parë që shkojmë në një kampionat të tillë mes me të mëdhënjve të Europës.
Spiten Prulli