Hupe, Sali, hupe!
Nga Elisa Spiropali
Ka një gisht që tundet kërcënueshëm prej së paku 57 vjetësh në sy të shqiptarëve. Për çerek shekulli si gishti komunist i sekretarit të partisë dhe për 32 vjetët në vijim si gisht i kryetarit që mbajti grusht partinë e tij. Ky është gishti i Sali Berishës që kërcënon, akuzon, shantazhon e mashtron. Gishti që premton të nxjerrë syrin e të tjerëve në interes të vetullave të tij.
Ka 57 vjet që ky burrë, dikur ekstremist i regjimit dhe tani, regjizor i çdo ekstremizmi në vend që të mirën dhe të ligën, të drejtën dhe të gabuarën, të ndershmen dhe të pavlerën, virtytin dhe moralin e mat vetëm me një kut vetjak: çfarë lidhje kam unë me çfarë bëj unë!
Si kurrë më parë, i rikthyer në krye të një projekti personal dhe për hall personal, Sali Berisha e udhëhoqi partinë e tij në një humbje që do të turpëronte çdo disfatist dhe që e ka bërë çdo disfatë politike të kujtdo tjetër përpara tij të ngjajë si fitore.
Hupe, Sali, hupe!
Shqiptarët të refuzuan nga veriu në jug, nga lindja në perëndim sepse vetëm ti nuk ke kuptuar se shpresa jotë për rilindje është e perënduar njëherë e mirë.
Të rrëzoi Shkodra dhe të mohoi Tirana, të braktisi Tropoja dhe të dha munxët Vlora, të nëmi Elbasani, Durrësi, e Kamza, nuk i dha nam nishanit tënd të humbur Gjirokastra, Lezha, Malësia e Madhe, Korça, Dibra, Berati, Vau i Dejës, e gjetkë, e gjithkund, dhe të refuzuan si kujtim të lig plot 95 për qind e shqiptarëve.
Kishte vetëm një rrugë që të kishte mbetur për të ndjekur Sali Berisha nëse do të të kishte mbetur një fije njerëzillëk, sepse burri thyhet, por nuk përulet. Por ti dhe njëherë si përherë ju përule vesit dhe thirre në apel vesin tënd të vjetër që të mos pranosh çfarë e di gjithë Shqipëria, por të shesësh si realitet dynjanë tënde paralele.
“Me vodhën! Narkoshteti, krimi, makineria shtetërore, aktivistë dhe patronazhistë”, lumi i hershëm i justifikimeve të tua mediokre, tanimë një rrëke edhe më mediokre dhe një përrua psikik që ndjell keqardhje, u derdh sërish në gjithë Shqipërinë për të përmbyer tryezën e rezultateve.
Hupe, Sali, hupe!
Por kjo është humbja jote personale sepse Sarreqi e Perashi, Parruca e Xhabija, Dërguti dhe Dudasi, Zdralja, Rusi, Skënderbeg, Bahçallëku, Gjuhadoli e Ndocej të bënë të derdhesh mendsh në Zall të Kirit.
Ciao e Selam Sali nga Postriba e Guri i Zi, Dajçi, Rrethinat, Bërdica, Ana e Malit, Shala, Shoshi, Pulti, Velipoja! Hi e Selam, Sali nga gjithë Shkodra e shkodranët që i fyeve dhe i poshtërove për herë të fundit.
Ju the të shitur!
Ju the pengje!
Ju the banditë!
Ti, njeriu që ke mbajtur peng Shkodrën për ambicjen tënde dhe për të shitur pushtetin tënd sa më shtrenjtë.
Ne, qeveria, socialistët shqiptarë, Edi Rama si kryetar partie, Benet Beci si kryetar bashkie, unë si drejtuese politike e qarkut të Shkodrës të lemë një takim. Nuk është sfidë. Eshtë ftesë. Jo mbas katër vjetësh, por vetëm mbas 24 muajsh, të vish në Shkodër dhe ta shohësh Zojën Shkodër të zgjuar nga letargjia ku dallkaukllëku, parazitizmi, e padije e qeverisjes suaj e kanë lënë për tre dekada. Nxito të vish se mbas katër vjetësh nuk do ta njohësh Shkodrën nëse nuk je bërë non grata deri atëherë nga njerëzit që i ke mpirë me përrallën e antikomunizmit, ti, komunisti i fundit shqiptar.
Tani ti dhe rrethi yt pa parti, e katandisur si një trumcak në dimër, rrotullohesh në pluhur dhe bën banjo pluhuri për të ngritur furtunën tënde të radhës dhe për t’u hedhur pluhur në sy shqiptarëve për cilësinë e zgjedhjeve. Aferim për energjinë, por as Muli e as Noka e Paloka, nuk të besojnë në çfarë thua, por të ndjekin se nuk kanë çfarë bëjnë dhe sdinë si të ta thonë.
Ti, antifaraoni i ditëve të sotme që ndryshe nga çfarë thotë historia, je i gatshëm të shohësh si varrosen nën piramidën e pushtetit tënd iluzor gjithë ndjekësit që të vijnë pas nga halli dhe malli, idealistë naivë dhe llogaritarë cinikë, atë grusht gjithmonë e më të vogël njerëzish që dëgjojnë, por nuk besojnë marrëzitë e tua.
Mbas meje qameti, ke thënë dikur, por ti je vetë ku thërret qameti.
Humbe, Sali, hupe, por ti nuk ke marre. Ke qenë qederi i këtij vendi për tre dekada dhe ky vend i dha nder vetes që të refuzoi.
Humbe, humbe për turp Sali! Por për ty ky nuk është problem.
Turpi nuk bën konak tek ty.
Shëndet Sali! Mos harro të shijosh perëndimin e diellit, edhe pse nuk e meriton bukurinën e saj, mund të vish të çplodhesh në Bunë.