I gjithë Ballkani drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamnetare!
E konfirmuar mbetet se pas Serbisë dhe Maqedonisë, pritet që edhe Kosova sivjet të shkojë në zgjedhje. Edhe pse kryeministri Isa Mustafa ka përsëritur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe se Qeveria nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje, analistët kosovarë thonë se kriza politike në Kosovë dhe këmbëngulja e opozitës së bashkuar kanë rritur shumë gjasat për zgjedhje të parakohshme
Kosova pritet që të jetë shteti i tretë ballkanik që mund të mbajë zgjedhje të parakohshme brenda vitit 2016 për shkak të krizës politike në vend, pas Maqedonisë dhe Serbisë. Në Maqedoni tashmë është konfirmuar 24 prilli për zgjedhje të parakohshme, kurse të dielën edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, doli me deklaratë se tashmë ka vendosur që ta dërgojë Serbinë në zgjedhje. Edhe pse kryeministri Isa Mustafa ka përsëritur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe se Qeveria nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje, analistët kosovarë thonë se kriza politike në Kosovë dhe këmbëngulja e opozitës së bashkuar kanë rritur shumë gjasat për zgjedhje të mundshme të parakohshme.
Analisti kosovar, Imer Mushkolaj, duke folur për krizën politike i ka thënë “Zërit” se tani e rëndësishme ka mbetur vetëm gjetja e një mënyre se si të shkohet në zgjedhje pasi që, sipas tij, ato do të jenë të pashmangshme. “Unë besoj se vetëm do ta zgjasë kjo çështja e përpjekjeve që ta zgjidhin çështjen pa shkuar në zgjedhje, ndryshe zgjedhje do të ketë”, ka thënë Mushkolaj, i cili më pas ka shtuar se pikërisht paralajmërimi i zgjedhjeve në Serbi do të ndikojë edhe më shumë tani në Kosovë. “Ne sot e pamë se edhe Serbia ka paralajmëruar zgjedhje të parakohshme dhe pavarësisht se dikush mund të mos e bëjë ndonjë lidhje direkte ose të tërthortë, unë mendoj se kjo do të ndikojë edhe te ne, sidomos sa i përket dialogut”, ka thënë Mushkolaj.
Por duket se dhe në Shqiperi po shkohet drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në këtë fund pranvere. Fakti që zihen PS dhe LSI e nuk ka pakt të sinqertë mes tyre, por luftë për të çuar në burg njeri tjetrin, shton shanset drejt zgjedhjeve me një qeveri teknike.