Ikën Bushati pro europian, vjen ministri pro paktit “Thaçi-Vuciç”

Mes shumë ndryshimeve të bëra sot në kabinetin “Rama” bie në sy lëvizja e beftë e Ministrit për Europën dhe Punën e Jashtme, Ditmir Bushati. Në gjithë qeveritë normale, ministria e Jashtme është ajo që preket më pak nga ndryshimet politike dhe rokadat në qeverisje. Arsyeja është e thjeshtë, Ministri i Jashtëm është kontakti i parë i gjithë institucioneve ndërkombëtarë dhe partnerëve sa herë që duan të komunikojnë më Qeverinë. Ndryshimet e shpeshta në këtë ministri vetëm sa prishin lidhjet, raportet institucionale ndërshtetërore, si dhe dëmtojnë dhe marrëdhëniet personale që diplomatët e karrierës ndërtojnë, brenda rregullave, me homologët e tyre në BE, SHBA, apo në çdo vend tjetër. Një ministri të ri zakonisht i duhen 1-2 vite që të takojë, të zhvillojë vizita private dhe zyrtare, të prezantohet dhe njihet me homologët e vendeve të tjera, si dhe me drejtuesit e institucioneve ndërkombëtarë. Sidomos për vende të vogla si Shqipëria pa shumë burime financiare për diplomacinë dhe pa shumë peshë në arën ndërkombëtare, ndryshimi i shpeshtë i krerëve të diplomacisë vetëm sa tregon mungesë serioziteti.

Ndaj dhe largimi i sotëm i Ditmir Bushatit duket nga ato vendime që nuk justifikon as kritere diplomatike të interesit të vendit dhe as kriteret politike. Një ministër i Jashtëm largohet nga detyra kur nuk realizon projektet qeverisëse, kur ka skandale të mëdha që e bëjnë të domosdoshëm largimin e tij, ose kur ka një ndryshim të fortë të linjës së diplomacisë së një vendi.

Ditmir Bushati në këto vite është ministri që në asnjë rast nuk është akuzuar për abuzime apo keqpërdorim të postit. Përkundrazi, në 6 vite ka krijuar profilin e një diplomacie të re zyrtare dhe të matur, edhe pse ndërhyrjet e Edi Ramës me “Twitter-a” dhe me deklarata të pa menduara mirë kanë krijuar jo pak probleme për diplomacinë zyrtare të vendit. Gjithashtu nuk mund të futet te ministrat që ka punuar më pak, përkundrazi ka në proces marrëveshjen me Greqinë dhe si shumë projekte të tjera. Ndaj nuk dihen motivet mbi të cilat Edi Rama ka vendosur të shkarkojë Ministrin Bushati.

Hamendësimet mbi motivet e shkarkimit të tij mund të bëhen vetëm duke pare profilin e ministrit të ri të Jashtëm. Gent Cakaj është një prurje e re jo vetëm në kabinetin “Rama” por edhe në politikën shqiptare. Deri më sot ka mbajtur detyrën e zv/ministrit të Jashtëm, ndërsa më herët ka qenë këshilltar i Kryeministrit Edi Rama për politikën e Jashtme. Përvoja e tij lidhet më shumë në Kosovë ku dhe ka lindur. Në Shqipëri, Cakaj është i njohur për kryesisht në debatet televizive ku ka marrë pjesë si Këshilltar i Edi Ramës, për të folur për politikën e jashtme në emër të kreut të qeverisë. Bie në sy se në të gjitha daljet mediatike, Cakaj ka folur për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Në emisionet e “Klan Kosova” të drejtuara nga Baton Haxhiu dhe në emisionet në Tiranë, Cakaj është renditur mes zyrtarëve të Shqipërisë që nuk e ka përjashtuar mundësinë e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, e cila përfshin edhe “ndarjen e kufijve”, me sakte copetimin e Kosoves.

Në një intervistë dhënë më 3 maj 2018, në emisionin e Baton Haxhiut në “Klan Kosova”, Cakaj flet për herë të parë “për marrëveshje të tjera mes Kosovës dhe Serbisë, veç asosacionit të Komunave”. Në këtë kohë, muaji Maj, Presidenti Hashim Thaçi ende nuk kish dalë zyrtarisht me idenë e korrigjimit të kufijve. Pra, Këshilltari i Edi Ramës tashmë ministër i Jashtëm i Shqipërisë, jo vetëm mbështet idenë e kufijve, por bën pjesë të njerëzit që ka pasur dijeni për negociata sekrete për territorin e Kosovës shumë kohë më parë sesa tema të diskutohej në publik. Ndërkohë Ministria e Jashtme dhe vet Ditmir Bushati, në këto muaj të debatit me kufij, ka qenë kategorikisht kundër një projekti që nënkupton ndryshim kufijsh dhe dhënie territori të Kosovës ne interes te Serbisë.

Sot Edi Rama ka vendosur ministër një diplomat që qartazi është pozicionuar në favor të marrëveshjes për ndarjen e Kosovës dhe më media është vetëprezantuar si “avokat” i paktit “Thaçi-Vuçiç”. Ndërkohë nga qeveria u hoq Ditmir Bushati, një diplomat karriere që në mënyrë të qartë dhe duke ruajtur interesat shtetërore dhe kombëtare ka qenë kundër një pakti të tillë të dëmshëm për Kosovën dhe për Shqipërinë.

Mesohet se Ditmir Bushati nuk e ka pritur aspak mire shkarkimin.

SHKARKO APP