Ikën Koço Kokëdhima si deputet. Gjykata Kushtetuese e “palosi” pa frikë
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=n77b_t_Gsv4″ width=”560″ height=”315″]
Gjykata Kushetuese ka vendosur t’i heqë mandatin e deputetit Koço Kokëdhimës. Burime lapsiane mësojnë se vendimi është marrë pak minuta më parë.
Parlamenti e dorëzoi kërkesën për papajtueshmërinë ose jo të mandatit të Kokëdhimës pasi Gjykata Kushtetuese e detyroi. Fillimisht mazhoranca e refuzoi kërkesën e opozitës për ta çuar mandatin e Kokëdhimës në Kushtetuese. Por më pas opozita e ankimoi në këtë Gjykatë dhe ajo i dha të drejtë. Opozita e akuzoi Kokëdhimën se ka marrë para publike në të paktën 150 raste me kompaninë Abissnet pasi ishte bërë deputet. Nuk dihet nëse Kokëdhima do t’i humbasë të gjitha funksionet që gëzon edhe në parti si deputet.
Deputeti i Vlorës duket se i ka paraprirë këtij vendimi, pasi në Kongresin e PS ndryshe nga të gjithë deputetët e tjerë, ai nuk pranoi të zgjidhej automatikisht në kryesi, por iu nënshtrua një procesi votimi.
Më në fund Kushtetuesja vendosi, larg presioneve politike dhe shantazhit qeveritar, t’i heqë mandatin e deputetit Koço Kokëdhimës.
Pas heqjes së mandatit të deputetit Koço Kokëdhima, mandati i tij mund t’i kalojë Edmond Lekës. Gjykata Kushtetuese vendosi sot t’i heqë mandatin e deputetit të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima pasi akuzohej për përfitim fondesh shtetërore edhe pasi mori mandatin e deputetit. Në listën e Vlorës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 në radhë vjen Edmond Leka, ish- kryetari i PS-së së Vlorës që pak kohë më parë mori postin e Drejtorit të Portit të Durrësit.
LISTA E EMRAVE QARKU VLORË
EDI RAMA
VALENTINA LESKAJ
KOÇO KOKËDHIMA
LUIZA XHUVANI
FATMIR TOÇI
ANDREA MARTO
EDMOND LEKA
SHUAIP BEQIRI
MIRA SHEHU
SHEME LULO
SOKOL BANA
GENCI KOJDHELI
NEIME GJIKA
NORETA KALCUNI
INES STASA.
VENDIMI I GJYKATES KUSHTETUESE
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në datën 09.05.2016 shqyrtoi çështjen me palë:
Kërkues: Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
Subjekt i interesuar: Deputeti Koço Kokëdhima
Objekt: Konstatimi i papajtueshmërisë me mandatin të deputetit Koço Kokëdhima.
Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e ngritura nga kërkuesi si dhe prapësimet e paraqitura nga subjekti i interesuar, në mbështetje të nenit 131/e të Kushtetutës, si dhe të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”,
VENDOSI:
Konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Koço Kokëdhima.
Fjalët e para të Kokëdhimës pas heqjes së mandatit dhe kush e zëvendëson
Në një reagim pasi u mësua vendimi për heqjen e mandatit nga Gjykata Kushtetuese, deputeti socialist Koço Kokëdhima tha: “Unë nuk kam asnjë informacion. Kur ta mësoj do të jap një deklaratë për shtyp.”
Ndërkohë sipas listës emërore të deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 2013, pritet që Edmond Leka të ulet në karrigen e deputetit Kokëdhima.
Vetë Kokëdhima është shprehur se si deputet nuk ka asnjë konflikt interesi, pasi para se të merrte mandatin ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në kompanitë e tij.
“Përpara se të bëhesha deputet dhashë dorëheqjen nga çdo funksion tjetër, siç përcaktohet në ligj. Më 31 korrik të vitit 2013 jam larguar nga të gjitha detyrat si administrator i kompanisë “Abissnet”, ose si drejtor apo administrator i kompanive të tjera. Jam larguar gjithashtu nga çdo pjesëmarrje nga këshillat mbikëqyrëse. Unë kam qenë pjesëmarrës në shumë kompani dhe këtë dorëheqje e kam bërë të plotë nga të gjitha funksionet pa asnjë përjashtim, duke mbajtur vetëm funksionin e deputetit të Parlamentit të Shqipërisë”, është shprehur Kokëdhima në seancën e 20 prillit në Gjykatën Kushtetuese.
Ja si kanë votuar gjyqtarët e Kushtetueses:
Edhe pse nuk është zbardhur i plotë vendimi i Gjyatës Kushtetuese për heqjen e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima, tregohet se 8 anëtarë të kësaj gjykatë kanë votuar pro heqjes.
Kundër ka qenë vetëm gjyqtari Sokol Berberi, i cili njihet si njeri i afërt i Fatmir Xhafës, kreut të Komisionit të Ligjeve.
Deri më tani ish-deputeti Kokëdhima nuk ka bërë asnjë reagim publik për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kreu i PD-së Lulzim Basha e ka cilësuar si një triumf të drejtësisë në Ditën e Europës. Vendin e Kokëdhimës në
Kuvend pritet ta zërë biznesmeni Edmond Leka, kreu i PS-së në Vlorë.
Ikën Koço, vjen Edmond Leka
“Triumf i ligjit dhe i drejtësisë” kështu e komentin kreu i PD, Lulzim Basha vendimin e Gjykatës Kushtetuese për heqjen e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima. Në një reagim në rrjetin social FB, Basha shkruan se Ky është vendim drejtësie në Ditën e Europës.
Basha në FB: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për heqjen e mandatit të Koço Kokëdhimës është një triumf i ligjit dhe i drejtësisë, edhe pse paligjshmëria dhe zullumi i oligarkëve është i pamatë e i pafund, e nuk mbaron me të dekretuarin prej Ramës si kryeministri i Jugut.
Megjithatë, kjo është një betejë e fituar e Kushtetutës me shkelësin e saj, e ligjit me abuzuesin, e Partisë Demokratike me oligarkun, e qytetarëve me hajdutin.
Ky është vendim drejtësie në Ditën e Europës.
Nga Bledi Mane: Ia hoqët mandatin? Tani hiqjani edhe brekët Koços !
Nga Bledi Mane.
Zhvisheni, zhvisheni jo vetëm politikisht. Zhvisheni dhe lereni pa mandat e pa brekë. Transparencë sipërmarrjeve të tija, transparencë ndërtimeve të tij, transparencë mediumeve të tija, transparencë dallavereve të tija, llogarive të tija.
Shëmtoi bregdetin shqiptar, shëmtoi gazetarinë shqiptare, shkatëroi strukturat e partisë socialiste, degjeneroi 3 qarqe në jug të vendit, mashtroi qindra e mijëra hallexhinj idealistë dhe ende qëndron në këmbë.
Zhvisheni dhe bëjani transparencën këtij burri që nisi flirtimet me Enver Hoxhën dhe po i vazhdon me Edi Ramën. Pritjani lidhjet e shkurtra politike dhe oligarkike.
Pavarësisht se sot mori goditje të rëndë po përgatitet të hakmerret duke hapur televizionin e lajmeve “A1” për të gjobitur e për të linçuar kundërshtarët e tij e ndërkohë ka marrë garanci nga Edi Rama se mot në qershor do të jetë sërish i dyti në listën e deputeteëve të qarkut Vlorë.
Kolegë të nderuar gazetarë u bëj thirrje të mos punoni më me Koçon se do mbeteni pa bukë siç u la rrugëve këto 18 vjet!
Socialistë të dërmuar nga pushteti u bëj thirrje të ngrini zërin e ti tregoni Edi Ramës se ka nevojë për dashuri të re. 15 vjet flirt me Koçon dhe ky i fundit nuk mbeti shtatzënë…
Koçon e njohëm tani, Koçon e kemi porsi “Lepurushja” por me një ndryshim të vogël. I ka 2 mijë euro por nuk e pret bibilushin jo se ka frikë nga dhimbjet por ka frikë të shpenzojë paratë e tij.
Ky që nuk kujdeset as për veten si mund të kujdeset për partinë, për rilindjen, për bashkinë, për prefekturën, për parlamentin, për qeverinë, për fitoren e zgjedhjeve mot??? (Tema)
Koço iku, rroftë Koço!
Nga Andi Bushati.
Në pamje të parë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për të larguar nga parlamenti deputetin e Jugut, Koço Kokëdhima është një ngjarje për të thëritur: “Fitore”.
Në kushte normale ajo do të tregonte se jetojmë në një Republikë ku drejtësia është e pa ndikuar nga politika. Kur për shkak të ligjit, viktimë mund të bëhet edhe një nga deputetët simbole të shumicës, madje edhe miku më i ngushtë i kryeministrit, me të cilin ai ka shpallur se do të kalojë ditët e pleqërisë.
Ku mjafton edhe një shkelje e vogël “2 milionë lekë të vjetra të fituara vetëm pak orë përpara se Kokëdhima të merrte mandatin), për të treguar se edhe deputetët janë njësoj si të tjerët, të barabartë përpara ligjit.
Me këtë retorikë mund të vazhdohej shumë më gjatë. Dikush mund të flasë për hapa galopantë të bërë që nga koha e Berishës, kur gjykatat as e shkonin nëpër mend të penalizonin të mbrojturit prej tij. Dikush tjetër mund të përmendë efektet pozitive që ka krijuar klima rreth reformës në drejtësi. Dhe disa më entuziastë mund të shpresojnë se më në fund po perëndon koha e të paprekshmëve.
Por, fatkeqësisht nuk është kështu.
Koha nuk është për të thëritur fitore.
Sepse rasti Kokëdhima është një përjashtim, jo një rregull.
Vërtet ai u penalizua nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por kjo trupë nuk mund të vepronte ndryshe. E njëjta gjykatë, në kohën kur ishte në opozitë, pati marrë një vendim identik për Ilir Beqen dhe nuk mund të përdorte këtë herë një standart të ndryshëm.
Prandaj, duke parë pamundësinë e gjykatësve kushtetuesë për ta mbrojtur Kokëdhimën mirë është të shohim se çfarë ndodhi në mjedisin rreth tyre. Mirë është të përpiqemi të kuptojmë si si u soll politika me një njeri që dyshohej për shkelje të ligjit themeltar të shtetit.
Fillimisht, shumica në parlament nuk pranoi ta çonte për gjykim rastin Kokëdhima. Ajo bëri gjithshka, në shkelje të ligjit për ta penguar këtë proces. U desh një tjetër demarsh i opozitës pranë gjykatës kushtetuese dhe një tjetër vendim i kësaj të fundit, për të mbërritur tek procesi që përfundoi këtë 9 maj.
Skema që u përdor në parlament u përsërit në mënyrë identike edhe në kongresin e PS-së. Kokëdhima, i cili dihej se do të penalizohej nga gjykata, u trajtua ndryshe nga të gjithë deputetët e tjerë. Ai qe i vetmi që pati luksin të votohej nga delegatët e forumit më të lartë të PS-së, duke pasur kështu privilegjin për të ruajtur postet drejtuese në parti edhe pas largimit nga kuvendi.
Po pse ndodhi kështu?
Pse socialistët bënë çështë e mundur për të anashkaluar ligjin në parlament dhe për ta shkelur atë brenda partisë së tyre ?
Kjo pyetje nuk mund të marrë shpjegim vetëm me arsyen simpliste të të qenit miku dhe guruja i Ramës.
Ajo shkon përtej kësaj. Sepse Koço është një simbol.
Është simboli i atij hotelit të paprishur të bregdetit që u bë stimul i mëpasshëm edhe për botues të tjerë. Është simbol i përfitimit nga paratë publike, që nxiti grykësinë disa fish më të madhe edhe të rilindasve të tjerë. Eshtë simbol i emërimeve partiake në administratë, që tani dokumentohen në dhjetra lista.
Prandaj dita e largimit të tij nga palamenti, nuk është as një ditë e gëzuar, as një ditë që ngjall shpresë. Sepse për të mbëritur tek kjo ditë, kur Koço do të ikte, na u desh të shihnin për një kohë të gjatë, turmën e socialistave të thërrisnin: “Rroftë Koço”.
“Zeri i Amerikes” për vendimin e Gjykatës Kushtetuese:
Sot vendimi nga Gjykata Kushtetuese. Deputeti socialist u akuzua nga opozita se kishte përfituar fonde publike ndërkohë që kishte marrë mandatin si anëtar i parlamentit
Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese ka vendosur sot në favor të kërkesës së opozitës për heqjen e mandatit të deputetit socialist Koço Kokëdhima, për shkak se ka përfituar fonde publike në kohën kur kishte marrë mandatin.
Që prej më shumë se një viti, rasti i deputetit Kokëdhima, ka qenë pjesë e debateve të gjata, të shoqëruara dhe me vendime drastike të opozitës, e cila pak muaj më parë nuk pranoi të merrte pjesë në punimet e parlamentit, pa kaluar më parë në Gjykatën Kushtetuese shqyrtimi i mandatit të deputetit socialist.
Deputeti Kokëdhima, i njohur vecanërisht për lidhjet e tij të ngushta me kryeministrin Edi Rama, i cili e përfshiu atë në listën e deputetëve të partisë së tij në zgjedhjet e 2013, është akuzuar prej kohësh nga opozita se ka përfituar fonde publike në konflikt interesi me mandatin e tij parlamentar. Sipas opozitës, ndërkohë që ai kishte marrë mandatin, një kompani internet që ai ka patur në zotërim, ka lidhur kontrata me një numër të madh entesh publike. Por zoti Kokëdhima, ka mbrojtur gjatë gjithë kohës tezën se kontrata për të cilat akuzohet janë lidhur para se ai të merrte mandatin, dhe se pas kësaj ai ka hequr dorë nga aksionet e tij në këtë kompani dhe të tjera të zotëruara prej tij.
Një kërkesë e hershme e opozitës për ndërprerjen e mandatit të tij, u rrëzua nga parlamenti, Prillin e kaluar, gjë e cila bëri që opozita t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit vendosi që rastet e konfliktit të interesit do të duhet të shqyrtohen në themel prej saj dhe se roli i parlamentit mbetej thjesht formal kur kishte një kërkesë prej së paku një të dhjetën e deputetëve. Ky vendim bëri që parlamenti të shqyrtonte sërish rastin e zotit Kokëdhima, dhe t’i drejtohej Gjykatës që të vendoste mbi fatin e mandatit të deputetit socialist.
“Tani do jem më afër jush”- SMS-ja e Koços për bashkëpunëtorët në rajonin e jugut
Ndonëse deri më tani nuk ka një reagim publik nga Koço Kokëdhima pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për t’i hequr mandatin, ish-deputeti i qarkut të Vlorës ka komunikuar me vartësit e tij në rajonin e jugut, ku ai është gjithashtu edhe koordinator i PS-së.
Burimet thonë se Kokëdhima u ka nisur një mesazh bashkëpunëtorëve të tij, ku i kërkon që të mos shqetësohen nga vendimi i Kushtetueses.
“Mos u shqetësoni! Tani do të jem më afër jush”, thuhet në mesazhin e Kokëdhimës.
Ish-deputeti i Vlorës kishte një pushtet gati absolut në jug të vendit, sidomos pasi kryetari i PS-së, Edi Rama e caktoi atë koordinator të qarqeve Vlorë e Gjirokastër. Në jo pak raste pushteti i Kokëdhimës ishte kthyer në shqetësim dhe besdisje për zyrtarët lokalë të PS-së dhe deputetët socialistë të jugut.
Mesazhi i Kokëdhimës në orët e darkës pas heqjes së mandatit
Për miqtë dhe mbështetësit
Sot Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin e kërkesës së PD për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit tim të Deputetit. Nuk do të bëj asnjë koment rreth vlerësimeve tona për integritetin e Gjykatës, profesionalizmin apo për influencimin e saj në këtë proces tërësisht politik, qysh në nisjen e tij 2 vjet më parë. Do te presim vendimin e arsyetuar, për të kuptuar më mirë dhe plotësisht natyrën e këtij gjykimi. Në këto orë, kam marrë qindra mesazhe nga të gjitha anët e Shqipërisë, por veçanërisht nga socialistët e bazës dhe mbështetësit e Partisë Socialiste, nga miqtë dhe të njohurit e mi. I falenderoj nga zemra për solidaritetin e treguar. Me apo pa mandat Deputeti, unë do të punoj pa u reshtur për Ju dhe për një Shqipëri më të mire. Gjithe jetën time kam punuar me pasion për nje jetë më të mirë jo vetëm për familjen time. Rruga ime në politikë nuk mbaron këtu. Ajo është vetëm në fillimet e saj.
Koço Kokëdhima
Poezi satirike pas humbjes së mandatit nga Koço
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për heqjen e mandatit të Kokëdhimës në rrjet kanë nisur të qarkullojnë dhe vargjet tipike vlonjat për deputetin e Jugut.
***
Moj Piqeras e Himarë,
Kishe një levend të parë
Koçon që e bënë firarë
Nuk i lanë llaf pa e sharë.
O qarku i Vlorës me vulë
Ç’e bëre Koço Hajdunë
Kushtetusja i vu drunë
I tha, ik, se s’je për punë
Gjirokastër e Sarandë,
Naft’ e Ballshit dhe Himarë,
Koçua atje do vijë prapë
Siç ishte, do jetë i parë!
Marrë nga Maçoku i Zi