Ikin ministrat, plas sherri në bazën e PS. Për herë të parë ministër i jashtëm, një i jashtëm!!

-E verteta e largimeve masive lidhet me SPAK-un. Tashmë Edi Rama ua hodhi në oborrin e prokurorëve krejt shpurën e ministrave, duke iu thënë se “Ja ku keni boll “mish” nga PS-ja dhe mos u merrni me mua!”.

-Nëse Ditmir Bushati dhe Damian Gjiknuri nuk do të iknin kur protestuesit ti afrohen zyrave të qeverisë gjatë vitit 2019, këta që kanë ardhur si ministra, sapo të shikojnë apo dëgjojnë të shtënën e parë në bulevard i ke duke ikur pas kryeministrisë dhe e mbajën hapin në malin e Dajtit. Përjashtuar Erion Braçen, por edhe hapi i tij nuk duket se bën punë për qeverinë e re.

Edi Rama bëri dje ndryshimet më të mëdha në kabinetin qeveritar që prej kohës që ka marrë detyrën e kryeministrit. Me lëvizjen e 7 ministrave dhe zëvendëskryeministrit, Rama ka lënë të habitur jo vetëm njerëzit me të cilët ka punuar 6 vite në kabinet, por edhe PS-në dhe të tjerë që prisnin të tjera zhvillime nga kampi qeveritar. Konkretisht zëvendëskryeministrja Senida Mesi u zëvendësua nga deputeti socialist Erion Braҫe. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj u zëvendësua nga Anila Denaj. Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati u zëvendësua nga Genci Cakaj, aktualisht zëvendësministër i jashtëm. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri do të zëvendësohet nga Belinda Balluku, ish-Drejtore e Aviacionit Civil. Vendin e Niko Peleshit si Ministër i Bujqësisë dhe i Zhvillimit Rural do ta mbajë deputeti socialist Blendi Çuҫi, ish-ministër Shteti për Çështjet Vendore. Ministrja e Sipërmarrjes dhe Biznesit Sonila Qato do të zëvendësohet nga ish-Ministri i Pushtetit Lokal, deputeti socialist Eduard Shalësi. Ndërsa ministrja e Arsimit Lindita Nikolla zëvendësohet nga Besa Shahini, aktualisht zëvendësministre e Arsimit, kurse Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës zëvendësohet nga Elva Margariti.

Këto ndryshime janë më të mëdhatë që janë bërë ndonjë herë në kabinetin qeveritar dhe praktikisht nga opozita e media u interpretuan si një “rrëzim i qeverisë Rama”. Edhe pse prej një jave ndërrimet e ministrave ishin paralajmëruar, askush nuk priste që Edi Rama të ndërhynte me dorë kaq të fortë duke larguar gjithë bashkëpunëtorët e tij më të afërt në qeverisje, si dhe figurat me të cilat identifikohet sot PS-ja. Ai largoji praktikisht krejt ministrat që i dhanë fitoren PS-së në disa palë zgjedhje.

Kryeministri Rama dha një sërë shpjegimesh në fjalën e tij të gjatë në Asamblenë e Partisë Socialiste, por ajo që ra në sy ishte se nuk kritikoi asnjë ministër. Sipas kreut të qeverisë, ministrat kanë punuar mirë, por po shkarkohen për t’u marrë më shumë me punët e partisë. Është një lojë fjalësh që ngado që ta kapësh çalon. Nëse një ministër ka punuar shumë mirë, siç thotë kryeministri, atëherë përse duhet të shkarkohet? Nëse këta që punojnë mirë shkarkohen më ceremoni si ajo që ndodhi dje, po me ata që nuk punojnë dhe kanë akuza për korrupsion dhe abuzime çfarë ndodhë?

Veç motiveve të largimit, të cilat opinioni publik i ka të qarta për një pjesë të ministrave që janë akuzuar nga opozita, kryeministri nuk tregoi se cilat janë kriteret mbi të cilat u zgjodhën ministrat e rinj të kabinetit “Rama”. Mes shumë emrave që meritonin më kohë të ishin ministra spikat ai i Erion Braçes. Një socialist tashmë i vjetër me popullaritet në bazën e partisë dhe në opinionin publik që duket se do të jetë njeriu që do t’i hapë më shumë telashe Edi Ramës në qeveri për reformat dhe koncesionet. Braçe shumë shpejt, me krizat e reja politike që do kaplojnë mazhorancën, mund të kërkojë të jetë ai kryeministri.

Po ashtu, mes emrave të rinj që ka zgjedhur kryeministri bie në sy Ministrja e Financave, Anila Denaj. Një emër i njohur në fushën ekonomike dhe me përvojë të gjatë në sistemin bankar dhe media, Denaj duket si zgjedhje e përkryer për t’ja kaluar buxhetin një profesionisteje të lartë të fushës. Për pjesën tjetër të emërimeve në qeveri opinioni ka më shumë pikëpyetje dhe paqartësi sesa miratim të përzgjedhjeve të Edi Ramës. Duke përjashtuar ndonjë deputet, gjithë emërimet e tjera të kryeministrit duken si kalim i administratës personale nga zyrat në karrigen e ministres. Pavarësisht akuzave ndaj emrave si Niko Peleshi, Damian Gjiknuri, Ditmir Bushati dhe Arben Ahmetaj, si ministra ata ishin përfaqësues të spikatur të Partisë Socialiste dhe më kontribute në fushatat elektorale të PS. Ky kriter duket se është shkelur më të dyja këmbët në përzgjedhjen e emrave të rinj. Me ndonjë përjashtim të rrallë, lista e ministrave dhe ministreve të reja është anonime për elektoratin socialist. Dhe nuk kanë asnjë lidhje me PS-në. Zakonisht në përzgjedhjen e ministrave ka dy kritere të përbotshme. Ose duhet të jetë një njeri polik me ndikim në strukturat e partisë apo elektorat, ose duhet të jetë një personalitet publik që ka shkëlqyer në fushën e tij. Nëse shesh listën e re të Ramës nuk gjen as politikanë të mirëfilltë dhe çka është më e keqja as intelektualë dhe njerëz që kanë reputacion në opinionin publik. Në këtë listë, më shumë në sy bie zëvendësimi i një politikani dhe diplomati ku është investuar shumë vite si Ditmir Bushati, me një 28-vjeçar, mosha dhe përvoja e të cilit bënë kontrast të fortë me detyrën e rëndë që i ka ngarkuar Edi Rama. Ministri i ri jashtëm ka pothuaj një vit që ka marrë nënshtetsinë shqiptare.

Shumë nga lëvizjet e djeshme të Edi Ramës nuk shpjegohen me logjikë partiake, pasi nuk ka mjaftueshëm socialistë dhe as me logjikë qeverisëse, pasi shumica janë pa përvojë dhe pa kontribute. I vetmi kriter që ka ndjekur kreu i qeverisë është të fitojë kohë dhe siç tha vet “të mendojmë për mandatin e tretë”.  Ndryshimet në qeveri nuk erdhën as për dëshirë të Edi Ramës, por si pasojë e protestave dhe një lëvizje shoqërore që nisën studentët. Situata që krijuan studentët dhe opozita në muajin dhjetor e vunë Edi Ramën në pozitën më të vështirë që nga fillimi i mandatit të tij. Ndaj dhe rokada që bëri dje në qeveri më shumë se gjithë arsyet e tjera pasqyron terrenin e paqëndrueshëm ku është futur qeveria dhe klima politike në vend.

Nëse kreu i qeverisë bëri gjithë gjullurdinë qeverisëse që me disa “koka” ministrash të frenojë protestat, duhet thënë se studentët e kanë dhënë që dje përgjigjen duke refuzuar jo vetëm Paktën për Universitetin, por edhe emrin e ministres së re. Ndërsa protestave tashmë u janë shtuar dhe emigrantët që po ashtu kanë një listë me kërkesa ndaj qeverisë. Në janar protestat e studentëve, emigrantëve dhe sigurisht opozitës pritet të krijojnë një situatë shpërthyese, që kabineti i ri i Ramës, i pa sprovuar dhe me drejtoresha apolike do t’a ketë të vështirë ti mbijetojë.

Nëse Ditmir Bushati dhe Damian Gjiknuri nuk do të iknin kur protestuesit ti afrohen zyrave të qeverisë gjatë vitit 2019, këta që kanë ardhur si ministra, sapo të shikojnë apo dëgjojnë të shtënën e parë në bulevard i ke duke ikur pas kryeministrisë dhe e mbajën hapin në malin e Dajtit. Përjashtuar Erion Braçen, por edhe hapi i tij nuk duket se bën punë për qeverinë e re.

E verteta e largimeve masive lidhet me SPAK-un. Tashmë Edi Rama ua hodhi në oborrin e prokurorëve krejt shpurën e ministrave, duke iu thënë se “Ja ku keni boll “mish” nga PS-ja dhe mos u merrni me mua!”.

Por do mbetet në histori që për herë të parë një ministër i jashtëm është i jashtëm!

Qamil Xhani

 

 

SHKARKO APP