Ilir Alimehmeti mori 17500 vota, por jo deputet. Berisha: Ai është një intelektual me pëlqyeshmeri të lartë, gati për bashkinë e Tiranës
Një nga “krimet” e mëdha zgjedhore për PD mbetet se nuk arriti të fuste në parlament mjekun Ilir Alimehmeti. Ai u votua me 17 mijë e 500 vota, por vetë forca politike demokrate nuk mori me shumë se një mandat deputeti nga lista e hapur.
Lideri i PD-së Sali Berisha vlerësoi figurën e Ilir Alimehmetit, një nga kandidatët e PD-së në zgjedhjet e 11 majit i cili në zgjedhjet e 11 majit vërtetoi se ishte veprimtar shumë i respektuar dhe i çmuar.
“E vërteta është se nuk e humbi fare. Ai është një luftëtar i çmuar dhe i shquar i PD-së dhe tregoi shkallën e lartë të pëlqyeshmërisë që kanë qytetarët për të.
Natyrisht listat mund të ishin në disa lloje, por fakti që ai mblodhi ato vota, dëshmoi se ai është një veprimtar shumë i respektuar dhe i çmuar.
Unë nuk besoj se vetëm parlamenti është përfaqësim, një parti ka shumë përfaqësime.
Shumë mirë që e morët zotin Ilir shembull.
Vërtet ai është një intelektual me pëlqyeshmëri të lartë dhe reputacion shumë të mirë”- theksoi Berisha.
Ilir Alimehmeti nuk arriti të merrte mandat edhe pse mori 17 mijë e 500 vota në listën e hapur të Partisë Demokratike për qarkun e Tiranës, pasi PD mori 13 mandate, dhe në listën e hapur arriti të merrte mandate vetëm Jorida Tabaku e cila mori mbi 20 mijë vota.
Burime të mirëinformuara thanë se mjeku i njohur Ilir Alimehmeti do të jetë kandidat për kryebashkiak i Tiranës, si në rastin e zgjedhjeve të parakohshme vendore, nëse Rama vendos, ashtu edhe në zgjedhjet e radhës në vitin 2027.
