Ilir Meta: Ç’fitojmë nga Referendumi kur mund të gjendet konsensusi me PD
Pyetje nga gazetarët për Ilir Metën
Mundësinë e një referendumi për Reformën në rast se nuk arrihet konsensusi, e konfirmoni, e mbështesni që ta keni si opsion z. Meta?
Këtë histori me referendum e kemi dëgjuar që në fillim dhe na është dukur shumë absurde, sepse nuk kemi dëgjuar ndonjë aktor politik në vend të thotë, që nuk e do Reformën në Drejtësi deri tani. Mund të kemi dëgjuar individë, por nuk kemi dëgjuar ndonjë aktor politik.
Natyrisht që ka patur dhe ka një mosbesim të thellë, midis palëve të ndryshme, për sinqeritetin dhe principalitetin e aktorëve, për garantimin vërtetë të një sistemi të ri të drejtësisë, jo vetëm me integritet dhe të pakorruptuar si deri tani, por edhe të pakapur politikisht në të ardhmen, qoftë si deri tani, qoftë edhe më keq.
Kështu që për referendumin unë kam vetëm këtë qëndrim.
LSI e mbështet idenë e referendumit dhe ai ka kuptim vetëm në një rast, duke patur në konsideratë situatën e deritanishme dhe angazhimin publik të kryetarit të PD-së, z. Basha se ata kanë vetëm një çështje, që kërkojnë të zgjidhet sipas rekomandimeve të Venecias.
Dhe nëse ajo çështje zgjidhet sipas standardeve të Venecias, ata do ta votojnë këtë Reformë Kushtetuese për Drejtësinë në Kuvendin e Shqipërisë.
Pra, në rast se PD edhe në momentin që edhe çështja e vetme e mbetur zgjidhet me dialog, me kompromis sipas standardeve të Venecias apo standardeve më të mira ndërkombëtare dhe më pas ngre një çështje tjetër apo sajon një pretekst tjetër, me qëllim që të mos japë konsensusin për Reformën në Drejtësi, atëherë LSI-ja beson që kjo do të ishte demonstrimi i qartë i mungesës së tyre të vullnetit politik dhe i papërgjegjshmërisë dhe njëkohësisht i domosdoshmërisë për të votuar këtë reformë edhe pa opozitën në Kuvendin e Shqipërisë dhe më pas për t’i dhënë më shumë legjitimitet, për të ftuar qytetarët shqiptarë që do të shpreheshin për të.
Në kushtet aktuale kur për një çështje, për të cilën Komisioni i Venecias është shprehur që duhet të jene garanci substanciale për opozitën, pavarësisht nga forma që rekomandohet apo që duhet gjetur, të shkosh në referendum vetëm për këtë çështje, më duket se është jo vetëm absurde, por mendoj se është edhe qesharake.
Ju do të thoni se pse është qesharake? Po ua them unë.
Sepse dihet që koalicioni ynë është një koalicion jo vetëm i majtë, por më shumë se i majtë edhe si i tillë mendoj unë ka mbështetjen e shumicës së shqiptarëve.
Të hedhim në referendum vetëm një çështje që të ketë apo jo opozita garanci substanciale, një të drejtë që ia japin parimet e shtetit të së drejtës, parimet tona kushtetuese, që ja jep edhe Komisioni i Venecias, me të cilin kemi bërë edhe Kushtetutën mendoj se kjo është si të vendosësh, të instalosh diktaturën e shumicës ndaj pakicës.
Dhe nuk bëhet fjalë për opozitën sot apo deri më 2017-n, këtu bëhet fjalë për 20-30 vitet e ardhshme apo ndoshta 100 vitet e ardhshme.
Dëshirojmë që kjo reformë dhe këto ndryshime kushtetuese të ketë një jetëgjatësi dhe besueshmëri sa më të madhe.
Meta, duket se opozita nuk ndryshon qëndrim sa i përket vendeve të rezervuara. Nëse nuk do të ketë një konsensus politik mes dy kryetarëve të partive kryesore dhe referendumi është zgjidhja e fundit ose e pamundur për shkak dhe të afati deri në zgjedhjet politike të 2017-s, a mund të shkojë vendi në zgjedhje të parakohshme?
Vendi nuk ka asnjë arsye që të shkojë në zgjedhje të parakohshme, aq më tepër që të përziejë reformën në drejtësi me zgjedhjet e kohshme apo të parakohshme.
Ky do të ishte kompromentimi më i madh që do t’i bëhej legjitimitetit të kësaj reforme dhe angazhimit dhe sinqeritetit të gjithë aktorëve për të ndërtuar vërtetë një shtet të së drejtës larg interesave të ngushta partiake edhe elektorale.
Kështu që kjo më duket tepër absurde.
Në rast se dikush nuk e kërkon reformën në drejtësi apo e kërkon sipas standardeve të veta, mund t’i kërkojë zgjedhjet e parakohshme që sot.
Kryeministri Rama ka bërë lëshimin e tij sa i përket reformës në drejtësi. A duhet që edhe Partia Demokratike që të bëjë një tërheqje nga pozicioni i saj? Ju e thatë që do ishte qesharake nëse shkohet në referendum për shkak të një kapriçoje ose të një neni të vetëm? Kush do të bëhej qesharak sipas jush, z. Rama apo z. Basha?
Kjo është si të hedhim në referendum të drejtat e tjera të opozitës, apo të qytetarëve shqiptarë, që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.
Edhe Rregullorja e Kuvendit është vendosur që të bëhet me konsensus pavarësisht se shumica mund të ketë më shumë vota për ta miratuar.
Pse? Për të garantuar disa të drejta substanciale të opozitës.
E thashë edhe një herë tjetër, për LSI-në referendumi ka kuptim dhe ka legjitimitet vetëm në një rast sa i takon Reformës në Drejtësi.
Në rast se PD-ja nuk i qëndron angazhimit të saj se ka vetëm një çështje për të cilën kërkon që të zgjidhet sipas standardeve të Venecias dhe standardeve ndërkombëtare, por nxjerr një sebep tjetër, nxjerr një pretekst tjetër.
Atëherë jam i bindur që të gjithë qytetarët shqiptarë, dhe në mënyrë të veçantë ata demokratë dhe opozitarë do ta kuptojnë që kjo parti nuk e kërkon reformën në drejtësi, por kërkon pretekste për ta bllokuar këtë proces.
Atëherë ne kemi për detyrë të shkojmë në Parlament, edhe pa vullnetin zyrtar të Partisë Demokratike dhe më pas për t’i dhënë më shumë legjitimitet këtyre ndryshimeve kushtetuese t’i drejtohemi edhe qytetarëve shqiptarë.
Kjo çështje duhet të ishte zgjidhur më përpara. Jam i habitur, sepse nuk jam marrë me brendësinë e gjithë diskutimeve për Reformën, që kjo çështje nuk është zgjidhur më përpara.
Sepse mendova që çdo gjë ishte e zgjidhur dhe kërkoj që të zgjidhet.
Të zgjidhet me urgjencë, me transparencë, me koherencë, sepse nuk e ka Shqipëria luksin të miratojë një Reformë në Drejtësi pa opozitën, në rast se opozita vërtetë është e sinqertë në dhënien e konsensusit të saj dhe kërkon që këto garanci substanciale të mos cenojnë besueshmërinë e institucioneve të reja.