Ilir Meta: Do t’i shporrim përmes vettingut popullor bandat e rilindjes

Kryetari i Kuvendit dhe Presidenti i Zgjedhur, Ilir Meta nga qyteti i Beratit tha se më 25 qershor shqiptarët do të zgjedhin LSI-në si forca që mbron interesat e qytetarëve.

Ai u shpreh se më 25 qershor do të nis vettingu popullor më votë kundër bandave të rilindjes.

“Në 25 qershor, siç e patë dje në Kavajë, edhe Kavaja do ti shporr përmes vettingut popullor bandat e rilindjes, jo më Berati. Ndaj asnjë shpresë të mos ketë lideri i mavisë, Berati është dhe do të jetë i kuq, flakë fare. Berati nuk i harron mashtrimet. Berati u jep fjalën burrave të besës dhe të fjalëve”,- tha Ilir Meta.

Kreu i Kuvendit paralajmëroi dhe personat që kanë kryer incidente dhe kanë ushtruar presion dhe dhunë ndaj militantëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Meta tha se nuk do të ketë asnjë mëshirë ligjore ndaj kujtdo që prek votat dhe që dhunon qytetarët.

Ilir Meta deklaroi se Edi Rama i mban kot shpresat tek Lulzim Basha apo tek Policia për një rezultat të mirë në zgjedhje. “Kot i mban shpresat te bluja kryetari i mavisë, qofte te “Lulushi”, qofte te Policia. S’i bën derman as marrëveshja e errësirës me “Lulushin” as policia te ciles i beri thirrje pak dite me pare te bejne fushate per votat per PS.” – deklaroi Meta.

Meta thumboi Ramën, duke thënë se as mjekësia nuk i bën dot derman. “Mos merrni porosi nga një njeri, që jo vetëm policia, por as mjekësia nuk i bën dot derman. Nuk do të ketë asnjë amnisti, asnjë keqardhje, asnjë mëshirë për çdo drejtues policie ose bandit, që do t’i bëjë presion qytetarëve për votën e lirë.” – deklaroi Ilir Meta në takimin përmbyllës të fushatës në Berat.

https://www.facebook.com/levizjasocialisteperintegrim/videos/1610153095664609/

 Fjalimi i plotë i Ilir Metës:

LSI forcë e parë, forcë e paparë! Të dashur motra dhe vëllezër të Beratit, është gjithmonë kënaqësi dhe lumturi të jesh midis jush, sepse ju jeni të mrekullueshëm, ju jeni të paparë, ju jeni njerëz me karakter, jeni njerëz të besës, ju jeni ata që keni qenë dhe që do të jeni gjithmonë. Prandaj, kot i mban shpresat te bluja kryetari i mavisë, qoftë te Lulushi, qoftë tek uniformat blu të Policisë. Nuk i bën derman as marrëveshja e errësirës me Lulushin dhe as përdorimi i paligjshëm i Policisë, të cilës ai i bëri thirrje përpara disa ditësh në Kuçovë, i tmerruar nga një fakt, që Berati është dhe do të jetë i kuq, është dhe do të jetë me LSI-në. Më 25 qershor, siç e patë dje në Kavajë, edhe Kavaja do t’i shporrë përmes Vetting-ut popullor bandat e rilindjes, që s’kanë asnjë lidhje me qytetarët, me të majtën, me solidaritetin dhe me përgjegjshmërinë e drejtimit, jo më Berati. Ndaj, asnjë shpresë të mos ketë lideri i mavisë, Berati është dhe do të jetë i kuq, jo i kuq por flakë fare. Sepse Berati nuk i harron mashtrimet, Berati u jep besën dhe u jep fjalën burrave të besës dhe të fjalëve. Berati do të votojë tani, jo për të vazhduar edhe katër vjet të tjera cirkun e rilindjes. Cirku mbaroi, sepse Berati ka halle, Berati ka probleme, Berati ka të rinj që janë pa punë, që duan shpresë, që duan perspektivë, që nuk duan të mbushin më lotaritë amerikane dhe kanadeze. Që nuk duan të ikin dhe të mbledhin ullinjtë e botës. Prandaj, do të votojnë për planin tonë për të hapur 170 mijë vende të reja pune, 100 mijë vetëm për të rinjtë dhe të rejat.Taksat tuaja dhe të të gjithë qytetarëve shqiptarë nuk do të bëhen më rrush dhe palma. Jo, ato do të shkojnë në sektorët më prioritarë që gjenerojnë hapje të vendeve të reja të punës dhe rritje të prodhimit kombëtar, që gjenerojnë rritje të eksporteve dhe rimëkëmbje të gjithë ekonomisë sonë kombëtare dhe familjare. Gjatë këtyre katër viteve ne pamë jo se si bëhet shteti, por pamë se si bëhet qameti, se si përdoret Policia, presioni, shantazhi, dhuna, burgosja ndaj të vobektëve, të cilët nuk kanë paguar dritat. Por, nga ana tjetër, kemi parë se si bëhen akte ligjore dhe nënligjore që oligarkët të fshijnë malet e borxheve që kanë ndaj OSHEE-së dhe ndaj Tatimeve. Ne pamë se si në katër vjet hendeku social dhe padrejtësia sociale është shtuar në këtë vend. Ndaj, Berati është tani për drejtimin e ri, LSI forcë e parë, forcë e paparë. Berati është për 5-fishimin e buxhetit për bujqësinë, është për 10-fishimin e subvencioneve në bujqësi, është për mbështetjen e fuqishme të turizmit, është për subvencionimin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të gjithë ata punëdhënës, të cilët marrin të rinjtë për herë të parë në punë. Është për subvencionimin e një pjese të pagës për të gjithë ata punëdhënës, të cilët marrin të rinj e të reja në punë për herë të parë në punë. Është për ato programe, të cilat do të japin grante dhe kredi të buta deri në 2 për qind për të rinjtë dhe të rejat, të cilët kanë ide për hapjen e një biznesi për t’u punësuar dhe vetëpunësuar.

Sepse vetëm përmes një programi konkret për rininë, ne do të bëjmë të mundur që Shqipëria të ketë shpresë dhe besim. Që Shqipëria të mos vuajë më nga brengat e pafundme që sjell largimi i të rinjve dhe fëmijëve nga Shqipëria për prindërit dhe për familjet e tyre.

Ndaj, e kemi shumë të thjeshtë, më mirë të shkarkojmë kreun e Rilindjes më 25 qershor se sa të rinjtë e të rejat të braktisin Beratin dhe të gjithë Shqipërinë. Kreu i Rilindjes zgjodhi vendin më të gabuar për të sulmuar pabesisht LSI-në dhe njëkohësisht për të provokuar përçarjen e të majtës që e ka bërë edhe herë të tjera. Dhe unë po i them se më 25 qershor të gjithë socialistët, të cilët u injoruan, të cilët u poshtëruan nga Rilindja e kanë alternativën e tyre, duke votuar LSI-në votojnë për bashkimin e të majtës. Sepse në katër vjet ai jo vetëm që nuk u kujdes për Shqipërinë dhe për shqiptarët, por u ktheu kurrizin socialistëve sapo mori votat dhe u vu në shërbim të 6 oligarkëve, të cilët drejtonin e qeverinë e Sali Berishës me vendimet që merrnin dhe që impononin. Dhe vetëm për këta të 6 dhe krerët e Rilindjes, Shqipëria ishte një El Dorado në katër vjet.

Ndërsa për 300 mijë shqiptarë të rinj e të reja që u larguan, për 200 mijë të tjerë që kanë aplikuar për lotarinë amerikane, Shqipëria është një vend i pashpresë deri tani, por jo nga sot e deri më 25 qershor. Edhe 4 ditë dhe Shqipëria do të ecë në drejtimin e ri, me LSI-në dhe me të gjithë socialistët dhe demokratët e përgjegjshëm. Përsëri sot mediat italiane konfirmuan se LSI-ja në Shqipëri është gati për të drejtuar qeverisjen e vendit. Fitoren e shoh kudo në optimizmin dhe në fytyrat tuaja, ashtu siç e shoh në panikun e atyre të cilët të trembur nga vullneti i lirë i popullit shqiptar, përpiqen t’i frikësojnë në mënyrat më të turpshme të cilat Berati i ka flakur në Osum që në kohën e Gazidedes. Ne do të fitojmë, se jemi partia e rinisë së Shqipërisë! Uragani i rinisë së Beratit dhe të Shqipërisë nuk ndalet. Ne do të garantojmë votën e lirë të çdo shqiptari, jo vetëm për LSI-në, por për çdo alternativë demokratike që do të zgjedhin më 25 qershor.

Ne nuk i ndërrojmë deputet tanë siç i ndërrojnë të tjerët çdo katër vjet. Pse i ndërrojnë nga një qark në tjetrin? Sepse gënjejnë, sepse mashtrojnë, sepse nuk i mbajnë premtimet dhe duan që ju të gënjeheni përsëri duke ju sjellë të tjerë të cilët katër vjet më parë kanë gënjyer në qarqet e tjera të Shqipërisë. Sepse thelbi i Rilindjes është vetëm gënjeshtra, mashtrimi, pabesia dhe mosmbajtja e premtimeve.

Ne jemi krenarë për deputetet dhe deputetët tanë, unë nuk kam nevojë t’ua prezantoj sepse ju i njihni. Ata janë të gjithë “BIO”, nuk janë “OMGJ”. Tani kam një lutje, nuk dua të dëgjoj më që do marrim tre apo katër deputetë. Ne do të marrim 5 deputetë dhe Tomit e Xherrit do t’u lëmë vetëm ndonjë deputet sa për shenjë. Se ne jemi socialistë, por ne jemi edhe demokratë, ne e duam pluralizmin. I bëj thirrje Policisë së Shtetit, i bëj thirrje drejtorit të policisë në Berat dhe të gjithë atyre që kanë ardhur me ide dhe me porosi se do të shkrijnë LSI-në. Thirrini mendjes dhe mos merrni porosi nga një njeri të cilin jo vetëm policia por edhe mjekësia nuk i bën dot derman.

Nuk do të ketë asnjë amnisti asnjë keqardhje asnjë mëshirë për çdo drejtues policie dhe për çdo bandit që do të guxojë t’i bëjë presion qytetarëve të Beratit dhe të Shqipërisë për votën e lirë.

Forcë e parë, forcë e paparë! Të gjithë drejt kutive të votimit më 25 qershor, e gjithë Shqipëria 1 milionë grushte kundër oligarkisë dhe pabesisë. 1 milionë zemra për demokracinë dhe për të ardhmen e rinisë në Shqipëri, në vendin tonë dhe në familjet tona. Rroftë populli i Beratit, rroftë rinia e Shqipërisë!

SHKARKO APP