Ilir Meta: Edi Rama të lidh zagarët e krimit. Do armatos popullin ndaj tij
Presionet, shantazhe dhe dhuna ndaj aktivistëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim ka arritur kulmin këto ditë. Në Lezhë, Gjovalin Gjinit, kryeplaku i fshatit Rraboshtë dhe përfaqësues i LSI-së është rrahur në mënyrë barbare për motive politike dje në mbrëmje. Ndërkohë në Berat, anëtarit të LSI-së dje iu vendos pistoleta në kokë dhe iu dogj makina, duke i kërkuar që të mos merrte pjesë në fushatë. Në Fier, para 3 ditësh një maturant u dhunua me leva nga drejtuesit lokalë të PS-së, vetëm pse kish deklaruar se votonte në LSI.
Këto janë vetëm tre incidente flagrante, por jo të vetmet ku është faktuar dhuna barbare ndaj aktivistëve të LSI-së. Raste të tjetra, ka pa fund.
Në këtë situatë, kreu i Kuvendit dhe Presidenti i zgjedhur, Ilir Meta ka bërë deklaratë të fortë nga Lezha, ku vizitoi aktivistin e LSI-së që u rrah. Ai tha se nëse Policia e Shtetit nuk merr masa të sigurojë jetën e qytetarëve, populli është i detyruar të mbrojë veten edhe me armë. Kjo është më e fortë e Ilir Metës qëkur filloi fushata elektorale e ku Edi Rama, sipas LSI, ka mobilizuar krejt llumin e shoqërisë në bashkëpunim me disa drejtues policie, për të vjedhur e blerë votat, si dhe për shantazhuar e rrahur militantët e drejtuesit e LSI nëpër rrethe.
“Nëse nuk kapen kriminelët, jemi të detyruar të armatosim popullin”,- ka thënë Ilir Meta, presidenti i zgjedhur gjatë vizitës në banesën e Gjovalin Gjinit, kryeplaku i fshatit Rraboshtë në Lezhë. Kryeplaku u dhunua mbrëmjen e djeshme nga militantë me precedentë penalë të PS.
Nga oborri i Kuvendit, para se të nisej drejt Lezhës, Meta akuzoi për lidhje të politikës e policisë me krimin e bandat. Një lidhje që siç tha ai do marrë fund më 26 qershor. “Është e qartë që ka një lidhje të tillë, e kemi këtë lidhje në Lezhë, ku kemi disa ngjarje të përsëritura. E kemi këtë lidhje në Berat. E kemi këtë lidhje dhe në Shkodër e zona të tjera. Çdo shef komisariati, përgjegjës policie do të jetë përgjegjës jo vetëm për shkeljen e ligjit për të cilën do të dënohet nga 1- 5 vjet burg por dhe për mos veprim në mungesë të zbatimit të ligjit, favorizim të grupeve kriminale që tentojnë të tjetërsojnë vullnetin e qytetarëve, përsëri do të mbajnë përgjegjësi”,- tha kreu i Kuvendit.
Gjatë gjithë fushatës elektorale, LSI dhe drejtuesit më të lartë të saj kanë denoncuar me emra dhe me fakte rastet e indiceve si dhe zyrtarët që kanë bërë shantazhe ndaj aktivistëve të saj. Policia e Shtetit, në shumicën e rasteve, nuk ka reaguar fare për ngjarjet, ose ka reaguar me shumë vonesë. Ndërkohë, Partia Socialiste në vend të distancohet dhe tu bëjë thirrje militantëve të saj për të mos kryer akte dhune, i ka justifikuar rrahjet si ngjarje që kanë ndodhur për motive personale apo gjëra që s’kanë lidhje me aktivitetin politikë. Si ka mundësi që vetëm këtë muaj po rrihen e dhunohen njërëzit e LSI, ndërkohë që para fushatës, nuk kishte asnjë incident? Duket qartë se ka motive politike.
Ky qëndrim i dashakeq i PS-së ka bërë që incidentet jo vetëm të mos ndalen, por edhe të bëhen më serioze, në disa raste edhe me rrezik për jetën e aktivistëve të LSI-së. Ndaj dhe Kreu i Kuvendit dhe Presidenti i zgjedhur është detyruar sot të mbaj një qëndrim të ashpër ndaj Policisë së Shtetit dhe Kryeministrit. Kujtojmë se vetëm dje, Edi Rama deklaroi se Policia e Shtetit duhet të mbledhë vota për Partinë Socialiste! Një thirrje e tillë, përveçse e paligjshme vë në pikëpyetje serioze dhe punën e policisë në zbardhen e ngjarjeve kriminale në zgjedhje.
Është koha që ambasadat e SHBA dhe BE të reagojnë për situatën e paprecedentë ku po shkon fushata elektorale. Detyrën ligjore për zgjedhje me standarde e ka Qeveria dhe selitë diplomatike duhet të kërkojnë llogari për ato që po ndodhi këto ditë.
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=CZpILOIVorA” width=”560″ height=”315″]