Ilir Meta flet te Fevziu në “Opinion” për jetën e tij dhe situatën politike

Intervista e Presidentit të zgjedhur të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për emisionin “OPINION” në TV Klan

Do të doja që të ishit sa më i hapur se zakonisht. Njerëzit sa më shumë ecin, sa më lart ngrihen në detyrë, aq më shumë e retushojnë jetën e tyre. Nuk e di a keni nevojë ju ta bëni këtë gjë.

Nuk besoj, përkundrazi.

Çdo të thotë përkundrazi?

Përkundrazi aq më shumë për t’u hapur.

Ju i takoni atij grupimi presidentësh që vijnë në një moshë të re. Jeni 48 vjeç President i Republikës, ndërkohë jeni një nga politikat më të gjatë që nga vitit 1991, keni qenë pjesëmarrës në takimin me studentët me Ramiz Alinë në vitin 1990. Por përpara kësaj keni patuar një jetë interesante. Thatë në fjalimin që keni mbajtur në Parlament se ëndërronit që të bëheshit pedagog në universitet. Nga ju vinte kjo ëndërr?

Natyrisht që në atë kohë, sepse jemi bashkëmoshatarë, ishte e vështirë që të mendoje apo të besoje që në vitin 1988, kur unë kam filluar studimet në Fakultetin e Ekonomisë, të bëheshe Ministër, të bëheshe Kryeministër, të bëheshe Deputet apo…

Por ju kishit një profil më sportiv, merreshit me peshëngritje. Dukej sikur kishit një profil që shkonte drejt këtij drejtimi se sa drejt pedagogut, njeriut të librave dhe të letrave…

Në atë kohë isha fokusuar në këtë linjë për t’u bërë pedagog në fakultetin e Ekonomisë.

Siç e referuat, me sa kuptova kishit ëndërr t’i ngjanit Anastas Angjelit në atë kohë?

E thashë pikërisht se ai ka qenë pedagogu im. Gjithashtu, më jepte lëndën “Financë” dhe e dinte këtë gjë që unë isha shumë i investuar për të realizuar këtë dëshirë apo këtë ëndërr, sepse po të kthehemi në atë kohë në vitin 1988, në radhë të parë ishte e rëndësishme të bëje shkollën e lartë.

E dyta ishte që të filloje punë në Tiranë. Motra ime mbaroi shkëlqyeshëm për “Anglisht” dhe u caktua në një fshat shumë të largët, jo se ishte problemi pse do të shkonte atje, sepse ishin të shumtë të gjithë ata që shkonin dhe shërbenin në profesione të ndryshime në zona të ndryshme, por ishte një zonë kaq e largët dhe familja gjithmonë ishte e shqetësuar. Kështu që ishte gjë e madhe të bëheshe pedagog në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë.

Megjithatë të paktën nëse sheh jetëshkrimin tuaj tregon që ju keni pasur ambicie që në atë kohë. Thuhet se në vitin e dytë të fakultetit keni qenë Sekretar Rinie?

Që në vitin e parë kam qenë Sekretar i Rinisë i “Ekonomisë Politike” të katër viteve bashkë.

Tregohet që keni qenë ambicioz që në vitin e parë, tentoni të kishit në karrierë paralele me atë të pedagogut?

Gjithmonë kam qenë. Edhe në shkollë të mesme kam qenë komandant në zbor. Isha komandant i togës. Kisha një aftësi për të drejtuar.

Nga ju vinte kjo?

Nuk e di, ndoshta është diçka që vjen nga brenda.

Ju thoni që edhe në shkollë të mesme keni qenë komandant toge. Por duket se keni pasur relata shumë të këqija me një shok tjetër klase tuaj, moshatar tonin Ben Blushin që është sot në politikë?

I kam pasur shumë të mira.

Keni qenë shok klase edhe në shkollën 8-vjeçare?

Në 8-vjeçare nuk e mbaj mend, por në shkollën e mesme kemi qenë te “Sami Frashëri”.

  1. Meta sipas jetëshkrimit ju keni lindur në Çepan të Skraparit. Ju e përmendët edhe në fjalimin përshëndetës si zgjedhje e Presidentit të Republikë, në vitin 1969…

Unë kam lindur në 24 mars të vitit 1969 edhe për kuriozitetin tuaj, gjyshi im donte të ma vinte emrin Norvruz, pasi përkonte me festën e Sulltan Novruzit dhe duke qenë si zonë bektashiane, kjo ishte një gjë shumë normale për ta menduar.

Dhe pse nuk jua vuri?

Sepse mamaja ime rezistoi shumë.

Ju lindët në Çepan të Skraparit, ndërkohë që babai juaj punonte në Tiranë dhe u transferua e gjithë familja në Tiranë, në çfarë moshe?

Babai im punonte në Tiranë përpara se sa unë të lindja por ngaqë nuk kishin shtëpi, siç e keni parasysh atë kohë, do të kem qenë 2 vjeç.

Ju jeni transferuar në Tiranë në moshën 2-vjeçare dhe jeni shkolluar në disa prej shkollave më të mira të Tiranës…

Kopshti i parë ka qenë te Pazari i Ri, aty ku hëngrëm darkë para disa ditësh me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe z. Rama. Kishte ndryshuar në mënyrë të jashtëzakonshme, kisha koha pa shkuar atje.

E dyta te shkolla “Hoxha Tahsim” ka qenë një kopsht tjetër dhe pastaj kalova te “Kongresi i Lushnjes”, shkolla “Fan Noli”, gjimnazi “Sami Frashëri”.

Ju keni ndjekur gjithë zinxhirin tuaj të shkollimit në Tiranë. Si shpjegohet që vazhdimisht ju shohin si skraparllinj dhe si shpjegohet që dhe ju vetë theksoni më shumë këtë pjesë tuajën?

Së pari, vajza ime 12 vjeçe, po ta pyesësh se nga je, thotë se jam nga Skrapari dhe e thotë me një krenari të madhe, pavarësisht se ka lindur në Tiranë. Njeriu është produkt i historisë, edukimit përmes shkollës, librave, aktiviteteve të ndryshme kulturore, apo përmes gjyshërve, të afërmve, kështu që një traditë, një histori ka atë ndikimin e vet në identitetin e dikujt.

Thatë që keni ardhur në Tiranë ndërkohë që u vendosët në një nga lagjet më tradicionale të Tiranës, rreth Pazarit të Ri, që është e mbushur me tiranas autoktonë dhe dibranë të ardhur menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912. Ndërkohë familja juaj ishte një familje oficerësh me origjinë nga Skrapari dhe pallati ku ju u vendosët ishte kryesisht me oficerë. Si ndihej kjo strukturë disi e juaj në këtë lagje?

Familja ime ishte një familje mësuesish. Mamaja ime ishte arsimtare dhe babai im ishte praktikisht arsimtar në shkollën Skënderbej, kur mbaroi studimet për gjuhë-letërsi dhe pastaj bëri akademinë ushtarake dhe mbajti atë linjë. Pallati ynë ishte pallati i shkollës Skënderbej dhe i Shkollës së Bashkuar që ishte bërë me punë vullnetare.

Si ndihej atmosfera në këtë lagje? Ishte një lagje që ishte indiferente ndaj regjimit komunist…

Ishte një lagje e mrekullueshme. Ishin dy botë të ndryshme, bota brenda pallatit tonë dhe bota rreth pallatit tonë dhe midis nesh ishte Aleksandër Lalo me pianon e tij, sepse e kishim fqinj, që e bënte shumë të ndryshme dhe interesante jetën tonë.

E ndjenit këtë botën që ju e quani jashtë pallatit tuaj? Bota e pallatit tuaj ishte një bote me një lloj përkushtimi ndaj regjimit komunist, po bota që ishte jashtë?

Edhe në pallatin tonë kishte rebelë. Por jashtë pallatit pastaj ishte një frymë krejt tjetër, dallohej që në faktin se brenda pallatit tonë ishte të gjithë tifozë me Dinamon dhe Partizanin kryesisht, ndërsa jashtë pallatit tonë ishte të gjithë tifozë me Tiranën. Dhe kjo reflektohej mes çunave të pallatit dhe atyre të lagjes.

A ndodhte të dëgjoje fqinjët e tu ose njerëzit rreth e rrotull të flisnin kundër komunizmit ose për kushtet e këqija të jetesës?

Shpreheshin në forma të ndryshme. Edhe kjo përplasja në sport ose në forma të tjera ishte një llo pakënaqise por jo e menduar. Ishte diçka spontane.

Ndërkohë edhe ju u bëtë tifoz në atë kohë besoj?

Patjetër. Babai im ishte tifoz i çmendur i Dinamos dhe më merrte me vete në stadium dhe na imponohej si të thuash me Dinamon. Pastaj, babai kur ishte në shkollën Skënderbej kishte nxënës Perlat Mustën, Artur Lekbellon, ishte një gjeneratë e kësaj shkolle dhe kur ne shkonim në kovaleshencën e Ministrisë së Mbrojtejs në Durrës, unë rrija me ata sepse me quanin djalin e komisarit. Im atë ishte mësues, por ishte edhe si komisar, pasi kishin funksione të dyfishta në shkollë. Unë ngaqë e adhuroja Perlatin u bëra tifoz me Partizanin.

Thonë që ekipi i zemrës në futboll nuk ndërrohet kurrë në jetë? Hyn te një nga rastet e rralla…

Kjo nuk më ka ndodhur vetëm me Holandën, por këtu më ka ndodhur deri diku.

Dhe vazhdove të jesh tifoz gjithë jetën? Tani më dukesh me indiferent…

Nuk para kohë ta ndjek, por vazhdojë të jem tifoz me Holandën. Jam i qëndrueshëm me Holandën, jam i qëndrueshëm me Milanin. Më pyeti dikush, çfarë debatesh keni të forta me Petrit Vasilin. Unë iu përgjigja se debate të forta kemi kur flasim për Interin dhe Milanin, kemi padyshim edhe në politikë. Ai është shumë tifoz me Tiranën, por nuk është se unë e ndjek kaq shumë Partizanin apo ta ndjej shumë këtë tifozllëk kur luhet derbi. Dhe ai që më thotë: mos i thuaj që je me Milanin, sepse ka rënë shumë si skuadër, thuaj që je me Juventusin se ajo fiton. Dhe me Milanin kam qenë për shkak të holandezëve të famshëm në vitet 90’.

Si ishte të ishe adoleshent në Tiranën e viteve ‘80?

Adoleshent do të thotë të ishe gjithmonë në një sfidë të vazhdueshme midis ëndrrave, të cilat ishin të kufizuara për shkak edhe të mundësive për të përfytyruar të ardhmen sepse liritë ishin të kufizuara.

Çfarë pasionesh kishit në atë moshë?

Në atë kohë fillove të merresha me peshëngritje, që në vit të parë në gjimnaz. Të them të drejtën motiv frymëzimi u bë arratisja e Aleksandër Kondos. Pasioni ishte dëshira për tu marrë me sport. Fillimisht e nisa me futbollin por nuk kisha ndonjë talent të spikatur. Një ditë trajneri i Aleksandër Kondos, që ishte edhe trajneri i kombëtares në peshëngritje, Profesor Ferit Berberi, me pa dhe e pëlqeu konstruktin tim dhe më ftoi që të merresha me peshëngritje dhe më stërviti për 2 vite.

Pastaj nuk u morët më me sport?

Pastaj u bëra komentator futbolli.

Si ndodhi kjo?

Babai im kishte shumë miqësi me Ahmet Shqarrin, kishin studiuar bashkë për letërsi. Mua më jepej të shkruaja, bëja ndonjë shkrim dhe Ahmeti më ftoi për të bërë rolin e komentatorit dhe e kam bërë për një vit e ca.

Ekonomikun jua caktuan apo e zgjodhët vetë?

Të them të drejtën e zgjodha vetë për arsye se kisha vetëm një problem, nuk doja inxhinieri mekanike. Kisha një fobi nga vizatimi teknik. Ka qenë një lëndë që e kisha shumë problem. Në lëndët e tjera kam qenë shumë mirë.

E kishit mesataren për ekonomikun?

Mesataren e kisha shumë të lartë. U futa në ekonomi politike, që ishte një degë që kishte profesorët më të mirë në atë kohë, më me eksperiencë.

Kur filluat ta kuptonit që jetonim në një sistem absurd?

Që Shqipëria kishte probleme e kam kuptuar për herë të parë nga Muharrem Berisha. Sepse unë mendoja që isha një fëmijë i rritur në kushte të mira dhe kisha një lloj dashurie për sistemin në atë kohë. I pari që më ka folur ishte Muharrem Berisha dhe ato dy vite në peshëngritje më mësuan shumë gjëra. Aty flisnin hapur për problemet që kishte Shqipëria dhe që jashtë ishte mirë.

Ndjeheshit keq kur ju flinin keq për regjimin?

Nuk është se ndihesha keq por thosha se si ka mundësi. Por, pastaj fillova t’i jap të drejtë që një kampion si Muharrem Berisha që unë e kisha idhull, apo Agron Haxhihysenin, nuk kishin bukë të hanin. Pra, në kushte mjaft të vështira.

Me cilin ekip stërviteshit në atë kohë?

Me Dinamon. Unë stërvitesha nga Ferid Berberi direkt, edhe me të rriturit. Sepse ai më zgjodhi vetë. Më stërviste vetë që ditën e parë që më mori e deri ditën kur u shkëputa.

Besoj që tani, me rrugën që ju ka marrë jeta, nuk jeni penduar më që latë peshëngritjen apo që nuk u bëtë kampion me Shqipërinë?

Unë e adhuroj shumë këtë sport dhe të gjithë sportet për shkak të faktit se duhet t provosh sfidat dhe vështirësitë e sportit që të kesh një vlerësim më të madh për ta, sidomos për ata që janë kampionë. Aq më tepër kur ti vetë nuk ke arritur të jesh kampion. Dhe kampionët vuajnë shumë, sepse ne shpeshherë shikojmë anën festive, por për të vajtur atje një sportist sakrifikon në mënyrë të jashtëzakonshme, shpeshherë edhe ç’njerëzore, saqë ajo dëshira për të qenë i pari është kaq frymëzuese sa përballon çdo gjë.

Në vitet ’87-’88 ju shkuat në Fakultetin Ekonomik në një kohë kur situata po rëndohej, gjithë lindja po ndryshonte… Cila ishte atmosfera në universitet në atë kohë, në vitet ‘80?

Pas vitit ’89 filloi situata të lëvizte pas vrasjes së Çausheskut. Mbaj mend atëherë që kur u ekzekutua Çaushesku, Anastas Angjeli erdhi në klasë dhe duke diskutuar për Rumaninë, ai tha që: ‘Mirë ja bënë atij, se e kishte bërë baltë edhe ai…”, dhe ishte mjaft interesante të flitej në atë mënyrë. Ose ishte një profesor tjetër, i cili tregonte batuta që tregonin qartë që sistemi socialist ishte në buzë të greminës. Mirëpo këto ishin shumë të guximshme për atë kohë, pra kishte filluar një lloj ‘shthurjeje’ le të themi e liberalizmit. Kuptohej edhe Enver Hoxha kishte vdekur dhe disa teza po themi pak si më të moderuara ishin hedhur. Por për mua, që pata fatin të kisha disa pedagogë, të cilët për fat të keq nuk jetojnë, por që unë u jam shumë mirënjohës për vëmendjen që kanë kushtuar, edhe ndaj meje personalisht. Por po të dëgjoje, po të mbaje shënim dhe po të thelloheshim në ato që thoshte profesor Hekuran Mara, që jepte Socializmin, ti e kuptoje që ishte një sistem që kishte mbaruar.

Ndërkohë, a vazhdonit të udhëtonit në Skrapar duke pasur parasysh që ju jetonit në Tiranë?

Unë në Skrapar kryesisht kam shkuar deri në 8-vjeçare, para se të filloja sportin. Njëherë mbaj mend që kam ikur pa leje nga shtëpia, kam marrë trenin, autobusin dhe pastaj ika në këmbë në fshat, 3 orë nga Çorovoda.

Në çfarë moshe ikët nga Tirana në Çorovodë në atë kohë? Dhe arritët të shkonit deri atje?

Mund të kem qenë 9 ose 10 vjeç. Arrita të shkoja sepse shoferi i autobusit, i cili djalin e kishte nxënës të babait tim në shkollën ‘Skënderbej”, dhe vajta i thashë që me porosi të tim ati do të më marrësh dhe më çoi në Çorovodë. Familja nuk e mori vesh fare sepse unë kam fjetur tek një kushërirë. Për të gjithë ata që e kanë parë filmin ‘Beni ecën vetë’, fshati ishte një magji e paparë.

Përse ishte magji fshati?

Sepse ishte një liri tjetër. P.sh. kam pasur mundësinë të fle në stan.

Ekonomikisht ishte keq fshati?

Padyshim që ishte keq por çdo gjë është relative sepse në fund fare duhet të kemi parasysh që ata ishin njerëz punëtorë. Nuk është se jetonin keq për atë kohë, pra ishte një jetesë relative për atë kohë.

Në vitin 1990 ju ishit student i vitit të fundit të Ekonomikut dhe në fillimin e protestave të studentëve u bëtë aktiv dhe morët pjesë në takimin e studentëve me Ramiz Alinë. Si shpjegohet që një djalë që vite nga një familje komuniste befas gjendet në një grupim që shkon për të takuar Presidentin dhe për t’i kërkuar pluralizëm politik?

Nuk mendoj se ishte e rastësishme, ka qenë gjithçka graduale. Me ekzekutimin e Çausheskut në Rumani të gjithë po kuptonin që diçka po ndryshonte. Në Shqipëri kishte filluar një proces i cili të provokonte ide për ndryshime dhe që pranonte që gjërat nuk ishin mirë. Pastaj kemi ambasadat.

A është e vërtetë që edhe ju keni dashur të ikni me Ambasadat?

Po është e vërtetë, sepse një shoku im i ngushtë u fut në ambasada, tek ajo Gjermane. Por unë kisha dy probleme, e para ishte problemi i shkollës që e kisha diçka shumë të rëndësishme dhe e dyta ishte babai sepse jam i bindur që nuk do ta përballonte dot një gjë të tillë. Ishin shumë arsye, por shkollën e kisha prioritet.

E mbani mend takimin me Ramiz Alinë?

Po si se mbaj mend?! Është një gjë që ndodh një herë në 500 vjet. Dita e pluralizmit.

E dinit që ishte marrë vendimi për pluralizmi?

Jo, ne nuk e dinim.

Kishit frikë kur shkuat atje?

Padyshim që frikë kishim, por një garanci ishte që z. Gjinushi me z. Bashkurti ishim me ne. Ishin në autobus. Ishte si një lloj garancie. Frika ishte në një farë mënyrë, por kishim hyrë në atë rrugë.

Ndërkohë që takimi mbaroi, u shpall pluralizmi politik. Po në atë mbrëmje në Qytetin Studenti, Arben Imami, lajmëroi krijimin e një partie të re. Ai nuk i dha as emrin, por që do të quhej Partia Demokratike, që u krijua po atë natë duke gdhirë e nesërmja. Përse ju zgjodhët të mos angazhoheshit me PD si 99% e studentëve?

Nuk është se hyra në Lëvizjen Studentore se doja të merresha me politikë apo doja të merresha me parti…

Pandeli Majkon e njihnit në atë kohë?

Jo, nuk kam pas ndonjë njohje direkte. Shpëtim Idrizin po, sepse ishte me Gramoz Pashkon të ngjitur të dy së bashku dhe ishin të pandarë. Po kaloj te raporti im me partitë. Në shkollë unë kam qenë gjithmonë i pasionuar pas historisë dhe dy janë arsyet pse unë kam marrë këtë pozicion më pas dhe pse unë nuk i jam bashkuar Partisë Demokratike.

E para është se unë nuk kisha qëllim të merresha me politikë. Ai ishte një shpërthim spontan i një njeriu që thotë mendimet e veta. Së dyti unë kisha lexuar për social-demokracinë edhe përpara vitit 1990.

Ku i gjenit leximet për social-demokracinë?

Kisha pedagog Nathanailin që më jepte Histori. Unë isha dhe një tip që u bëja shumë pyetje pedagogëve dhe ata vazhdimisht më përgjigjeshin ose më jepnin literaturë shtesë.

Dhe ishin dy arsye që unë e kisha si të vështirë që të bëhesha me PD. E para nuk kisha ndonjë dëshirë që të merresha dhe më pas në një farë mënyrë ngeca tek PS-ja për shkak të rrethanave. Por qëllimi im ka qenë një dhe vetëm një: që të mbaroja sa më mirë fakultetin dhe të shkoja jashtë shtetit për studime.

Te PD tentuat ndonjëherë për t’u afruar?

Nuk pata asnjë lloj tentative, sepse nuk kisha asnjë lloj aspirate. Thashë edhe një herë, kisha dëshirë të mbaroja shkollën dhe pastaj të shkoja jashtë për studime.

Kur u bëtë me PS, kush ka qenë shtysa?

Kjo gjë ka ndodhur në fillim të dhjetorit të vitit 1991, sepse në 15 janar u bë takimi kombëtar i FRESSH-it në Pallatin e Kongreseve që habiti të gjithë Shqipërinë se si mund të kishte kaq të rinj me PS. Sepse në selinë e PS në atë kohë hynin nga mosha 60 vjeç e lartë. Sepse ata që donin të bënin karrierë shkonin tek PD-ja…

Ishte edhe me të drejtën PD në atë kohë, sepse ishte një forcë opozitare që do të transformonte vendin?

Ti e di që sa herë ka pasur të drejtë, unë i kam dhënë të drejtë. Nuk kam asnjë kompleks dhe shqetësim të tillë. Këto mund t’i kishim në atë kohë, por pas gjithë kësaj përvoje mund të jemi më çliruar nga kjo lloj kompleksi. Unë jam angazhuar atje jo se doja të merresha me politikë. Mund të them që edhe në vitin 1992 kur u zgjodha deputet nuk doja të bëhesha deputet.

Po në PS kush ju afroi?

Pasi vazhdova fakultetin, pra PD-ja vazhdoi rrugën e saj. Unë mund të them se ajo që nuk më pëlqeu te PD ishte një ndjenjë revanshiste, që në fillim që më largonte pak. Sot kushdo i mirëkupton, sepse ishte një tension i krijuar për 50 vjet.

Shumë njerëz të persekutuar padrejtësisht, njerëz të pakënaqur nga situata ekonomike dhe njerëzit donin të përfitonin nga rrëmuja për arsyet e tyre. Ishte një situatë tjetër. Pastaj ato që më larguan nga PD-ja ishin qëndrimi i saj për Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Familja ime është një familje shumë e lidhur me Luftën Antifashiste. Si nga ana e babait, ku shtëpia e gjyshit ka qenë një nga spitalet kryesore partizane, xhaxhai partizan e shumë e shumë të tjerë.

Por ju që ishit në Tiranë u distancuat nga PD, sepse ishit të lidhur me LANÇ-in, ndërsa dajat tuaj që ishin në Skrapar u bënë me PD. Dhe këtu ka një paradoks?

Folëm për gjyshin nga babi e para, që ishin shumë solid me Luftën Antifashiste. Tani kalojmë te gjyshi nga mamaja. Gjyshi ka qenë një figurë kryesore në Tomorricë e Luftës Antifashiste dhe një njeri që ata e donin aq shumë sa edhe pas çlirimit, kur kërkonin të bënin diçka nuk thonin se çfarë ka thënë Enver Hoxha – ata nuk e njihin se ishte krahinë e thellë – dhe thonin se çfarë ka thënë Taip Vishanji. Por gjyshja ime ishte nga një zonë e Korçës, vinte nga një familje shumë e njohur e lidhur me “Ballin”.

Një e kishe ballist një e kishe partizan? Që atëherë keni qenë fiks për president, sepse një partizan dhe një ballist…

Jo, nuk ka lidhje. Kam përshtypjen se dajat e mi që patën të gjitha mundësitë dhe të gjithë fëmijët e gjyshit patën mundësi për shkolla, ndoshta mendonin se gjyshi për shkak të meritave në luftë mund të kishte merituar pozicione më të larta dhe ndoshta kishin një pakënaqësi tjetër, përveç pakënaqësive që kishin njerëzit nga situata ekonomike, etj. Dhe ata bashkë me Mustafa Nanon krijuan PD-në e Skraparit.

Dhe krijuat Partinë Demokratike dhe ju mbërritët si deputet i PS?

Unë vajta si anëtar i FRESSH-it.

Po në FRESSH kush ju ftoi?

Në FRESSH rolin kryesor e pati Sherif Bundo, i cili ishte pedagog në Fakultetin e Ekonomisë dhe Thoma Gëllçi, sepse Sherifi me Thomani kishin lidhje dhe jetonin në konviktet e Qytetit Studenti. Por nuk është se ishte thjeshtë kjo. Unë krijova një distancim nga PD-ja dhe njëkohësisht nuk më pëlqente që të gjithë po kalonin me PD dhe pata një ndjenjë si sfidë…

Për të vendosur një lloj balance?

Një lloj balance. Kjo ndoshta ka qenë më shumë, por kurrsesi për t’u marrë me politikë dhe asnjëherë për t’u bërë deputet, sepse unë isha ende deputet dhe kisha vetëm një qëllim për të mbaruar studimet në Shqipëri dhe të shkoja jashtë.

Me sa kujtoj unë nga vitet 1992-1993 akoma mendonit që mund të shkonit jashtë për studime. Ju jeni bërë deputet në moshën 22 vjeçare?

Në 22 mars jam bërë pa mbushur 23 vjeç.

Gati 22 vjeç. Në atë kohë ishit deputeti më i ri në Parlamentin e Shqipërisë…

Në atë kohë nuk doja të bëhesha deputet. Ne kemi vajtur në Skrapar për të krijuar FRESSH. Bëmë një takim atje dhe ka qenë Maqo Lakrori, Ndre Legisi dhe u kënaqën nga biseda që ne bëmë. Dhe më vonë më propozuan mua për deputet. Propozuan disa emra, një nga këta ishte edhe Xhevahir Spahiu dhe unë thashë se duhet bërë Xhevahir Spahiu. Ata insistuan që të bëhesha unë.

Nuk ishit shumë i ri që të bëheshe deputet?

As nuk më shkonte mendja. Nuk doja të bëhesha deputet. Më thanë: ti bëhu dhe më pas po të duash mbaro shkollën. Ishte diçka dhe mua më dukej sikur po i lija në baltë. Por ajo kishte edhe një prapavijë, sepse zona ku unë kandidova – sepse nuk ishte zona e Çorovodës dhe zona nga unë kam lindur në kufi me Përmetin – ishte Poliçani me Tomorricën dhe ishte një zonë e vështirë. Sepse Tomorrica ka qenë një zonë me shumë vështirësi dhe e ndarë edhe gjatë luftës…

Sepse në 1992-shin akoma votohej Ballist dhe Partizan?

Patjetër, patjetër. Edhe sot një përqindje e caktuar ndikon. Nuk është thjesht lufta, është një traditë, është një psikologji. Patjetër, ajo ishte shumë e theksuar sidomos në një zonë si Skrapari, ku kjo çështja e historisë, çështja e luftës…

22 vjeç u bëtë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, 23 vjeç u bëtë deputeti i parë të cilit iu hoq mandati, imuniteti parlamentar. Besoj duhet të jeni i pari në historinë e parlamentit pluralist që ju është hequr imuniteti.

Kam përshtypjen që i pari, ose unë ose Azemi, nuk e di kujt ia hoqën të parit. Dy javë më mbrapa Azemit.

Mandati juaj ka qenë, madje mbaj mend në atë kohë kam bërë një shkrim që thosha se telefonata e parë mes Nanos dhe Berishës përpara se Nano të futej në burg ishte për heqjen e mandatit tuaj të deputetit. Pra, një moment tensioni. Pse jua hoqën mandatin e deputetit?

Mandati i deputetit m’u hoq si një hakmarrje ndaj popullit të Skraparit, që ishte një popull i pabindur ndaj pushtetit.

Hakmarrje duket si fjalë propagandistike….

Për atë kohë realisht ishte hakmarrje, sepse mund të ta shpjegoj historinë. Partia Demokratike, ose le të themi më saktë z. Berisha në atë kohë dhe gjithë ministrat e tij, mendoj që e kishin të vështirë t’ia falnin atë qëndresën e paparë në 92-in, sepse ishte praktikisht i vetmi rreth që dy mandate që kishte, të dyja ia dha Partisë Socialiste. Aq sa u hodh edhe teoria publikisht nga PD-ja që duhet ta rrethojmë me tela me gjemba si një lloj presioni dhe kështu që mendoj se ky ishte një problem serioz. Dhe e dyta u bënë zgjedhjet lokale menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme në 22 mars

Zgjedhjet lokale u bënë në 26 korrik.

Po, më 26 korrik dhe në një kohë rekord, pra për 6 muaj, nga një fitore e paparë e PD-së…

…Pati një balancim.

Jo balancim, por praktikisht shumicën e bashkive i fitoi PS. Përveç disa qyteteve të mëdha.

Qytetet e mëdha i fitoi PD.

Në shkallë kombëtare u konsiderua si fitore e PS-së. Ishte një ndryshim i shpejtë në një kohë kaq të shkurtër. Kuptohet që fitoret në Skrapar ishin shumë të thella. Aty pastaj u krijua një ngjarje në Kombinatin Ushtarak të Poliçanit. Pati një problem me sindikatën. Unë në atë kohë sa isha kthyer nga Danimarka, se kisha qenë tre javë në një seminar atje për demokracinë.

Atje krijohet një përplasje ku dalin i gjithë populli kundër policisë. Ata përdorin forca speciale. Rrethojnë zonën atje. Kishte vetëm një televizor atëherë. S’ishte si tani. Në televizor ishin shpërndarë lajme “fake neës” që atëherë. Thoshin sikur këta kishin dalë në protestë me portretin e Enver Hoxhës, që s’ishte e vërtetë. Ishte një gënjeshtër. Dhe të gjitha këto bëheshin për të justifikuar një goditjet ndaj njerëzve.

Dhe ju shkuat ne Poliçan?

Po, dhe unë shkova në kundërshtim me rekomandimin e drejtuesve të Partisë Socialiste, të cilët nuk po kuptonin se s’kishte as telefonata. Nuk kishte mundësi kontakti. Nuk kuptonin ç’po ndodhte atje dhe thoshin që ti s’mund të shkosh atje se nuk dihet, se do të na akuzojnë ne se e kemi organizuar këtë gjë. Unë i thashë që do të shkoj, sepse unë jam deputetet atje, të jetë si të jetë kjo histori, ne s’kishim gisht në këtë histori të asaj proteste.

Si shkohej atëherë në Poliçan?

Unë shkova me një shofer që kishim ne. S’ishte shofer partie, ishte i joni si FRESSH. Ikëm atje dhe kur vemi ishte një situatë e paparë. Këta kishin marrë, rrethuar dhe mbajtur si peng dy drejtues policie, që ishte një gabim shumë i madh.

Ndërkohë që këta kishin marrë masa, kishin rrethuar gjithë zonën që ta bënin shembull popullin e Poliçanit, në mënyrë që askush të mos guxonte më të rebelohej dhe ndërhyrja ime bëri atë që unë i nxora që të dy këta drejtuesit e policisë. I binda protestuesit, i nxora dhe i çova në Berat. Në atë moment aty humbi arsyeja për të goditur apo për të vazhduar një operacion të madh ndëshkimi.

Dhe për këtë ju hoq imuniteti dhe u gjykuat, apo jo?

Po, unë i mora këta dy dhe i çova në Berat. Atje ishte Zëvendësministër në atë kohë Astrit Mehja. Njëri prej tyre ishte z. Pashk Tusha që ju e njihni, që po të kishte bërë Pashku një dëshmi tjetër unë do të isha në burg, se ai tjetri kishte qenë gati ta bënte. Por ai tha të vërtetën dhe kur unë i çoj tek Zëvendësministri në Berat, ai më thotë që këto punë i ke bërë ti. Pashku i thotë që jo ky është treguar shumë korrekt. Këto i di unë si di. Nejse unë vajta fjeta në Berat. Kur hap radion në mëngjes në makinë, dëgjojmë që këto i ka organizuar Ilir Meta, e budallallëqe të tilla. Edhe pastaj vazhdoj kjo histori me presione, me heqje imuniteti.

Deri sa ju dolët i pafajshëm?

Jo, qëllimi ishte më shumë që unë të largohesha nga Shqipëria.

Dhe ju donit të shkonit me studime në atë kohë jashtë?

Po unë doja të shkoja me studime, por s’kisha si të shkoja më.

Pse nuk shkuat?

E para, ngjarja e Poliçanit e ndryshoj komplet historinë time. Unë u bëra një figurë shumë e njohur edhe pse isha shumë më i ri se u bë një konflikt i madh, për parlament, për muaj të tërë, në media e kështu me radhë dhe ishte shumë vonë për mua, për t’u larguar.

Është e vërtetë që donit të shkonit të studionit në Rusi?

Jo, nuk është e vërteta kështu. E vërteta është që unë doja të shkoja jashtë edhe unë rrija tërë kohën me Dritëroin në parlament. Dhe tërë kohën rrinim bashkë ishte mënyra më e mirë për të rënë në sy, jo vetëm me Dritëroin, por edhe për të mësuar. Kështu që i them edhe Dritëroit një ditë vjen ambasadori hungarez. Unë po bëja aplikime.

Kishe filluar të aplikoje ku të mundeshe që të shkojë jashtë me studime? 

Po, po.

Ka qenë dhe Fondacioni Sorros atëherë që jepte bursa. Mund të ishe drejtuar edhe atyre?

Ta kisha ditur, do kisha vajtur patjetër. Vetëm doja ta ikja jashtë në ato kohë dhe bëj disa aplikime dhe i them ambasadorit Hungarez. Hungaria ishte gjë e jashtëzakonshme në atë kohë. Ishte një vend mjaft i rëndësishëm.

Dhe çfarë ju tha ambasadori?

Ai më tha, që ti mor djalë ke vetëm një problem që je socialist. Edhe unë i them Dritëroit për bisedën me ambasadorin. Ai më kthehet: e di çfarë ke ti mor djalë, meqë e ke kaq merak shkojmë tek ambasadori rus. Kishte raport shumë të mirë në atë kohë dhe shkojmë ne atje. Na priti shumë mirë dhe na dha disa variante.

Dhe ishe gati që të shkoje në Rusi për shkollim?

Unë isha gati. Doja ta provoja diçka jashtë.

Megjithëse ishe deputet?

Nuk më hynte në sy puna e deputetit. Ai na dha disa variante. U tregua shumë i sjellshëm, i disponueshëm shumë pozitiv, por pastaj ndodhi Poliçani dhe Poliçani ndryshoj komplet historinë.

22 –vjeç deputet i Parlamentit të Shqipërisë, 24 –vjeç Nënkryetar i PS-së, aq më tepër që kryetari ishte në burg…

Mendoj që edhe ngjarja e Poliçanit pati ndikim për t’u zgjedhur Nënkryetar.

Kryetari i Forumit Rinor Socialist në kohën që ai ishte avangard në raport me integrimin, sepse u bë anëtar i Internacionales Rinore EuroSocialiste, Zëvendëskryeministër në moshën 29-vjeçare dhe Kryeministër në moshën 30-vjeçare. Thonë që puna e parë administrative e juaja, rroga e parë në bordero ka qenë Kryeministër. Sot një njeriu mund t’i duket e çuditshme. A nuk i keni arritur në jetë shumë shpejt disa gjëra?

Nuk është se kam dashur unë që të bëhem Kryeministër. Në politikë do ose nuk do duhet ti përgjigjesh sfidës, jo thjesht dëshirës dhe ambicies tënde të momentit. Por këto kanë qenë rezultat i vetë situatës së Shqipërisë.

Ndërkohë ju në politikë keni njohur bashkëshorten tuaj. Kur ka ndodhur?

Kjo ka ndodhur para se të bëhej takimi i Eurosocialistëve në vitin 1991. Kjo ka ndodhur në zyrën e Musa Ulqinit dhe Monika më ra në sy, sepse ishim mbledhur një grup studentësh dhe Monika ishte më e vogla, 17 –vjeç.

Disa ishin nga Universiteti Bujqësor, disa nga Universiteti i Tiranës e ishte ideja se sa sjell ti e sa sjell unë, sepse ishte një problem i madh për të mbushur sallën ngaqë nuk ishte e lehtë. Dikush thoshte unë sjell 50, dikush 30 e dikush 20, e dikush mbante shënim. Kurse ajo tha unë sjell 300. Kur ajo tha 300 thashë se ç‘po thotë kjo, se si do i sjellë 300 vetë. Edhe i solli. Organizoi lënien shkollën “Petro Nini Luarasi” atë ditë që bëhej mitingu në Pallatin e Kongreseve, dhe të gjithë nxënësit lanë mësimin dhe erdhën në takimin e rinisë eurosocialiste.

Pra kjo ishte njohja e parë?

Po , kjo ishte.

Pra ju keni 26 vjet që njiheni?

Nuk i kam numëruar. Mua më duket sikur e njoh sot. Dhe nuk ka ndryshuar fare, sepse është si atëherë.

Është gjithmonë energjike. Zakonisht burrat shqiptarë nuk i kanë shumë qejf gratë që janë kaq aktive. Nuk je bërë pishman ndonjëherë që je martuar me Kryemadhin?

Jo, nuk jam bërë pishman, sepse mendoj për të gjithë sfidat dhe sakrificat me të cilat është karakterizuar e gjithë karriera ime. Mendo tani të kesh një grua që të thotë mos e bëj këtë kështu, ç’të duhet ta bësh këtë kështu. Do të ishte diçka jo e dobishme dhe interesante. Monika është një njeri që i do sfidat.

E që ju shtyn për këtë?

Jo, nuk është çështje shtyse, por është një frymëzim në moment të vështira.

Ky është një moment tranzicioni për LSI-në. A mund të jetë Monika Kryemadhi kryetare?

Monika Kryemadhi mund të ishte çdo gjë sot në Shqipëri nëse nuk do të kishte qenë bashkëshortja ime. Për shkak të rrethanave është normale që duhet të respektojmë edhe ndjeshëmritë e ndryshme. Por padyshim që LSI-ja ka disa figura që mund ta drejtojnë dhe ajo nuk mund të jetë e vetmja.

Kur e keni njohur për herë të parë Fatos Nanon dhe si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me të deri në vitin 1993?

Fatos Nanon nuk është se e kam takuar, por e kam ndeshur në takimet që bëheshin në fillim të shtatorit të vitit 1990 që vinin si të deleguar.

Kur ishte pedagog?

Ishte pedagog, por ishte dhe i deleguar nga Komiteti Qendror. Vinte vazhdimisht tek fakulteti, por nuk kisha ndonjë njohje me të. Por sigurisht ne për të krijuam një farë simpatie në kuptimin që vinte një Kryeministër me gjuhë të huaja në raport me ata të mëparshmit që dukeshin shumë jashtë kohe.

Fatos Nano ishte një botë krejt tjetër në raport me drejtuesit komunistë, pra ishte krejtësisht një botë tjetër.

Patjetër që krijoi një frymë krejt tjetër.

Për herë të parë në historinë e Shqipërisë u zhduk përkthyesi mbas shpinës së tij?

Krijoi një simpati.

U zhgënjyet kur e njohët si kryetar partie?

Unë mendoj se Fatos Nano ka vlera dhe kontribute të padiskutueshme në politikën shqiptare. Edhe si kryetar partie ai ka patur një rol të rëndësishëm në hapjen dhe demokratizimin e Partisë Socialiste.

Dhe ka sakrifikuar në një moment që Partia Socialiste të mbijetonte?

Patjetër që ka sakrifikuar. Ai, familja e tij, në mënyrë të padiskutueshme. Edhe më pas padyshim që ka meritat e tij të veçanta. Po të kishte menaxhuar pak më mirë atë aftësi të tij, sepse kishte shumë aftësi të mira.

Çfarë marrëdhëniesh keni me të tani?

Nuk është se kemi ndonjë raport.

Meqë sot Nano nuk është kaq aktiv në jetën politike si do ta vlerësoje si politikan? Ka mbetur akoma ajo mëria e përplasjeve tuaj në vitet 2004-2005?

Nuk është çështje mërish. Sepse po të jetë për mëri unë me Edi Ramën nuk do të kishim bërë kurrë koalicion. Raportet mia me Nanon nuk kanë qenë kaq dramatike le të themi. Natyrisht kanë qenë marrëdhënie jo të lehta, por unë mendoj se kanë qenë marrëdhënie që kanë patur vlerën e tyre edhe për Partinë Socialiste.

Po Berishën kur e keni njohur?

Berishën e kam njohur nga televizori. Më pas shumë vonë kemi patur mundësi për t‘u njohur. Kemi qenë një herë me Pandin që kërkuam të na priste në takim një delegacion nga Danimarka, por nuk kemi patur ndonjë raport. Me meksin kishim raporte, me Tritan Sheun po ashtu, por me Berishën ishte më i vështirë, sepse edhe raporti politik ishte shumë më i egër atëhere.

Pasi bashkëqeverisët katër vjet me Berishën në vitet 2009-2013, çfarë mendimi ruani për të?

Mendimin përsa i takonit bashkëpunimit në qeverisje e kam shumë të mirë. Këtë ua kam thënë të gjithëve, me Berishën po re dakord për një gjë duhet të jesh i qetë se ajo gjë nuk ka nevojë ta diskutosh për herë të dytë. Po nuk re dakord pastaj, është tjetër gjë.

  1. Meta, kur e keni njohur Edi Ramën dhe në çfarë rrethanash?

Hera e parë besoj ka qenë kur Edi ka qenë basketbollist, sepse basketbollistët e Dinamos, profesor Feti Borova i sillte te palestra ku bënim shtangë ne dhe bënin stërvitje. Aty besoj ka qenë si kontakt i parë. Besoj ka qenë viti 1988-89, por nuk është se kishim shoqëri. Këtu është si njohje e parë.

Më pas ju jeni ritakuar sërish kur keni qenë anëtarë kabineti në vitin 1998?

Aty është njohja më e afërt, ndoshta edhe gjatë kohës së opozitës mund të ketë qëlluar, por jo ndonjë njohje e veçantë.

Ka një lloj mosdurimi tuaj të Ramës? Duket sikur nuk e duroni dot herë pas here ju Ramën?

Së pari kjo nuk qëndron në rastin tim, besoj edhe në rastin e tij, sepse unë kam qenë përkrahësi kryesor për t’u bërë ai Kryetari i Bashkisë së Tiranës.

E dyta kam qenë mbështetësi kryesor, pasi u bë Kryetar Bashkie për ta mbështetur me fonde të jashtëzakonshme për Tiranën.

Së treti kur ka qenë Ministër Kulture, kam qenë mbrojtësi kryesor kur donin ta shkarkonin dhe ka qenë një konflikt i madh me Nanon, etj. Kështu që gjithmonë e kam mbështetur, e kam përkrahur dhe i kam dhënë mundësi që të tregoj aftësitë e tij për arsye edhe të rrethanave ndryshme.

Dikur e kam bërë me dëshirë. Ndonjëherë e kam bërë edhe pa dëshirë, por e kam bërë, sepse jam një politikan profesionist që duhet të respektojë rregullat e politikës, duhet të respektojë vullnetin e qytetarëve shqiptar.

A jeni zhgënjyer nga Rama? Po ju pyes në përgjithësi për të gjithë karrierën?

Të shikojmë përpara.

Cili ka qenë momenti më i rëndësishëm i juaji në karrierën e këtyre viteve në politikë?

Nuk e di, më duhet të mendohemi sepse kam qenë edhe shumë i lodhur këto ditë në kuptimin e ngjarjeve….

Ju keni nënvizuar vazhdimisht anëtarësimin e FRESSH-it në vitin 1994…

Po, ka qenë në vitin 1994 në Uruguai. Ajo ka qenë ngjarje e madhe për të gjithë Partinë Socialiste. Sepse PS ishte shumë e izoluar në atë kohë. Nano ishte në burg. E vetmja lidhje që kishim ishte me PASOK-un.

Kështu që nuk ishin parti të Internacionales. Kishin pas lidhje me Partinë Socialiste italiane, por ato ishin prishur dhe Partia Socialiste Italiane kishte dalë jashtë loje dhe atje faktor kryesor ishte Partia Demokratike e Majtë dhe nuk kishin lidhje në atë kohë.

Kështu që futja e FRESSH-it ka qenë ngjarje e madhe. Ka qenë një nga ditët më të lumtura të jetës sime, sepse filloi një histori e re. Kishte filluar me kontakte me lidhjet ndërkombëtare kur unë ika në Danimarkë. Përpara se të ndodhnin këto ngjarjet e Poliçanit dhe hyra në kontakt me socialdemokratët danezë dhe ata dolën si garanci edhe për anëtarësimin e FRESSH-it dhe më pas për shumë zhvillime pozitive në raport me të majtën evropiane.

Është e vështirë të merresh me politikë në Shqipëri?

Shumë e vështirë është. Por ka një problem. Po nuk u more t’i me politikën do të merret politika me ty dhe unë këtë vazhdimisht e theksoj në takimet me të rinjtë.

Politika është e pashmangshme dhe sado e vështirë të jetë, dikush gjithmonë duhet marrë dhe është mirë kur merren njerëz të përgjegjshëm në mënyrë që ta bëjnë atë më pak të vështirë për njerëzit dhe më ndihmuese për të.

Si shpjegohet z. Meta që biznesmenë të suksesshëm, njerëz të pasur, njerëz që kanë një lloj karriere janë gati t’i lënë të gjitha për t’u marrë me politikë. Kaq shumë përfiton nga politika apo është vetëm iluzion?

Është për të ardhur keq. Po lexoja edhe një status të z. Dokle. Jo atë pjesën që të ka pëlqyer ty, por pjesa që ka lidhje me këtë gjë. Thoshte kam një nostalgji të jashtëzakonshme për grupin parlamentar 1992-1997. Aty tek 1997 Namiku nuk është i saktë në fakt se në vitin 1996-1997 ne vetëm 6 deputetë ishim dhe nuk vajtëm në Parlament. Por në vitet 1992-1996 ai ka parasysh periudhën dhe po të shikojmë grupin parlamentar të PS-së, por edhe të PD-së, ka pasur shumë personalitete.

Por grupi parlamentar i PS-së që Partia Socialiste kishte 36 deputetë dhe PD kishte mbi 100, i kishte të gjitha shumicat të bënte si të donte dhe që ishte një grup me pak mundësi për komunikimin. Sepse parlamenti drejtohej në atë mënyrë që drejtohej, televizioni ishte komplet i kontrolluar në çdo gjë, por ishte një nivel, ishte një pasion i jashtëzakonshëm i gjithë këtyre kolegëve që ishin shumë më të rritur dhe përbërja e atij grupi ishte jashtëzakonisht cilësore.

Dhe ai ndryshimi që ndodhi në 6 muaj, unë mendoj që ndodhi për shkak të mesazheve që jepte ai grup. Dhe ai grup mjaft cilësor përmbysi një paragjykim shumë të fortë për PS-në dhe u përmbys falë imazhit edhe cilësisë së mendimit, përfaqësimit.

Por z. Dokle në këtë status thoshte se në atë kohë grupi parlamentar ishte shumë më idealist. Kam përshtypjen se politika sot është bërë shumë pragmatiste. Njerëzit futen në politikë edhe për të përfituar benefite…

Padyshim që gjithë këto elementë janë, por kryesorja unë mendoj është përgjegjësia e lidershipit, e të gjithë neve që duhet të japin shumë mundësi, që të përfaqësohen në parlament njerëz të cilët e kanë vëmendjen më shumë te politikat, te ligjet se sa thjeshtë tek interesat e tyre. Dhe padyshim që një madh i hap mbrapa për demokracinë në Shqipëri është kodi zgjedhor i vitit 2008 sepse atëherë ishte sistemi mazhoritar.

Të vendosje njerëz të mirë dhe të zot. Ju keni 3 fëmijë, sa e ndiejnë të pasurit të babait dhe nënës politikanë të angazhuar gjithë kohës. A i mungoni familjes?

Sigurisht që i mungojnë. Është një thënie që njeriu rri më pak në jetë me ato që do më shumë. Dhe kjo vlen më shumë në këtë rast. Por përpiqemi sa të keni mundësi të rrimë me ta. Ndonjëherë mund të rrish me ta dhe nuk je me ta, sepse mendjen e ke vend tjetër.

Ka ndonjë prej tyre të merret me politikë?

Dy të rriturit jo, nuk kanë ndonjë dëshirë. E vogla ka dëshirë këngën.

Dy të mëdhenjtë nuk kanë dëshirë të merren me politikë?

Jo, ose të paktën nuk e shprehin.

Ju keni kaluar një fëmijëri dhe rini që ka qenë e vështirë për arsye të rrethanave dhe kushteve që ka qenë Shqipëria. E kuptojnë fëmijët tua?

Nuk e di. E vështirë është në këtë gjë. Por shpesh kur i flasim djalit se shiko në kohën tonë kishim këto vështirësi, kishim këto halle dhe ti mos u përkëdhel shumë, dhe thotë çfarë faji kam unë që kam lind në këtë kohë dhe jo atë.

E kanë të vështirë që të kuptojnë atë kohë, sepse nuk e kanë jetuar, por sidoqoftë ne përpiqemi që ata të jenë të dashur me shokët, të jenë të thjeshtë, të jenë bashkëpunues, të jenë socialë.

Jeni i kënaqur me mënyrën si ka shkuar karriera juaj politike, sot që bëheni 26-27 vite në politikë?

Nuk është ky problemi im. Unë nuk ndjehem i qetë me atë që situata në vend nuk është ajo që unë do të doja të ishte përpara 10 vjetësh, përpara 20 vjetësh dhe natyrisht që ndjej edhe unë një përgjegjësi, aq sa e kam edhe unë…

Si një nga aktorët kryesorë…

…Në raport me demokracinë, me institucionet, me ekonominë, me problemet sociale, pra është një situatë që nuk më bën të lumtur dhe ky konflikt kaq i madh, a thua se jemi në 92-in, kur nuk është kjo situata reale midis qytetarëve tanë poshtë.

Në fakt kisha vetëm tre pyetje politike aktuale. Thashë vetëm këto trija do ju bëj në fund. E para, si do të shkojë dhe a mendoni ju që do të ketë zgjedhje pa Partinë Demokratike në vend?

Asnjëherë nuk më ka shkuar në mendje kjo gjë dhe çdo ditë kam punuar dhe do të punoj dhe do të përpiqem, nuk e di ç’mund të bej që kjo gjë të mos ndodhë.

Ju e dini, qëndrimet e mia kanë qenë mjaft të forta, që nga ideja e qeverisë së besimit, që nga ideja që LSI është gati të lerë postin e Kryetarit të Kuvendit, që nga pozicionet e ministrave të LSI-së që ne i dorëzojmë për një zgjidhje politike, dhe shumë mesazhe të tjera: që nga thirrja e Partisë Popullore Evropiane ku është anëtare Partia Demokratike për të ndihmuar në këtë dialog. Ky dialog nuk ndodhi.

Unë thashë qeveri besimi, por nuk ndodhi as dialogu asgjë tjetër. Edhe sot nuk kemi një dialog, kemi një komunikim me palë të treta. Padyshim që Partia Demokratike duhet të marrë pjesë në zgjedhje, opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhje, por edhe duhet luftuar për standardet e zgjedhjeve. Unë nuk po them që kjo mazhorancë synon të bëjë zgjedhje ideale…

Afatet po digjen z. Meta…

Jam shumë dakord. Por duhet të bëjë çdo përpjekje dhe vetë opozita për të hyrë në këtë proces, për të marrë disa garanci të rëndësishme, por edhe për të luftuar për disa të drejta të rëndësishme. Unë kam një pyetje për ju: Në rast se LSI në vitin 2008, kur u bë Kodi nga dy partitë e mëdha brenda 24-orëshit – u bë vetëm për të eliminuar LSI-në, jo thjesht LSI-në si LSI, por një force të re që ndryshe nga të tjerat mund të vazhdonte procesin e rritjes dhe ta ndryshonte situatën politike në vend- në qoftë se LSI, pasi bëri grevën e urisë e pasi bëri çdo gjë do të kishte bojkotuar, çfarë do të kishte ndodhur? Do të ishte shuar si forcë politike.

Ecim në situatën konkrete. PD mund të jetë në të drejtën e saj dhe unë i kam dhënë të drejtë të hapur për dekriminalizimin, për blerjen e votës, për kanabizimin, për çdo gjë, por, edhe do të hysh në një proces, edhe do të luftosh. Nëse ke mendimin që komisionerët e tu të gjithë shiten, sepse i blen tjetri, nëse ke mendimin se ti nuk dokumenton dot asnjë parregullsi…

  1. Meta, nëse zgjedhjet do të zhvillohen në 18 qershor, megjithëse z. Basha ka thënë që nuk do të zhvillohen zgjedhje, në shtator ju do të jeni president i një vendi që do të shkoni në parlament, ku minimalisht një e treta e popullsisë së vendit nuk është paraqitur në votime dhe ku salla është plotësisht njëngjyrëshe.

Nuk e dëshiroj këtë gjë.

A do ishte shumë mbrapa për vendin pas 27 vjetësh.

Patjetër që është shumë mbrapa, nuk e dëshiroj këtë gjë. Një nga arsyet që unë e pranova në rrethanat që u krijuan postin e Presidentit, sepse kjo nuk ka qenë, pavarësisht se çfarë është thënë dhe çfarë thuhet, ky nuk ka qenë as plani im dhe as projekti i LSI-së.

Ka qenë pjesë e marrëveshjes me Ramën thuhet…

E para, marrëveshja është që PS dhe LSI do ta zgjidhnin presidentin me konsensus, qe kur është bërë marrëveshja në Shkodër dhe kjo natyrisht që nënkuptonte që Presidenti do të ishte dikush nga njëra ose nga tjera. Normalisht nga LSI ose me konsensusin e LSI. Por PS nuk i kishte 71 mandate, sepse po ti kishte 71 mandate, kishte gjithë legjitimitetin që të thoshte edhe Presidenti edhe Kryeministri më takon mua, etj. Dhe gjithmonë PS ka qenë e hapur që këtë post ta marri LSI dhe Ilir Meta. Ne nuk kemi qenë dakord për variantin e fundit sepse qëllimi im ka qenë për të drejtuar këtë fushatë të LSI.

Kështu më jeni përgjigjur edhe para një viti që unë do të jem në fushatë, si Kryetar i LSI?

Vijmë në një situatë të tillë sepse është hera e parë që momenti i zgjedhjes së Presidentit përkon me zgjedhjet e përgjithshme. Dhe është një moment shumë delikat. Dhe për herë jemi në një situatë ku opozita vë disa kushte ose përndryshe unë nuk hynë në zgjedhje. Dhe ndodhin dy procese në të njëjtën kohë. Procedurat kushtetuese janë të pashmangshme për të filluar dhe filluam me djegien e raundeve. Dhe në këto kushte unë kam insistuar që në fillim, që Presidentin ta ofrojmë si një mundësi për të qenë pjesë e një pakete bashkë me zgjedhjet. Pra, për t’i dhënë një lloj mirëbesimi opozitës. Dhe ky ka qenë insistimi im kryesor, si kryetar i LSI me idenë që Presidentin ta marri opozita, s’ka asnjë problem. Le të paraqesin dy-tre kandidatura. Kush është kandidatura më e pranueshme edhe për Partinë Socialiste, mund të jetë President i vendit dhe kjo të jepet në mënyrë të tillë që të rrisë besimin përveç elementëve të tjerë.

Nuk ishte dakord Partia Socialiste?

Sigurisht, që PS nuk ishte dakord me këtë. PS ishte që ta zgjedhim bashkë. Na takon ne, siç është e vërteta. Dhe LSI dhe këtë pozicion do ta marrësh ti normalisht.

Dhe ju e pranuat?

Jo, unë thashë ky pozicion do të vendoset pjesë e paketës me opozitën. Për një, dy, tre, katër arsye. Plus që unë nuk kisha asnjë dëshirë. As tani sepse ishim përgatitur për zgjedhjet e 18 qershorit, por as në një të ardhme që të zgjidhesha në një parlament, ku nuk është opozita. Nuk e kam pasur asnjëherë këtë dëshirë. Kështu që vijmë në këtë situatë, ku bëj çdo përpjekje, i bëj kërkesë zyrtare PPE, ku vijnë përfaqësuesit e PPE, ku dorëzohet një projekt për të dy palët. Pranohet, ku më pas falë insistimit tim, në mënyrë të veçantë, pothuajse u pranua shtyrja e zgjedhjeve me një muaj. Pranohet që të përzgjidhet në mënyrë konsensuale katër ministra në katër ministri, që opozita mendon që mund të ndërhyhet. Edhe shumë element të tjerë. Të jepet Kryetari KQZ. Të jepet e drejta për të propozuar Avokatin e Popullit, siç ja dha dhe PD.

Pse jo me një qeveri teknike, me një Kryeministër të propozuar nga mazhoranca, të aprovuar në opozitë? Të fushën vendin në një shkatërrim për 45 ditë?

Ky nuk është një moment që mund ta zgjidh unë. Ky është një moment, i cili kërkon edhe një racionalistet politik nga të gjithë. Që do të thotë, në qoftë se z. Rama jepte këtë zgjidhje, patjetër unë do ta duartrokisja fort. Por në momentin që situata kthehet edhe nga opozita në diçka personale edhe unë e kam të vështirë, po flasim në pozicionin e mëparshëm, si Kryetar i LSI, që të imponojë diçka që normalisht nuk është se është legjitime. Se ose duhet të bësh votat për të shkarkuar Kryeministrin dhe pastaj mund mos hyj ai në zgjedhje, ose do dalësh të bashkosh njerëzit për të protestuar përsëri, gjë që nuk i shërben stabilitetit të vendit. Dhe të vijmë tek Presidenti. Në rast se ne nuk do të kishim bërë këtë zgjidhje ditën e premte, situata mund të ishte e tillë që ose PS do detyrohet të vendoste një President që mendonte ajo.

I kishte votat?

Edhe po të mos i kishte votat i bënte. Nuk është ndonjë problem i madh, nuk është ky problemi. Por problemi i legjitimitetit do të ishte, se si u bënë votat. Ose do të konsumoheshin edhe ato dy raunde dhe do të shkonim në zgjedhje të parakohshme që do ta bënte edhe më të vështirë situatën në vend.

Kështu që në këto rrethana, në këto kushte mendoj që ky veprim që unë bëra ishte një investim për stabilitetin dhe për demokracinë në vend për 5 vitet që vijnë. Cili do të jetë efekti i tij? Këtë do ta shohim. Angazhimi im do të jetë maksimal në shërbim të këtyre dy elementëve, stabilitetit dhe demokracisë. Sepse unë jam për stabilitet po jo për stabilitet pa demokraci. Jam për demokraci, por jo për kauzë që na çon në destabilitet.

27 vjet politikan, ndoshta politikani më jetëgjatë në këtë vend së bashku me Berishën e katër pesë të tjerë. A e kuptoni që vendi është pranë katastrofës?

Për këtë arsye kam qenë i hapur të bëj çdo gjë dhe nuk dua tu kthehem historive pse unë dhashë dorëheqjen si kryeministër sepse besoj se ju e dini dhe nuk kemi pse të marrim shumë kohë. Unë jam gati të bëj çdo investim që mund të bëhet për këtë çështje por duhet që të gjithë të tregojnë vullnetin e tyre.

Si mund të shihni nesër një parlament pa opozitën, një parlament monokolor. Kam edhe një pyetje, megjithëse nuk ju takon ju sepse ju nuk jeni më kryetar i LSI. Po ju jeni shprehur që nëse Edi Rama bën 71 mandate LSI del në opozitë. Do ta ruajë kryetari i ardhshëm këtë premtim tuajin?

Ju duhet ti drejtoheni kryetarit të ardhshëm.

A do të mbijetojë LSI ja pa ju?

Mund ta them shumë sinqerisht? LSI pa mua do të shpërthejë në kuptimin e mirë të fjalës. Për dy arsye. E para LSI ka qenë partia që është ndeshur me dallgët më të egra të politikës shqiptare që mund të ndeshet një forcë e re dhe ka mbijetuar me sukses.

Ka qenë gjithmonë faktor stabiliteti, ka ndihmuar proceset integruese të vendit. Ajo që është më e rëndësishme është se sot ndryshe nga 2005, 2009, ndryshe edhe nga 2013, LSI-ja ka një mbështetje të jashtëzakonshme nga rinia e Shqipërisë, ka një organizatë të jashtëzakonshme model dhe gjithë fuqia e saj vjen nga rinia nuk vjen nga qenia në pushtet. Madje qenia në pushtet ndonjëherë është një problem për LSI.

Problem është të dalësh edhe nga pushteti?

Absolutisht në këtë rast jo. Unë kam qenë një politikan që kam ikur nga pushteti dhe kam dalë në opozitë. Unë e kam filluar në opozitë. Mua më pëlqen opozita sepse më pëlqen demokracia. Dhe të rinjtë duhet të mësohen me këtë.

Po kur je në pushtet e ke siklet të kthehesh në opozitë, kur e nis në opozitë është gjithmonë më mirë?

Mua kjo gjë nuk më ka ndodhur asnjëherë.

Edhe një pyetje të fundit. Ka shumë veta që mendojnë që kjo është fitorja më e madhe e Ramës sepse ju nxori në një pension politik duke ju çuar si president i vendit.

Ai duhet të kuptojë që unë këtë investim nuk e bëj as për z. Rama, as për Zotin Meta. Unë mendoj se ky është një investim dhe që është në interes të vendit. Në interes afatgjatë. Ndoshta nuk mund të jap ndonjë kontribut të veçantë në ditët që vijnë. Në fakt unë nuk jam president. Unë do të jem president më 24 korrik.

Unë shpresoj dhe do të doja të bashkëpunonim edhe me presidentin Nishani me të cilin kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe i cili është padyshim afër partisë Demokratike për shkak të background në raport të besueshmërisë që të bëjmë çdo gjë që mund të bëjmë në orët, në ditët që vijnë.

A ka më kohë?

Unë besoj gjithnjë ka kohë kur ka vullnet. Nëse nuk ka pretekst sepse kështu ne gjithmonë mund të gjejmë pretekst që jo s;ka kohë apo ka kohë më tepri.

Vendi ka pësuar një dëm të madh në imazh dhe mund të jetë një dëm më i madh dhe katastrofik në rast se kjo gjë nuk parandalohet. Kështu që duhet të bëjmë çdo gjë në këtë drejtim. Mesazhet e mia gjithmonë kanë qenë edhe kur kam qenë Kryetar i LSI unë i kam dhënë të drejtë opozitës për shumë çështje, kam qenë edhe në konflikt edhe me Kryeministrin Rama, edhe me drejtues të Partisë Socialiste. Edhe gjatë reformës në drejtësi kur kam vënë re se ata kanë patur të drejtë. Dhe këtë e kam bërë hapur.

 

SHKARKO APP