Ilir Meta: Iku koha kur Shqipëria qeverisej me tuta dhe batuta
Kreu i Kuvendit dhe Presidenti i Zgjedhur, Ilir Meta në mitingun përmbyllës të Durrësit u shpreh se LSI do të jetë forcë e parë në zgjedhjet e 25 qershorit.
Meta bëri akuza të rënda ndaj drejtuesve të Partisë Socialiste për drogën dhe krimin në vend. Meta tha se për një dritare pa leje shkojnë njerëz në burg, ndërsa në Ishëm ndërtoheshin avionë me drogë.
Meta tha se ka ikur koha kur “Shqipëria qeverisej me tuta dhe me batuta”, duke ju referuar fushatës që po bën kreu i qeverisë, Edi Rama.
“Edhe 72 orë dhe Shqipëria do të shpëtojë nga sëmundja më e rëndë në këto 4 vjet. Nuk do të ketë më fjalë zhgënjim në fjalorin e gjuhës shqipe, por do të ketë mavi. Mavi do të thotë mashtrim, manipulim dhe pabesi. Sepse turpin e ka provuar mjaftë mirë. Mavi do të thotë tua japësh shtetin të fortëve, të varfërve dhe të jesh i nënshtruar ndaj tyre”,- tha Ilir Meta.
Kreu i Kuvendit u shpreh se shqiptarët do të votojnë për punësimin dhe zhvillimin e vendit dhe jo për Rilindjen. “300 mijë Shqiptarë u larguan në 4 vjet. 200 plotësuan lotarinë amerikane. Por janë mbi 700 mijë që kanë vendosur të qëndrojnë në Shqipëri, të votojnë LSI dhe ti thonë jo Rilindjes. Le të vijnë vërdallë nëpër Shqipëri më autobusët e administratës, do ta pësojë shumë rëndë”,- tha Ilir Meta.
https://www.facebook.com/levizjasocialisteperintegrim/videos/1611262688886983/
Fjalimi i plotë i Ilir Metës: LSI, forcë e parë, forcë e paparë. Mesazhin e parë sot nuk e kam për ju, por e kam për të rinjtë dhe të rejat e Tiranës: Forca këto 72 orë që ta fitojmë bastin me Lefter Kokën dhe me Durrësin. Në këto zgjedhje nuk ka garë me humbësit, me frikacakët që dridhen nga vota e lirë e durrsakëve, e tiranasve, e tropojanëve dhe e sarandjotëve. Nuk ka garë as me Tomin dhe as me Xherrin. Në 25 qershor ka vetëm një garë, midis LSI-së së Tiranës, LSI-së së Durrësit dhe LSI-së së Fierit nesër. Sot mund t’ju njoftoj me kënaqësinë dhe përgjegjësinë më të madhe që Lëvizja Socialiste për Integrim është jo vetëm forcë e parë në Tiranë, por edhe në Durrës, edhe në Fier. Nuk po flasim për Gjirokastrën, ku Tomi dhe Xherri duan të lënë pa votuar minoritetin grek. Nuk po flasim për Beratin, por po flasim për tre qarqet më të mëdha të Shqipërisë, ndaj dua të falënderoj të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Durrësit, LRI-në e Durrësit, me Arbin që do të jetë deputeti i LRI-së së Durrësit në Parlamentin e ardhshëm, por edhe gjithë të tjerët. Dua të falënderoj prindërit e këtyre të rinjve dhe të rejave të mrekullueshëm. Edhe 72 orë dhe Shqipëria do të shpëtojë nga sëmundja më e rëndë që përjetoi në katër vjet, nga zhgënjimi më i thellë që përjetoi në katër vjet, nuk do të ketë më fjalë ‘zhgënjim’ në fjalorin e Gjuhës Shqipe, por do të ketë ‘mavi’. Mavi do të thotë: mashtrim, manipulim dhe pabesi. Dhe këtë Durrësi e ka provuar mjaft mirë. Mavi do të thotë që t’ua japësh shtetin të fortëve, të dhunshmëve, oligarkëve, të jesh i nënshtruar ndaj tyre dhe të tregosh forcë, dhunë dhe arrogancë ndaj hallexhinjve dhe njerëzve të thjeshtë.
300 mijë shqiptarë u larguan në katër vjet, 200 mijë të tjerë kanë plotësuar Lotaritë Amerikane dhe Kanadeze, por janë mbi 700 mijë sot që kanë vendosur të qëndrojnë në Shqipëri, që kanë vendosur t’i thonë Po drejtimit të ri me LSI-në në krye. Edhe tre ditë për 1 milion grushte kundër oligarkisë dhe pabesisë. Edhe tre ditë për të bërë 1 milion zemra për Shqipërinë, për demokracinë. Le të vijë vërdallë në Shqipëri me autobusët e administratës, kreu i mavisë është i pashpresë, do ta pësojë shumë më rëndë se në ‘94-n, kur ai miku im bëri një referendum për të marrë të gjitha pushtetet për vete. Jo, më 25 qershor, populli shqiptar do të tregojë se Ilir Meta, por edhe Tomi e Xherri kanë vetëm një votë dhe janë 3 milionë votat pushteti i vërtetë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Durrësi dhe e gjithë Shqipëria është ngritur në këmbë, sepse taksat tuaja, sepse borxhet që merren në emrin tuaj nuk mund të shpenzohen më për rrush për kumbulla, për palma, për beton dhe për fasada. Ato do të shpenzohen për të hapur 170 mijë vende të reja pune. Taksat e larta të Rilindjes vranë vendet e punës, dëmtuam dhe shkatërruan mbi 20 mijë biznese, dhe ndërkohë që shumë hallexhinj u burgosën u dhunuan, oligarkët me vendime dhe më akte të Rilindjes i fshinë borxhet që kishin ndaj OSHEE-së dhe ndaj Tatimeve.
Ju e dini shumë mirë që nuk pati vullnet për të bërë shtet, por për të bërë qamet. Ata që flasin për zbatimin e ligjit, a nuk ishin ata që donin të fshihnin para Durrësit dhe Shqipërisë aeroportin e drogës që kishin bërë në Ishëm, kur u ra piloti me gjithë kanabisin, sepse si tamahqarë që janë kishin ngarkuar kanabis më shumë se sa duhet tek avioni. Për një dritare pa leje, që një banor në Sukth apo një banor në Ishëm, i shkon policia e merr e keqtrajton, e dhunon, por për aeroportin e Ishmit nuk u shkarkua askush, nuk u ndëshkua askush. A nuk e di gjithë populli i Durrësit se si janë vrarë njerëzit në mes të këtij qyteti dhe askush nuk ka mbajtur përgjegjësi, sepse policia në vend që të zbatonte ligjin u bë palë me bandat kundër njëra-tjetrës dhe kundër qetësisë dhe sigurisë publike. A nuk e di gjithë Durrësi, për atë që flet për portin e Durrësit, se kush i fik skanerat e Doganave ku kalon droga për në Itali e kush ka mbajtur dhe mban përgjegjësi për këto akte mafioze. Sepse ajo që na u paraqit si Rilindje ishte mavija e krimit, e korrupsionit dhe e kapjes së shtetit. Iku koha kur Shqipëria qeverisej me tuta dhe me batuta. Shqipëria dhe Durrësi kërkojnë vizion, kërkojnë transparencë, kërkojnë përgjegjshmëri dhe kërkojnë dashuri për qytetarët më të thjeshtë të këtij vendi që vuajnë më shumë dhe që kanë nevojë për mbështetje dhe kujdesin më të madh të shtetit dhe të qeverisë.Ndaj ne do të jemi forcë e parë. Por nuk do jemi vetëm forcë e parë, do jemi forcë e paparë! Sepse jemi forca e rinisë së Durrësit, e rinisë së Shqipërisë. Uragani rinor është nisur dhe po i duken 72 orët si 72 muaj. Nuk ka gjumë këto dy ditë, në minutat që vijnë. Ka vetëm fitore dhe marshim i vendosur kundër oligarkisë, për të mirën e Shqipërisë, të rinisë dhe të fëmijëve tuaj. Faleminderit për mbështetjen më të madh që ju i jepni kandidatëve tanë dhe kapitenit tonë Lefter Kokës. Faleminderit për besimin që ju i jepni të rinjve dhe të rejave tona në këtë ekip të mrekullueshëm.
Kam edhe një mesazh për të gjithë ata qytetarë të Durrësit që e kanë pasur të vështirë, që të vijnë sot këtu. Së pari keni bërë mirë për një arsye, sepse ky shesh është kaq plot sa do të shtrëngoheshin njerëzit shumë në këtë të nxehtë të madh. Së dyti, ju përshëndes të gjithëve nga këtu dhe po ju them se sot Durrësi, jo vetëm është zgjuar, por Durrësi sot edhe është rebeluar dhe Durrësi nuk ka dalë thjesht këtu për LSI-në. Durrësi ka dalë këtu, sepse e shikon LSI-në si garanci për demokracinë e Durrësit dhe të Shqipërisë.
Durrësi ka dalë këtu, sepse është shokuar kur ka parë këto ditë se si bandat e rilindjes dhunojnë gra dhe vajza të reja në Pukë, kur shikon se si banditët e rilindjes me armë në dorë, në mbrojtjen e shefave të policisë përgjegjës për drogën, dhunuan një mësues të shkëlqyer në Fushë-Krujë, Blerimin. Durrësi ka parë se si në Lezhë dhunohen aktivistët dhe përkrahësit e LSI-së nga elemente që janë në kërkim, të cilët kontrollojnë drogën dhe kanabisin atje. Durrës ka parë se si është dhunuar një fëmijë, në maturant në Zharrëz, vetëm e vetëm se tha se do të votonte për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Dhe Durrësi, si një qytet i ndjeshëm dhe i mençur, nuk i toleron akte të tilla dhune dhe pabesie, arrogance dhe urrejtjeje ndaj demokracisë dhe ndaj lirisë.
Sepse qytetarët e Durrësit e dinë shumë mirë se çfarë presionesh monstruoze po u bën Rilindja të gjithë punonjësve të administratës. Dhe unë e di shumë se cila do të jetë përgjigja e Durrësit, jo vetëm sot por pikërisht më 25 qershor. LSI-ja do të jetë jo vetëm forcë e parë por mbi të gjitha forcë e paparë.
Se LSI-a është një energji pozitive për të gjithë shqiptarët, se LSI-a nuk i ndan shqiptarët në jugorë dhe veriorë, në qytetarë të kategorisë së parë dhe në qytetarë të kategorisë së fundit. LSI-a është energjia më integruese e të gjithë shqiptarëve, më përbashkuese, më gjithëpërfshirëse. LSI-a është forcë e integrimit. Jo rastësisht ne jemi forca e parë në minoritetin grek. Jo rastësisht i gjithë komuniteti maqedonas në Shqipëri mbështet LSI-në dhe përfaqësohet në listat e LSI-së. Jo rastësisht LSI-a ka kandidate me origjinë malazeze. Sepse ne i duam, i respektojmë të gjithë qytetarët e Shqipërisë pa dallim. Ju kërkoj falje sepse kur shikoj këtë shesh kaq të paparë dhe kaq të kuq mund të rri edhe tri ditë por i kemi dhënë fjalën njëri-tjetrit që do të rrimë sa më pak me njëri-tjetrin këto 3 ditë. Duhet të gjejmë, të kërkojmë vota të reja për të vajtur nga 700 mijë në 1 milion ditën e diel më 25 qershor. Jo më kot ne jemi të parët në listën e votimit. Që jo vetëm rinia e Shqipërisë të votojë shpejt por edhe prindërit tanë, edhe gjyshërit tanë, të mos lodhen duke kërkuar LSI-në në listën e votimit dhe të shkojnë atje tek 1. Dhe jo rastësisht mavia është 2, sepse të gjithë mësuesit dhe nxënësit e dinë që nota më e ulët është dyshi, për ata që nuk bëjnë detyrat. Rroftë rinia e mrekullueshme e Durrësit! rroftë rinia e Shqipërisë! Kjo nuk është sfida e Ilir Metës, Petrit Vasilit apo Lefter Kokës. Kjo është sfida e rinisë së Shqipërisë për të treguar atdhedashurinë e saj. Forcë e parë, forcë e paparë! Fitore! Fitore! Fitore!Dhe e fundit. Ju jap fjalën që më 25 qershor në mbrëmje, përpara se të kalojë për në Kavajë, për të festuar fitoren e Maksim Konës, kryetari i Bashkisë së Kavajës, do të vij këtu, të festojmë Durrësin, forcë të parë me LSI-në. Fitore!