Ilir Meta, për Ramën dhe Bashën: Më 26 qershor do t’i luteni Petrit Vasilit
Ish-kreu i LSI-së Ilir Meta ishte sot në takimin elektoral të zhvilluar me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj force politike në Kamëz. Në fjalën e tij, Meta ka folur për projektin e LSI-së dhe diferencën e madhe cilësore që kjo forcë ka me partitë e tjera.
Gjatë fjalës së tij, Meta u shpreh se energjia dhe suksesi i LSI janë të rinjtë. “Mesazhi i të rinjve është mos ua lini Shqipërinë oligarkëve. Merreni Shqipërinë në duart tuaj. Ne nuk kemi në lista biznesmenë që vënë gjoba”,- tha Ilir Meta.
Ish-kreu i LSI-së u shpreh se LSI ka bërë koalicione vetëm në interes të vendit. “LSI ka qenë në koalicion në 2009 me PD se lidershipi i PS refuzoi koalicionin me LSI, se donte ta merrte timonin që atëherë i vetëm, por LSI e bëri koalicionin me PD për stabilitetin e vendit dhe gjatë atyre katër viteve ka dy ngjarje madhore që do mbeten përgjithmonë, liberalizimi i vizave dhe tjetra nga gazsjellësi TAP, një nga veprat më të mëdha për të ardhmen e Shqipërisë.
A ka qenë LSI në koalicion me PS? I ka vënë vetëm një kusht, kur ka prishur kontratën ne mënyrë të rregullt me PD, të votonte 3 ligjet për integrimin evropian që i kishte bllokuar para zgjedhjeve të vitit 2013 dhe asnjë tjetër. Ne kemi qenë edhe në koalicion me PD, edhe me PS, por si garanci e stabilitetit të vendit, të qeverisjes. Po çfarë kërkon LSI tani? Po, LSI as në 2009 as në 2013 nuk ka pasur drejtimin e qeverisë, ndaj kërkon të jetë forcë e parë që të ketë drejtimin e qeverisë që të forcojë stabilitetin e vendit dhe të çojë përpara reformat, në mënyrë që qeveria të jetë shembulli i transparencës, që pasuritë natyrore të vendit të mos jepen fshehurazi dhe në mënyrë të dëmshme për interesat madhore të vendit”, tha Meta gjatë një takimi elektoral të LSI-së në Kamëz.
Duke folur për zgjedhjet e ardhshme, Meta u shpreh se “LSI dhe kryetari Vasili do të bëjnë vetëm koalicione programore ne interes te vendit. Ti japim fund kohës së komedisë One Man Show”,- tha Meta.
Meta bëri dhe një parashikim për rezultatin pas zgjedhjeve. Ai tha se Rama dhe Basha që sot janë hedhur sot në sulm ndaj LSI-së, pas zgjedhjeve do mbajnë radhën të takojnë kryetarin Petrit Vasili.
“Të gjithë ata janë vënë në garë (Rama-Basha) pasi u shanë me njeri-tjetrin dhe na nxorën bojën në gjithë botën, sot u thonë mos rrini më LSI-në, ejani te ne. Mbajeni mend këtë që po them, më 26 qershor ju (të LSI) nuk do keni mundësi ti telefoni Vasilit për t’i uruar fitoren sepse nuk do tu lënë radhë ata. Ata do futen në sherr kush do arrijë në telefon i pari Petrit Vasilin i pari. Do i thonë: “Vëlla urime, ti lëmë ato që bëmë, por tani ti e kupton si është situata. Romeo dhe Zhuljeta nga tragjedi tani do përjetohet si komedi, komedi e paparë”,- tha Ilir Meta.
Fjala e plotë e Ilir Metës
Ditën që unë, pas zgjedhjes si President, dhashë dorëheqjen si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, kur vajta në selinë e LSI-së, pashë qindra të rinj, të cilët po brohorisnin për diçka që nuk po e kuptoja dhe ajo ishte: ‘Forcë e parë’.
Ishte ajo që ndiejnë të gjithë të rinjtë dhe të rejat, jo vetëm të LRI-së dhe LSI-së, por të të gjithë Shqipërisë, sepse vetëm LSI forcë e parë do të thotë shans për të gjithë të rinjtë e Shqipërisë, për fëmijët e familjeve të thjeshta, të Kamzës, të Bathores, të Valiasit e kudo në të gjithë vendin.
Shikoni listën e Lëvizjes Socialiste për Integrim të Qarkut të Tiranës, shikoni Klajda Gjoshën që është në krye të kësaj liste, ministren tonë të shkëlqyer që Integrimit Evropian. Shikoni Floidën, që është e treta në këtë listë, kryetaren e LRI-së, një studente e shkëlqyer e ekselencës dhe një këshilltare në Bashkinë e Tiranës, që ka luftuar aq shumë për interesat e të rinjve dhe të rejave të kryeqytetit. Shikoni Kejdi Mehmetajn e shumë e shumë të rinj e të reja, Endrit Braimllarin, Ardit Çelën, Klevi Pojanën e të gjithë. Janë të gjithë të rinj dhe të reja, të ditur, të mençur, pasionantë, idealistë dhe patriotë, të cilët i japin një mesazh të fortë të gjithë të rinjve kudo që janë: mos jua lini Shqipërinë oligarkëve.
Merreni Shqipërinë në dorën tuaj, duke votuar numrin 1, duke votuar LSI-në!
Nuk keni në listën e LSI-së për Tiranën biznesmenë, që shkojnë në Parlament për t’i vënë gjoba qeverisë apo partisë që i çon atje. Keni të rinj dhe të reja të mrekullueshëm, apo politikanë me eksperiencë dhe idealizëm si Luan Rama këtu. Keni përfaqësues të shkëlqyer të komuniteteve që jetojnë këtu, si Ylli Shehu. Keni një listë, e cila përfaqëson të ardhmen e politikës shqiptare, e cila do të sjellë një cilësi krejt tjetër në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë që ju do të ndërtoni me votën tuaj më 25 qershor.
A ka qenë LSI-ja në të kaluarën në pushtet? Është një pyetje shumë e drejtë që vjen. Edhe përgjigja që vjen është shumë e drejtë. LSI-ja ka qenë në vitin 2009 dhe ka bërë koalicion me Partinë Demokratike, pasi lidershipi i Partisë Socialiste refuzoi koalicionin me LSI-në, sepse donte ta merrte timonin që atëherë i vetëm, por e bëri koalicionin me Partinë Demokratike për stabilitetin e vendit dhe gjatë atyre katër viteve ka dy ngjarje madhore në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe që do të mbeten gjithmonë: liberalizimi i vizave dhe gazsjellësi TAP, që është një investim strategjik dhe një nga veprat më të mëdha për të ardhmen e Shqipërisë, për të ardhmen e saj energjetike dhe për rolin e saj në rajonin tonë.
A ka qenë LSI në koalicion me Partinë Socialiste? Po. Ka qenë dhe i ka vënë vetëm një kusht kur ka prishur kontratën në mënyrë të rregullt me Partinë Demokratike: të votonte tre ligjet për integrimin evropian që kishte bllokuar përpara zgjedhjeve të vitit 2013 dhe asgjë tjetër. Ne kemi qenë edhe në koalicion edhe PD-në, ne kemi qenë në koalicion edhe më PS-në, por kemi qenë si garanci e stabilitetit të vendit, si garanci e stabilitetit të qeverisjes dhe funksionimit të institucioneve demokratike, si garanci e procesit të integrimit evropian dhe askush nuk mund të thotë që LSI që nga dita e krijimit të saj ka bllokuar apo ka vonuar për interesat e saj një iniciativë apo një ligj që ndihmonte për përshpejtimin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Por çfarë kërkon LSI-ja tani? Po, LSI-ja as në 2009-n dhe as në 2013-n nuk ka pasur drejtimin e qeverisë, prandaj kërkon të jetë forcë e parë që të ketë drejtimin e qeverisë në mënyrë që të forcojë stabilitetin e vendit, në mënyrë që të çojë përpara reformat, në mënyrë që qeveria të jetë shembulli i transparencës, në mënyrë që pasuritë natyrore të vendit dhe të shqiptarëve të mos jepet fshehurazi dhe në mënyrë tërësisht të dëmshme për interesat madhore të vendit dhe të rinjve të Shqipërisë.
Prandaj jam i bindur që Petrit Vasili dhe LSI-ja do të bëjnë vetëm koalicione programore në interes të programit të LSI-së dhe në interes të dhënies së shansit të çdo të reje, të çdo të riu, të çdo qytetari, duke i dhënë fund komedisë “one man shoë”.
Ndaj është koha juaj, është koha e të rinjve dhe të rejave këtu në dhe në të gjithë Shqipërinë që të votojnë LSI-në, sepse LSI është partia e rinisë, është partia e të rinjve dhe të rejave.
Ata nuk janë dekori i drejtuesve të LSI-së, ata janë drejtuesit e LSI-së. Shikoni listën e Tiranës për të kuptuar besimin, që ne kemi te të rinjtë dhe të rejat, te vajzat dhe te djemtë tuaj të cilët duhet të marrin në dorë fatet e vendit tonë. Në mënyrë që në Kuvendin e ardhshëm shqiptarë të mos dëgjojnë më se kjo parti ka kaq të dënuar kjo parti kaq në kërkim, se ky grup parlamentar ka këto probleme, por të dëgjojnë këto vajza këto gra të reja këta politikanë të rinj që të diskutojnë për problemet e rinisë, për problemet e arsimimit, për problemet e punësimit, për problemet e familjes për problemet e kujdesit ndaj moshës së tretë, për problemet e çdo familjeje që jeton në Kamëz dhe që jeton kudo në të gjithë Shqipërinë.
Kjo është ajo përmbysje cilësore që do të ndodhë më 25 qershor me votën tuaj në politikën shqiptare në Parlamentin e Shqipërisë dhe në drejtimin e qeverisë së ardhshme.
Ka ardhur koha dhe më 25 qershor të gjithë të rinjtë dhe të rejat në Kamzë në Tiranë në të gjithë Shqipërinë do të japin përgjigjen që meriton çdo forcë politike.
Mbajeni mend tani këtë që po ju them sot këtu në Kamëz dhe do të më kujtoni në mëngjesin e 26 qershorit. Të gjithë ata që janë vënë në garë, pasi u shanë e pasi u kërdisën me njëri-tjetrin e na nxorën bojën këtu e në të gjithë Evropën e në të gjithë botën, që tani kanë hyrë në garë dhe ju dërgojnë njerëz juve kudo që mos rrini me LSI-në se LSI-ja nuk do të jetë në pushtet, se në pushtet do të jemi ne e kështu me radhë.
Mbajeni mend, më 26 qershor në mëngjes ju nuk do të keni mundësi t’i telefononi Petrit Vasilit për t’i uruar fitoren, sepse nuk do t’ju lënë ata.
Ata nuk do t’ju lënë radhë juve se ata do t’i bien vetë dhe do të hyjnë në sherr kush ta arrijë Petrit Vasilin i pari në telefon dhe do t’i thonë: Petrit, vëlla, urime por t’i lëmë mëritë. Tani ti e kupton se si është situata, se kush është më i mirë se njëri e se tjetri, e kështu me radhë.
Romeo dhe Zhuljeta nga tragjedi tani do të përjetohet si komedi, një komedi e paparë. Ndaj unë duke u falënderuar për atë përkrahje të jashtëzakonshme që ju i keni dhënë dhe i jepni LSI-së.
Dua t’ju paralajmëroj për diçka tjetër. Që në datën 25 qershorit, procesi zgjedhor, procesi i votimit dhe i numërimit do të përfundoj më shpejt se asnjëherë tjetër. Sepse shumica e shqiptarëve nuk do të lodhen të kërkojnë dhe të gjejnë se ku është partia që ata kanë vendosur të votojnë, LSI-në. Ajo është e para dhe do të mbarojë më shpejt se çdo herë tjetër.
Nuk është rastësi, është domosdoshmëri.
Rroftë rinia e Kamzës, rroftë rinia e Shqipërisë.
Të gjithë të rinjtë dhe të reja, nga veri nga jugu, nga Tirana të nxjerrim partinë e rinisë forcë të parë për të ardhmen e Shqipërisë.
Fitore!
Fitore dhe vetëm fitore.
Në 25 qershor në mbrëmje më keni përsëri këtu për të festuar fitoren edhe në Tiranë si forcë e parë.
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=sf8kUt7aVBM&feature=youtu.be” width=”560″ height=”315″]