Meta: E mira publike mbi egon individuale. Duhet ndryshim i kulturës politike

Politika shqiptare ka nevojë për një transformim thelbësor që ka të bëjë me kulturën. Kështu u shpreh kreu i Kuvendit dhe njëherësh kreu i LSI, Ilir Meta në një takim me vajza dhe gra të Njësisë 7 në Tiranë.

Besojmë që politika shqiptare ka nevojë për një transformim thelbësor, që nuk ka të bëjë thjesht me individët dhe me njerëzit, por me kulturën e tyre. Kultura që ne duam është e një klase politike e një gjenerate politike e cila punon me përgjegjësi, punon në ekip. Synon të mirën publike dhe vë disa prioritete mbi egon individuale apo edhe partiake në interes të vendit, të komunitetit dhe të shoqërisë”,- u shpreh kreu i LSI.

Mesazhi i kreut të LSI-së duket se shkon dhe për krizën politike dhe qëndrimin ekstrem të PD dhe PS për zgjidhjen e saj.

Në fjalën e mbajtur gjatë këtij takimi, Meta, u shpreh se LSI-ja është e bindur se kur i jepet shansi një gruaje i jepet shans të gjithë familjes, sepse askush në familje nuk sakrifikon më shumë se gruaja.

LSI-ja punon që t’u jap një shans të gjithëve, por në veçanti LSI-ja është e bindur se kur i jepet shansi një gruaje i jepet shans të gjithë familjes. Sepse paqja sociale fillon te familja dhe pastaj vazhdon në shoqëri dhe kudo. Në programin tonë, mbështetja dhe fuqizimi i gruas përfaqëson një prioritet të veçantë dhe të jashtëzakonshëm”,- tha Meta. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Kryetarja e LGI-së, Klajda Gjosha, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, etj.

SHKARKO APP