Ilir Meta: Maksim Kona do t’i japë drejtim të ri Bashkisë së Kavajës. Fitore e sigurt
Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim me banorë të Kavajës, ku të pranishëm ishin edhe kandidati i LSI-së për Kryetar të Bashkisë Kavajë, Maksim Kona dhe Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, njëkohësisht kandidat për deputet i LSI-së në qarkun e Tiranës.
Në këtë takim mori pjesë edhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili shprehu mbështetjen e tij për kandidatin për kryebashkiak të LSI-së, Kona, duke e vlerësuar figurën e tij si të shkëlqyer dhe një personalitet për qytetin e Kavajës.
Gjithashtu, Meta shprehu bindjen se Maksim Kona me aftësitë dhe dijet e tij, do të hapë një faqe të re për qytetin e Kavajës në krye të Bashkisë pas 25 qershorit.
“Është një kënaqësi për mua të shpreh mbështetjen dhe vlerësimin maksimal për inxhinier Maksim Konën, një figurë e shkëlqyer e shoqërisë civile, një personalitet me një eksperiencë dhe me një CV që do ta kishte zili edhe një qytet i zhvilluar i Bashkimit Evropian. Një njeri, i cili jam i bindur se me dijet e tij, me aftësitë e tij, me qytetarinë e tij, do t’i japë drejtim të ri Bashkisë së Kavajës dhe do të hapë një faqe të re për këtë qytet, për këtë bashki dhe për qytetarët e Kavajës”, – deklaroi Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta gjatë takimit të zhvilluar në Kavajë.