Ilir Meta pritet në Parlamentin e Suedisë nga Kryetari i Riksdag, Ahlin

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta i shoqëruar prej deputetëve znj. Arta Dade, z. Agron Duka, znj. Kejdi Mehmetaj u pritën sot në një vizitë zyrtare në Parlamentin e Suedisë nga Kryetari i Riksdag, z. Urban Ahlin.

Dy delegacionet parlamentare zhvilluan bisedime mbi marrëdhëniet dypalëshe, intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe mbi zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit dhe në BE.

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e pakursyer të Suedisë ndaj zhvillimit ekonomik, social dhe integrimit evropian të Shqipërisë, duke nënvizuar se marrëdhëniet e shkëlqyera politike duhet të reflektojnë një nivel më të lartë shkëmbimesh ekonomike e tregtare, ku dy parlamentet mund dhe duhet të luajnë një rol kyç dhe parësor në intensifikimin e kontakteve.

  1. Meta vuri në dukje se Shqipëria është e vetëdijshme që duhet punuar më fort për krijimin e një klime më të besueshme biznesi, dhe në këtë drejtim po vërehet progres përmes një axhende ambicioze reformash, ku pas reformimit të ndarjes administrative e territoriale të vendit, fokusi është në përfundimin brenda pranverës së reformës thelbësore të sistemit të drejtësisë, si reformë parësore e kyçe për suksesin në luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, për forcimin e sundimit të ligjit dhe për krijimin e një ambienti më tërheqës për investimet e huaja.

Në këtë kontekst, z. Meta nënvizoi se Shqipëria si një vend stabël dhe me peshë specifike në rajon, përfaqëson një potencial të rëndësishëm për investitorët suedezë, të cilët sjellin në vend një ekspertizë dhe kulturë pune që mbetet model jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera të Evropës Juglindore.

Kryetari i Riskdag, z. Urban Ahlin i uroi mirëseardhjen z. Meta dhe delegacionit shqiptar duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Mbretërisë së Suedisë për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. “Suedia mbështet fuqishëm integrimin evropian të Shqipërisë dhe zhvillimin ekonomik e social të të gjithë rajonit”, – theksoi z. Ahlin.

Në këtë drejtim u theksua rëndësia e konkretizimit dhe thellimit të bashkëpunimit ndërparlamentar, dhe duke vlerësuar takimin mes dy Sekretareve të Përgjithshme te dy parlamenteve, znj. Albana Shtylla dhe znj. Kathrin Flossing, Kryetari Ahlin vuri në dukje se Riksdag është i gatshëm të ofrojë asistencën e tij veçanërisht në fushat e teknologjisë, rritjes së efikasitetit të administratës, procesit legjislativ e monitorues, etj.

Gjithashtu, z. Ahlin u shpreh se Parlamenti i Suedisë do të jetë i hapur për promovimin e Shqipërisë pranë komunitetit të investitorëve suedeze dhe dhomave të tregtisë, me qëllim shtimin e kontakteve dhe vizibilitetit të Shqipërisë në Suedi.

Duke biseduar mbi zhvillimet në rajon, u nda bindja se rajoni i Ballkanit ka bërë progres të dukshëm gjatë viteve të fundit dhe u vlerësua roli konstruktiv dhe përqasja pozitive rajonale e Shqipërisë. Në këtë kuadër, z. Meta u shpreh se duke marrë në konsideratë marrëdhëniet e shkëlqyera që Shqipëria gëzon me të gjitha vendet e rajonit, duhet punuar për promovimin e një pakete rajonale ekonomike, e cila do të ishte më tërheqëse për investimet e huaja.

Gjatë vizitës së tij në Parlamentin suedez Riksdag, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta dhe delegacioni parlamentar shqiptar u pritën edhe nga një delegacion i përbashkët i Komisionit të Jashtëm Parlamentar dhe kryetari i tij z. Keneth Forslund si dhe Komisionit për Çështjet Evropiane drejtuar prej z. Carl Schlyter. Njëkohësisht delegacioni shqiptar zhvilloi bisedime me anëtarë të Komisionit Parlamentar të Drejtësisë kryesuar prej znj. Beatrice Ask si dhe me Presidentin e Gjykatës së Apelit, z. Fredrik Wersall.

meta me ahlin takim_2

Pas takimeve, dy Kryeparlamentarët z. Meta dhe z. Ahlin dhanë edhe një prononcim për shtyp:

Prononcimi i z. Ilir Meta

Ishte kënaqësie e veçantë për të vizituar Parlamentin e Suedisë dhe kryetarin z. Ahlin për të konfirmuar edhe një herë vendosmërinë tonë për t’i ngritur në një nivel akoma më të lartë marrëdhëniet midis dy parlamenteve tona, por njëkohësisht edhe për të kontribuar për një dinamikë të re shkëmbimesh midis dy vendeve tona.

Ne mbështetemi shumë te Suedia për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Dhe po kështu ne besojmë shumë se marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis Shqipërisë dhe Suedisë do të njohin një progres të shpejtë dhe afatgjatë falë marrëdhënieve të shkëlqyera politike që në kemi tashmë.

Njëkohësisht ne besojmë se përmes forcimit të marrëdhënieve të mëtejshme me Suedinë dhe me kontributin e saj, do të forcojmë marrëdhëniet e Shqipërisë edhe me të gjithë vendet e tjera nordike.

Suedia është një vend model përsa i takon zhvillimit, përsa i takon teknologjisë dhe cilësisë së investitorëve të saj. Dhe ne besojmë se shumë shpejt investitorët të rëndësishëm nga Suedia do të eksplorojnë mundësitë për të investuar në vendin tonë.

Ne e dimë që për investitorët suedezë është shumë e rëndësishme siguria juridike dhe rendi ligjor, prandaj dhe e kam njohur, e kam siguruar Kryetarin e Parlamentit, z. Ahlin, për vendosmërinë tonë për të përmbyllur me sukses reformën madhore në sistemin e drejtësisë, që do të krijojë një ambient shumë më të besueshëm për investitorët e huaj në vendin tonë.

meta me ahlin takim_1

Prononcimi i z. Urban Ahlin

Për mua është kënaqësi e madhe të kem për vizitë këtu në Parlamentin e Suedisë mikun tim të vjetër, z. Ilir Meta, Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë. Unë zhvillova një vizitë zyrtare në Tiranë pak kohë më parë dhe tani kemi Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë që viziton Suedinë, gjë që dëshmon bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi mes dy vendeve. Mua më mbetet vetëm të nënvizoj atë që tha z. Meta, që Suedia e ka mbështetur gjithmonë Shqipërinë në rrugën drejt integrimit europian dhe është e vendosur të vazhdojë këtë mbështetje, që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së në të ardhmen.

Sigurisht, ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të nxitur investimet në Shqipëri, por natyrisht edhe investimet shqiptare në Suedi. Bashkë me z. Meta biseduam gjatë për këtë çështje dhe me aq sa di, Shqipëria ka resurse të mëdha, të pashfrytëzuara ende, Shqipëria është një vend i mrekullueshëm për turizmin. Kur unë udhëtoja së bashku me z. Meta nëpër Shqipëri në fillim të viteve ‘90 dhe pashë këtë vend të mrekullueshëm, është e lehtë të kuptosh arsyen pse më shumë turistë të huaj duhet të vizitojnë Shqipërinë.

Dhe nëse do na duhet ta inkurajojmë këtë lloj bashkëpunimin, unë jam gatshëm ta bëj një gjë të tillë. Patëm një bisedë të shkëlqyer, ku folëm rreth mundësive që kemi mes dy vendeve tona. Prania e z. Ilir Meta këtu në Stokholm është një shenjë e bashkëpunimit të mirë midis Shqipërisë dhe Suedisë. Ju falënderoj për vizitën.

meta me ahlin takim

SHKARKO APP