Ilir Meta: Reforma në Drejtësi të miratohet me PD
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh sot se është koha për konsensus politik mes të mazhorancës dhe opozitës për miratimin e reformës në drejtësi. Duke ftuar PD të bëhet pjesë e procesit konsensual, Meta u shpreh se opozita nuk mund të përdorë të njëjtin standard si për reformën territoriale, të cilën e bojkotoi.
Në mbledhjen e Kryesisë së LSI-së, Meta vlerësoi se konsensusi politik me opozitën nuk është i domosdoshëm vetëm për numrat, por edhe për si bashkim i vullnetit politik për garancinë e reformës.
“Komisioni i Venecias sugjeron hartimin e amendamenteve kushtetuese nëpërmjet dialogut. Konsensusi politik në Parlament është i domosdoshëm jo vetëm si çështje numrash, por si bashkim vullneti politik. Një reformë gjithëpërfshirëse është me besueshmëri dhe jetëgjatësi të sigurtë. Drejtësia ka nevojë për besimin e publikut. Kemi nisur prej kohësh reformën në Parlament, me idenë e përfshirjes së opozitës. Tani që kanë dhënë kontributin e tyre ekspertët, është koha e çeljes së dialogut politik parlamentar për të çuar përpara procesin e reformës. Është detyra jonë si LSI dhe mazhorancë të krijojmë hapësirat e nevojshme për opozitën që të jetë e përfshirë në dialog dhe është detyrim i pashmangshëm i opozitës të kontribuojë në dialog me profesionalizëm dhe jo populizëm”,- u shpreh kreu i Kuvendit.
Meta tha se “është detyrim i pashmangshëm i opozitës të kontribuojë me profesionalizëm dhe jo populizëm për zgjidhje të qëndrueshme dhe jo bllokim”.
Ai ka theksuar se partitë nuk duhet të bëjnë gabimet e mëparshme me ndryshimet kushtetuese, duke sjellë në vëmendje ndryshimet e vitit 2008. Sipas tij, këto ndryshime të shpejta dhe të pakonsultura kanë dhënë efekte dhe në politikën aktuale.
Kreu i LSI-së u shpreh se forca që ai drejton “nuk synon të kapë politikisht institucionet e reformuara të drejtësisë. Nuk paragjykoj askënd në këtë proces. Rekomandimet dhe sugjerimet e Venecias janë të qarta për të gjithë ata që janë profesionistë”.
Duke ftuar palët për dialog politik, Meta u shpreh se në këtë mënyrë qytetarët do të kenë mundësi të shohin se kush është realisht kundër reformës. Sipas tij, qytetarët do të kenë mundësinë dhe të vendosin për reformën, duke lënë të hapur indirekt edhe mundësinë e referendumit.
“Rekomandimet e Komisionit të Venecias janë të qarta për të gjithë ata që janë profesionistë e të paanshëm. Për të gjithë ata që duan të luajnë, ne këto sugjerime do t’ja japim publikut në mënyrë që në fund ata të gjykojnë me vëmendje, të kthejnë dhe pse jo me cdo gjë tjetër të gjithë ata që bëhen pengesë për këtë reformë”, u shpreh gjatë fjalës së tij kreu i LSI-së.