Ilir Meta: Ta votojmë në parim pozitë-opozitë ligjin, dhe për nenet debatojmë

Kreu i Kuvendit Ilir Meta foli edhe në cilësinë e grupit parlamentar të LSI-së për ligjin për Vettingun. Ai tha se është i nevojshëm konsensusi për këtë ligj, pasi nuk duhet të kemi kontestime me pas nga opozita duke përdorur hapesirat për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese. Konsensusi i 21 korrikut për ndryshimet kushtetuese me 94 vota, kur kishim 88 vota si mazhorancë , ishte i domosdoshëm në mënyrë të prerë, pasi nuk kishte asnjë sens morali që ne të siguronim 94 vota nga opozita. Ndaj përpjekjet për konsensus duheshin me 21 korrik, ndërsa sonte e mira e do që ta debatojmë ligjin e Vettingut dhe ta miratojmë me 140 vota, porse në fund do të vendosim me 84 vota.

“Nuk kisha ndërmend të flisja. Meqënëse Berisha më pyeti përse gjithë ky ngut, unë do të thosha që jemi shumë vonë me ligjin e Vettingut. Prandaj më vjen keq që gjithë kjo kohë që u dha në maksimum disa javë, nuk u shfrytëzua me efektivitetin e duhur, por e kemi një afat që duhet respektuar. Për të gjithë ata që përmendin konsensusin e 21 korrikut, ka një dallim themelor. Ky konsensus ka të bëjë me legjitimitetin e reformës.

Më duket e vështirë të shpresojmë prapë që të arrihet konsensus mesnatën e 30 dhe 31 gushtit. Për të gjithë reformën në drejtësi, jam i bindur që dy juristë për të njëjtin konsensus nuk kanë të njëjtin koncept. Por nuk shoh asnjë gjë themelore që të pengojë votimin e opozitës në parim dhe nen për nen.  Disa pretendime e kam të vështirë t’i kuptoj. Opozita ka ngritur pretendimin që nuk duhet të merren në konsideratë të dhënat e ILDKP-së. Por, nuk besoj se kjo do ta pengojë që të votojë ligjin në parim dhe të monitorojnë zbatimin e ligjit”, deklaroi kryeparlamentari Ilir Meta.

Ilir Meta kërkoi që të gjendeshin rrugë komunikuese mes PD e PS për ta votuar sonte. Por gjithsesi ai tha se LSI do ta votojë sido që të vendosë PD. Kam javë që përpiqem për konsensus e duket paksa vështirë tashmë të arrihet për pak orë. Por prapë ka dëshirë të mirë nga palët mund të gjendet konsensusi.

Kreu i Kuvendit Ilir Meta deklaroi se ligji i vettingut duhet të votohet patjetër sot, pasi Kuvendi është i vonuar në këtë proçes.

Lidhur me kundërshtitë e opozitës, Meta tha se nuk i duket bindës qëndrimi i saj dhe se nuk sheh asnjë arsye se pse ajo nuk mund ta votojë.

 

Fjalimi i Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta në Seancë Plenare

Vendosa t’i kërkoj leje z. Petrit Vasili dhe të flas në emër të Grupit Parlamentar të LSI-së, por edhe të japë një shpjegim si Kryetar i Kuvendit.

Sigurisht, që edhe ne këtë seancë nuk mund të mos ndodhte një përjashtim dhe të kishte dy diskutues nga një grup, përderisa i pranishëm ishte edhe deputeti Berisha. Meqenëse ai më ka bërë disa herë pyetjen “përse ky ngut?”, unë dua t’ju kujtoj të gjithëve se jemi shumë vonë për miratimin e ligjit për Vetting-un në raport me procesin e reformës, por në mënyrë të veçantë, në raport me plotësimin e detyrimeve tona në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Sepse jo vetëm ky ligj, por edhe disa ligje të tjera kyçe, normalisht duhet të raportoheshin me datën 1 shtator si të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë.

Prandaj më vjen keq që e gjithë kjo kohë që ishte në dispozicion prej disa javësh nuk u shfrytëzua me efektivitetin e duhur, meqenëse kemi një afat dhe duhet ta respektojmë atë.

Askush nuk na siguron që kur nuk arritëm konsensusin për këtë ligj për disa javë do të mund ta arrijmë për disa orë. Natyrisht që do të ishte mrekulli ta miratonim në mesnatën e 30-31 gushtit.

Për të gjithë ata, të cilët përmendin konsensusin e 21 korrikut dhe apelojnë në vazhdimësi për konsensus, dua t’u bëj të qartë se ka një dallim themelor midis konsensusit për Kushtetutën dhe konsensusit për ligjet në zbatimin e Kushtetutës.

Dhe ky konsensus ka të bëjë me legjitimitetin e reformës në drejtësi, ka të bëjë me stabilitetin e vendit, ka të bëjë me të gjithë besueshmërinë e procesit.

Unë kam luftuar për konsensusin për Kushtetutën, sepse ishte detyra ime, në radhë të parë si Kryetar i Parlamentit dhe besoj që çdo kryetar i përgjegjshëm i Parlamentit, veçanërisht në një Parlament me kaq shumë probleme, me kaq shumë ngjarje të shëmtuara që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve, që e kanë dëmtuar imazhin e vendit në mënyrë të jashtëzakonshme, nuk do të pranonte t’i vinte një njollë tjetër këtij Parlamenti dhe të gjithë proceseve demokratike në vend, pas 26 viteve tranzicion dhe pluralizëm.

Dhe arsyeja ka qenë, jo vetëm sepse besoj se konsensusi për një reformë kushtetuese është i domosdoshëm të realizohet me opozitën edhe sikur të kemi një mazhorancë legjitime që e ka shumicën kushtetuese të dalë nga zgjedhjet popullore. Por aq më tepër që ne nuk e kemi pasur këtë mazhorancë, kemi pasur 83 deputetë si mazhorancë, na janë bashkuar edhe 5 votat e PDIU-së në zgjedhjet e fundit, pra bëhemi një mazhorancë 88 vota.

Votat e tjera sado patriotike të ishin dhe të jenë, janë vota që hapin diskutim të madh, aq më tepër duke pasur parasysh që ky Parlament ka përpara edhe një sfidë tjetër siç është procesi i dekriminalizimit.

Ndaj mendoj që duhet të jemi shumë të kënaqur për mesnatën e 21-22 korrikut – e përmend gjithmonë këtë si mesnatë, sepse afatin e kishim më 21 dhe nuk më pëlqen të pranoj faktin që e miratuam në datën 22 – më duket e vështirë që të shpresoj sot që të punojnë prapë për të arritur ndonjë konsensus në mesnatën që po afron, pra të 30-31 gushtit.

Unë i kam bërë të gjitha përpjekjet e mia si Kryetar i Kuvendit, që t’i ndërgjegjësoj të gjithë për të punuar bashkë që ky ligj të paktën dhe 6 ligjet e tjera, që janë ligjet kryesore, të miratohen me konsensus.

Jo, se nuk ka mjete të tjera cilido që ka pakënaqësi apo që është i bindur që ka probleme me Kushtetutën apo me Komisionin e Venecias, por sepse nuk është mirë që të japim mesazhe kontestuese për ligjet themelore, ndërkohë që vullnetin tonë bazik e shprehëm me ndryshimet kushtetuese.

Aktualisht nuk më duket shumë bindës qëndrimi i opozitës, por kjo është e drejta e saj. Prandaj jam këtu edhe në emër të Grupit Parlamentar të LSI-së. Opozita ka shprehur shumë pretendime për shumë riformulime, një pjesë e tyre janë marrë në konsideratë.

Së dyti, për të gjithë reformën në drejtësi, edhe nga eksperienca që kam pasur edhe që kam, jam i bindur që dy juristë për të njëjtin koncept po t’i vendosësh bashkë, kurrë nuk bëjnë dot të njëjtin formulim. Jo vetëm kaq, por jam i bindur që i njëjti jurist, për atë formulim që ka bërë një ditë më parë, pas një jave do të kishte idenë që mund të bënte një formulim pak më ndryshe.

Por nuk shoh asnjë gjë esenciale apo themelore që të pengojë votimin nga ana e opozitës në parim, po pse jo dhe nen për nen, ashtu sikurse kam parasysh edhe pjesëmarrjen e saj edhe përmes votimit të amendamenteve që ajo ka pretenduar.

Njëkohësisht disa pretendime i kam të vështirë t’i kuptoj, sepse besoj që të gjithë kemi të njëjtën përgjegjësi, pavarësisht nga ndërrimi i raporteve pozitë-opozitë për cenimin e besueshmërisë së disa institucioneve.

Opozita ka ngritur pretendimin se nuk duhet të merren në konsideratë të dhënat e ILDKPI-së, sepse mendon që mund të përdoret politikisht, por nuk duhet të harrojmë që opozita më parë e komprometoi imazhin e këtij institucioni, duke propozuar një zonjë të nderuar, por që vinte nga një pozicion politik. Po të ndërroheshin këto raporte mund të dëgjonim shqetësime akoma më të rënda nga një opozitë tjetër e mundshme.

Opozita ka shqetësimin e vet për disa institucione të tjera, që janë në varësi të ekzekutivit; çdo lloj opozite të ishte, këtë gjë do ta bënte, por unë nuk besoj se kjo duhet ta pengojë që ta votojë ligjin në parim dhe të monitorojë zbatimin e ligjit.

Nuk ka institucion në botë që të shpikë një provë për një njeri, kur ai nuk e ka këtë lloj përgjegjësie, aq më tepër në një demokraci si kjo e jona ku mediat lulëzojnë pa fund. Nuk besoj se dikush do ta merrte guximin, por edhe po ta merrte jam i bindur që do të përfundonte shumë keq për të përdorur shtetin dhe institucionet për hakmarrje politike.

Ashtu sikurse çdokush që ka një përgjegjësi, që ka një provë që ka një fakt, nuk ka pse të presë as ligjin për Vetting-un dhe as ligje të tjera për t’u larguar vetë nga sistemi i drejtësisë.

Ky është ligji më i rëndësishëm i reformës që duhet votuar patjetër sot, sepse e kemi një afat.

Për fat të keq opozita nuk është e përqendruar në një çështje të caktuar, ka mjaft riformulime.

Unë mendoj që procesi më demokratik është ta votojmë të gjithë në parim, pastaj nen për nen. Opozita ka shumë nene për të cilat ka qenë pro, një pjesë e të cilave janë reflektuar. Për të tjerat ka amendamentet e saj, por unë mendoj që duhet të japim një mesazh mjaft të përgjegjshëm për këtë ligj dhe për ligje të tjera të rëndësishme që vijnë pas kësaj. Por ky është ligji i parë pas reformës që bëmë në Kushtetutën e vendit dhe mendoj që është një ligj tepër i rëndësishëm për të gjithë ecurinë e këtij procesi.

Ndaj do të dëshiroja që të veprojmë në një mënyrë sa më të përgjegjshme, sa më demokratike dhe jo gjithmonë duke paragjykuar gjithçka.

Dhe së fundmi kur flas për konsensusin nuk kam parasysh konsensusin nga fillimi deri në fund i reformës, që përfshin gati 40 ligje.

Por absolutisht kam parasysh një klimë më konstruktive përsa i takon reformës në fushën e drejtësisë.

Kam në konsideratë që të mos ngatërrojmë çështjet e tjera të politikës së ditës në këtë çështje, që është një çështje afatgjatë.

Sa më pak retorikë politike për reformën në drejtësi, aq më shumë angazhim tregojmë për t’i shërbyer një procesi në mënyrë të përgjegjshme dhe të bëjmë të mundur që ky sistem të ndryshojë një herë e përgjithmonë në të mirë të të gjithë shqiptarëve.

 

 

SHKARKO APP