Ilir Meta: Të rinjtë duhet të jenë protagonistë të ndryshimeve
Presidenti i Zgjedhur Ilir Meta ishte sot në mbrëmje i pranishëm në çeljen e punimeve të festivalit veror të Internacionales së të Rinjve Socialistë (International Union of Socialist Youth-IUSY). Aktiviteti po zhvillohet në Jalë dhe në të marrin pjesë qindra të rinj nga forumet rinore të partive të majta botërore. Festivali organizuar nga LRI-ja në bashkëpunim me IUSY. Pjesë e këtij takimi është dhe Forumi Rinor i Partisë Socialiste.
Në fjalën e tij në këtë takim, Ilir Meta ka sjellë para të rinjve përvojën e tij në bashkëpunimin me forumet rinore ndërkombëtare të majta. Ai u shpreh se në vitet ’90 ka vendosur kontaktet e para mes FRESSH dhe forumit rinor IUSY, gjë që solli dhe një bashkëpunim të frytshëm për integrimin e së majtës shqiptare në strukturat e Internacionales Socialiste.
“Për herë të parë kur udhëtova jashtë Shqipërisë shkova në Danimarkë. Kisha vetëm një qëllim, të vendosja kontaktet me socialdemokratët danezë. Pas takimit me socialdemokratët, pata mundësinë të takohen me IUSY dhe nga ai moment lidhja ime ka qenë e jashtëzakonshme”,- tha Presidenti i zgjedhur, Ilir Meta.
Në mesazhin e tij, Meta bëri apel për bashkëpunim mes të rinjve nga gjithë bota dhe të rinjve në Shqipëri. Ai tha se bota ndodhet përballë sfidave shumë të mëdha dhe vetëm angazhimi i të rinjve mund çojë në përballim me sukses të këtyre sfidave.
“IUSY ka dhënë një kontribut të veçantë për të mbështetur rininë eurosocialiste. Nuk do të doja të merrja më shumë nga koha juaj, për arsye sepse jemi të lodhur nga rruga e gjatë dhe aktivitetet e sotme. Të flasësh pas këtyre të rinjve është mjaft e vështire. Ajo që duan të them është se gjithë jeta ime politike lidhet me të rinjtë. Shpresoj të kem bërë më të mirën duke i mbështetur të rinjtë të jenë sa më aktiv në politike. Padyshim që e ardhmja ka sfida shumë më të mëdha sot sesa përpara disa vitesh. Të rinjtë kanë dy rrugë, ose të jenë protagonistë të ndryshimeve, ose do të jenë viktima të këtyre ndryshime, nëse nuk do të marrin pjesë në këto ndryshime”,- u shpreh Presidenti i Zgjedhur dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta.
Presidenti i zgjedhur shpreh si forumet rinore në Shqipëri duhet të jenë pjesë e zhvillimeve ndërkombëtare, për të pasur një panoramë më të qartë të asaj që ndodh në vendet përreth dhe më gjerë. “Unë u kërkoj të gjithëve të forconi bashkëpunimin mes të rinjve, edhe këtu në Shqipërisë. Sepse vetëm në këtë mënyrë edhe bota edhe rajoni do të ketë ndryshime pozitive për Shqipërinë. Kërcënimet globale kërkojnë solidaritet në rritje dhe ndërgjegjësime të më madh të rinjve për të fituar këto sfida që rrezikojnë të ardhmen e njerëzimit”,- u shpreh Ilir Meta.
Fjala e Kryetarit të Kuvendit, njëherësh Presidentit të Zgjedhur të Republikës së Shqipërisë Ilir Meta në festivalin veror të forumit rinore të internacionales socialiste:
Mirëmbrëma IUSY,
25 vite më parë, në udhëtimin tim të parë jashtë Shqipërisë, në vendin më të izoluar në Evropë, pata fatin të shkoja në Danimarkë.
Ishte një seminar për demokracinë, por unë kisha vetëm në qëllim në mendjen time, për të vendosur kontakte me të rinjtë socialdemokrat danez.
Dhe përmes takimit më në fund me të rinjtë socialdemokrat danez, gjatë asaj vizite unë pata mundësinë të takohesha edhe me anëtarin e byrosë së IUSY dhe nga ai moment lidhja ime me IUSY ka qenë e jashtëzakonshme, por edhe e IUSY-t me Shqipërinë.
IUSY ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për demokracinë në Shqipëri dhe për social demokracinë. Shumë president të IUSY kanë vizituar Shqipërinë në fillim të viteve 90 dhe në vazhdim, por natyrisht që Howard do të mbetet një president shumë i dashur për të gjithë sepse është i pari që është zgjedhur në Shqipëri.
IUSY ka dhënë një kontribut të veçante për të zhvilluar demokracinë në vendin tonë, dhe për të mbështetur në mënyrë të veçantë rininë eurosocialiste.
Ajo që dua të them është se e gjithë jeta ime politike lidhet me të rinjtë. Dhe shpresoj të kem bërë më të mirën duke mbështetur të rinjtë që të jenë sa më aktiv në politikë, por padyshim që e ardhmja ka sfida shumë më të mëdha sot se sa përpara disa vitesh dhe të rinjtë tanë kanë dy rrugë: ose do të jenë protagonist të ndryshimeve pozitive, ose do të jenë viktima të këtyre ndryshimeve nëse nuk do të marrin pjesë në këto ndryshime.
Ndaj unë ju kërkoj të gjithëve të forconi IUSY-in, të forconin bashkëpunimin midis të rinjve kudo, edhe këtu në Shqipëri sepse vetëm në këtë mënyrë, edhe Bota edhe Evropa, edhe Shqipëria, dhe Rajoni ynë do të kenë ndryshime më pozitive për të rinjtë. Sepse kërcënimet globale kërkojnë edhe një soliditet në rritje dhe në radhë të parë një ndërgjegjësim më të madh të të rinjve për t’i fituar këto sfida të cilat rrezikojnë të ardhmen e njerëzimit.
Ndaj i urojë suksese IUSY-it dhe mendoj që ky ekip i mrekullueshëm i IUSY-it meriton një mbështetje më të madhe nga të gjitha forcat progresive në Evropë dhe në botë sepse pasioni i tyre mund të ndihmojë shumë për të rigjallëruar lëvizjen socialiste dhe social demokrate kudo.
Ishte kënaqësi për mua që të isha sot këtu dhe i urojë IUSY-it suksese për të ardhmen dhe të gjithë juve t’ia koloni sa më mirë këtu në Jalë.
Dhe të postoni sa më shumë fotografi nga Jala dhe nga e gjithë Shqipëria në vendet tuaja sepse kjo është shumë e rëndësishme për promovimin e Shqipërisë, të vendit tonë, por edhe të këtij aktiviteti që po ndodhe këtu në Jalë.
https://www.facebook.com/levizjasocialisteperintegrim/videos/1640283642651554/