Ilir Meta u prit në Athinë nga Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopoulos

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Greqi, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit sot në Athinë në një takim të veçantë nga Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopoulos me të cilin vlerësuan lart stadin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona fqinje.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u shpreh se vizita e tij në Athinë është në funksion të nxitjes së bashkëpunimit mes dy parlamenteve tona si kontribut për forcimin e mëtejshëm të miqësisë dhe lidhjeve të gjithanshme mes dy vendeve dhe popujve tanë.

Në këtë kuadër, Kryetari i Kuvendit, Meta dhe Presidenti Pavlopoulos vlerësuan minoritetin grek në Shqipëri dhe komunitetin shqiptar në Greqi si ura të forta lidhëse dhe kontribuues të rëndësishëm në jetën shoqërore, ekonomike dhe kulturore në të dy anët e kufirit.

  1. Meta shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen që Greqia vazhdon t’i japë Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe vlerësoi bashkëpunimin me Greqinë, si dy vende anëtare të NATO-s në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

Kryetari i Kuvendit u shpreh se Shqipëria vlerëson maksimalisht vlerat evropiane të solidaritetit që Greqia ka treguar në momentet më kritike të krizës së refugjatëve, duke mbajtur një barrë të rëndë e duke mos ngritur mure siç u pa në vende të tjera.

Duke biseduar mbi zhvillimet në rajon, Kryetari i Kuvendit Meta dhe Presidenti Pavlopoulos ndanë bindjen se bashkëpunimi i ngushtë mes Shqipërisë dhe Greqisë forcon paqen, sigurinë dhe stabilitetin në tërë rajonin tonë.

g2

Gjatë takimit,  Meta theksoi se sfidat në rritje me të cilat përballen vendet tona na imponojnë të bashkëpunojmë edhe më ngushtë për të fituar së bashku në emër të së ardhmes së dy popujve tanë.

“Ju falënderoj për atë që Greqia ka bërë duke mirëpritur emigrantët tanë këtu. Ka qenë një mbështetje e madhe, jo vetëm për vëllezërit tanë emigrantë në Greqi, por edhe për zhvillimin ekonomik e shoqëror të Shqipërisë gjatë këtyre dekadave. Marrëdhëniet tona duhet të jenë marrëdhënie vëllazërore, siç janë sot marrëdhëniet midis grekëve dhe shqiptarëve, jo vetëm në Shqipëri, por akoma më shumë edhe këtu në Greqi. Këto marrëdhënie kaq të ngushta njerëzore të krijuara sidomos në 26 vjet, na obligojnë ne vetëm për të çliruar energji pozitive dhe për t’i trajtuar edhe çështjet e trashëguara me qetësi, konstruktivitet dhe në përputhje edhe me vlerat dhe standardet evropiane. Për arsye se ne kemi një përkatësi të përbashkët transatlantike, si dy vende të NATO-s, por edhe evropiane”, – tha Kryetari i Kuvendit, Meta, ndërsa vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të jenë një shembull në rajonin tonë.

“Ne besojmë shumë në mbështetjen e mëtejshme të Greqisë, për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe jemi të vendosur që marrëdhëniet e Greqisë dhe Shqipërisë të jenë një shembull për të gjithë rajonin tonë dhe mendoj se ky është një detyrim për të ardhmen dhe gjeneratat e ardhshme”, – u shpreh  Ilir Meta.

g4

Nga ana e tij, Presidenti i Greqisë, z. Prokopis Pavlopoulos, vlerësoi vizionin e Meta dhe shprehu bindjen se Kryetari i Kuvendit mund të japë një kontribut të vyer në mbarëvajtjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Jam i sigurt se nisur nga roli juaj institucional, por edhe nga eksperienca juaj politike, që unë e njoh mirë, ju do të kontribuoni shumë pozitivisht në mbarëvajtjen e mëtejshme të marrëdhënieve tona. Unë e njoh vizionin tuaj, pikëpamjen tuaj ndaj dhe besoj se ju mund të kontribuoni në mënyrë deçizive në mbarëvajtjen e këtyre marrëdhënieve. Ne grekët e kuptojmë mirë bashkërrugëtimin mes dy popujve tanë, kur që në një moment vështirësie shqiptarësh erdhën në Greqi dhe një numër ri madh këtu jeton akoma”, – tha ndër të tjera gjatë takimit Presidenti Pavlopoulos.

g5

g6

g7

Intervista e Kryetarit të Kuvendit,Ilir Meta dhënë për televizionin “Top Channel” nga Athina

 

Presidenti i Greqisë, Pavlopoulos, ju kërkoi përfundimin e procesit për ndërtimin e varrezave greke. Por a mund të jepni ju sot ju përgjigje për këtë, apo do të konsultoheni me Kryeministrin Rama?

Unë besoj se kjo kërkesë e bërë nga Presidenti i Greqisë ka gjetur një zgjidhje në vetë marrëveshjen midis dy vendeve dhe dy qeverive në fillimin e këtij procesi që ka nisur prej kohësh dhe në vazhdimësinë e tij. Më lejoni t’ju kujtoj që vetëm pas pak kohësh do të rimblidhet komisioni i përbashkët për këtë çështje. Ne jemi një vend demokratik, jemi një vend evropian, ka standarde ndërkombëtare, të cilat jemi angazhuar që t’i respektojmë dhe në këtë drejtim besoj se do të ecet me vullnet pozitiv për të respektuar këto ndjeshmëri.

Folët dje për qasje të ndryshme mes dy vendeve për çështjen çame. Por cila është qasja juaj si kryetar i Kuvendit dhe si Kryetar i LSI-së?

Unë këtu jam si Kryetar i Kuvendit me një delegacion të gjerë përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë në vizitën zyrtare pikërisht për të demonstruar vullnetin e Kuvendit të Shqipërisë për të kontribuar për një klimë sa më konstruktive dhe mirëbesuese në marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Klimë që nuk është vetëm detyrë e qeverive, të cilat shpesh janë edhe në presione të ndryshme nga faktorë parlamentar, publik në vendet respektive. Pikërisht me qëllim për të krijuar një terren sa më të qëndrueshëm, i cili në radhë të parë na lejon të shfrytëzojmë gjithë potencialet ende të pashfrytëzuara për të prodhuar më shumë rezultate në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë në interes të dy vendeve dhe të qytetarëve tanë. Njëkohësisht për të krijuar një terren sa më të qëndrueshëm për të diskutuar në mënyrë konstruktive edhe shumë çështje që i trashëgojmë dhe i mbartim nga një e kaluar e vështirë, siç ishte edhe çështja që ju sapo përmendët, por edhe çështje të tjera, përfshirë këtu padyshim, sipas mendimit dhe vlerësimit tim, edhe si Kryetar i Kuvendit edhe çështjen “Çame” apo zgjidhjen përfundimtare të abrogimit të ligjit të luftës me Shqipërinë, çështjet e të drejtave të shqiptarëve që kanë jetuar në Greqi

Dhe meqë jemi këtu çfarë po negociohet mes jush dhe palës greke për ligjin e luftës?

Nuk është çështje negocimi. Jemi në një moment mjaft pozitiv të bashkëpunimit ndërparlamentar dhe ndërinstitucional midis dy vendeve, në radhë të parë për të dhënë kontributin tonë maksimal për të krijuar një atmosferë sa më pozitive, larg tensioneve artificiale.

Njëkohësisht për të dhënë mesazhin e qartë ndaj cilitdo se marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë jo vetëm duhet të jenë një model për të gjithë marrëdhëniet rajonale në këto kohë sfidash në rritje për vendet tona dhe për rajonin tonë, por njëkohësisht duhet të krijojmë sa më shumë lehtësi praktike për të gjithë qytetarët tanë në interes të tyre.

Në qoftë se kemi në konsideratë faktin që pavarësisht nga niveli i kënaqshëm i integrimit të qindra mijëra emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Greqi, përsëri ende ka disa probleme dhe disa vështirësi praktike që ne shpresojmë të zgjidhen dhe të lehtësohen sepse në fund fare, këto marrëdhënie, këto shkëmbime duhet të reflektojnë në përmirësimin e jetës dhe të shërbimit ndaj qytetarëve tanë.

SHKARKO APP