Votimi në Kuvend, Ilir Meta zgjidhet President i Republikës me 87 vota pro
Ilir Meta është Presidenti i ri Republikës. Kuvendi miratoi sot kandidaturën e tij për këtë post me 87 vota pro.
Në orën 17:10 ka nisur seanca e Parlamentit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Ilir Meta ishte kandidatura e vetme për këtë post dhe që ka marrë mbështetjen unanime nga PS për kandidimin.
Seanca u drejtua nga nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj. Pjesëmarrës në votim ishin 89 deputetë. Në nisje të seancës, Leskaj u shpreh se në bazë të ligjit Ilir Meta plotëson të gjitha kushtet ligjore.
Në emër të Komisionit të Ligjeve, deputetja Vasilika Hysi lexoi raportin për kandidaturën e Ilir Metës, duke deklaruar se të gjitha procedurat ligjore për këtë proces janë zbatuar me përpikëmri.
“Në zbatim të ligjit, Komisioni për Çështjen Ligjore konstaton se Ilir Meta plotëson kërkesat ligjore të Kushtetutës dhe ligjit për integritetin e personave që ushtrojnë funksionet publike. Mbështetur në dokumentacionin e më sipërm dhe bazuar në Kushtetutën e vendit, Kuvendi duhet të vijojë zhvillimin votimit pa debat për z. Ilir Meta”,- u shpreh Vasilika Hysi.
Pas raportit Kuvendi miratoi ngritjen sekretariatit të Votimit. Në krye të sekretariatit është deputeti i PS, Musa Ulqini dhe deputeti i LSI, Vangjel Tavo. Ndërkohë që opozita ka bojkotuar votimin.
Procesi u zhvillua me fletë votimit dhe votë të fshehtë.
Në orën 17:45 ka përfunduar dhe procesi i votimit. Sekretariati nis numërimin e votave për zgjedhjen e presidentit.
https://www.facebook.com/Ora.News.RTV/videos/821654084626382/
Jetëshkrimi i Ilir Metës
Datëlindja: 24.3.1969
Vendlindja: Skrapar.
Edukimi:
Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë.
Master për Integrimin Ekonomik, Universiteti i Tiranës.
Veprimtaria profesionale:
2003-2004: Anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin, i drejtuar nga Giuliano Amato.
2002-2003: Pedagog i jashtëm në Fakultetin e Ekonomisë, UT.
Veprimtaria politike:
1992-2000: Nënkryetar dhe kryetar i Forumit të Rinisë Eurosocialiste.
1993-2003: Anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste.
1993-1996: Nënkryetar i Partisë Socialiste.
1993-1996: Sekretar i marrëdhënieve ndërkombëtare i PS-së. 1996-1997: Zëvendëskryetar i Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë
1997-1998: Kryetar i PS-së së Tiranës.
1997-1998: Sekretar Shteti për Integrimin Europian.
1998-1999: Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Integrimit.
1999-2002: Kryeministër.
2002-2003: Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm.
Shtator 2004: Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI).
2004-2006: Anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin, kryesuar nga ish-Kryeministri Italian, Giuliano Amato.
Shtator 2009 – shtator 2010: Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme
Shtator 2010- janar 2011: Zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
10.09.2013: Kryetar i Kuvendit
Zgjedhur në:
Zgjedhur në legjislaturat: II, III, IV, V, VI, VII, VIII
Qarku: Tiranë.
FOTO NGA VOTIMI NE KUVEND