Zgjedhjet/Ilir Meta: Lista të hapura. Kundërpërgjigjet Rama: Jo,të mbyllura!

Kryeparlamentari dhe Kryeministri, mendime të kundërta për Kodin Zgjedhor në lidhje me përzgjedhjen e  listës së të deputetëve

Afrimi i zgjedhjeve e ka kthyer në nevojë emergjente ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Problemet e viteve të fundit, me manipulimet dhe blerja e votës, janë vetëm një pjesë e asaj që do të përfshijë reforma zgjedhore. Idetë për reformën janë të ndryshme, por në mënyrë publike Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka çelur dje debatin për reformën duke bërë disa propozime interesante që pritet të dominojnë gjithë procesin. Janë disa propozime, ku aleati kryesor i qeverisë kërkon ndërhyrjen në Kodin Zgjedhor; lista të hapura, ulja e numrit të deputetëve nën 140, pakësimi i biznesmenëve në radhët e ligjvënësve dhe transparencë e financimeve të partive. Fakti që kreu i Kuvendit dhe drejtuesi i një partie me peshë të konsiderueshme elektorale i ka hedhur në tryezën e debatit tregon se ato janë pikat që do të diskutohen më së tepërmi.

Ajo që ngjan si një lëvizje që do të korrigjojë gjithë gabimet e bëra deri më sot me zgjedhjet në Shqipëri ka të bëjë me listat e hapura të kandidatëve për deputetë. Kreu i LSI-së, Meta tha dje gjatë një konference me politikanë dhe ekspertë të proceseve zgjedhore se listat e hapura garantojnë që votuesit të përfaqësohen më mirë në Kuvend.

Por çfarë janë listat e hapura dhe cili është modeli që aplikon tani vendi ynë? Sistemi aktual i ndryshuar në zgjedhjet e vitit 2009 kaloi nga mazhoritar në proporcional me lista të mbyllura. Gjë që do të thotë se, partitë dhe kryetarët e partive, përcaktojnë renditjen e kandidatëve për deputetë në çdo qark. Qytetarët votojnë për siglën e partisë dhe në bazë të votave të marra përcaktohet dhe numri i deputetëve që fiton partia. Votat nuk shkojnë për emra të veçantë të kandidatëve, por për logon e partisë. Ndërkohë, listat e hapura të kandidatëve u japin mundësi qytetarëve që veç partisë të shprehin mendimin dhe për kandidatin që vlerësojnë më shumë. Më pas, kandidati i secilës parti në çdo qark shpallet fitues në bazë të votave që kanë marrë nominalisht. Ndryshimi mes listave të hapura dhe të mbyllura, edhe pse i vogël në dukje, në fakt i jep më shumë dinjitet votës së qytetarëve. Pra, nuk do të ketë më deputetë kriminelë apo deputetë që nuk i do populli.

Së pari, me lista të hapura votuesi e di se cili është kandidati i tij dhe nuk voton vetëm për logon e partive, por për individin, ku ka më shumë besim dhe që është i lidhur më shumë me komunitetin. Voton për më të mirin.

Së dyti, listat e hapura indirekt janë dhe “dekriminalizimi” i politikës. Nëse në Parlamentin aktual ka emra problematikë me ligjin, kjo lidhet me faktin se qytetarët nuk kanë votuar emra të përveçëm, por kanë votuar një forcë politike. Futja e tyre në lista është përgjegjësi e kryetarëve dhe jo direkt e votuesve. Me listat e hapura, çdo kryetar partie do mendohet disa herë para se të vendosë një emër kandidati që nuk ka imazh të mirë, apo më keq akoma ka probleme serioze me ligjin.

Së treti, listat e hapura kthejnë intelektualët dhe profesionistët në politikë. Në dy zgjedhjet e fundit u vu re fenomeni i deputetëve anonimë. Janë njerëz që nuk kanë asnjë kontribut partiak, nuk shkëlqejnë në asnjë fushë në opinionin publik dhe nuk kanë asnjë meritë në shoqëri. Por janë zgjedhur deputetë vetëm duke qenë besnikë, servilë apo miqtë e miqve të Kryetarit. Falë listave të mbyllura, Kryetari i partisë apo Kryesia, mund të vendosin deputetë këdo që duan, pa pasur frikë se do të penalizohen, pasi në fund votohet partia dhe jo individi. Me lista të hapura diçka e tillë nuk mund të ndodhë. Pasi nëse kryetarët vendosin njerëz anonimë dhe pa asnjë meritë, qytetarët nuk do t’i votojnë. Përkundër kësaj, do të detyrohen të kthejnë sytë nga shoqëria civile, profesionistët, njerëzit me integritet dhe intelektualët që kanë lënë gjurmë në zhvillimet e vendit. Kjo është mënyra e vetme për ta hapur politikën dhe për të mos e bërë Parlamentin një vend, ku ka njerëz që s’kanë lidhje jo vetëm me ligjet, por as me problemet e këtij vendi.

Në fund, listat e hapura nuk janë një çështje teknike, por një çështje demokracie. Është e vetmja mënyrë që vota të mos hidhet në mënyrë anonime. Por është dhe e vetmja mënyrë, ku qytetari mund t’i kërkojë llogari një deputeti. Sepse sistemi aktual i ka bërë deputetët më të papërgjegjshëm. Për shkak se kandidimin e kanë fituar nga Partia dhe kryetari, pasi marrin mandatin nuk kanë asnjë lidhje me banorët e zonës, ku janë votuar. Me listat e hapura çdo qytetar do të di në derën e cilit ligjvënës të trokasë për premtimet e dhëna.

Ideja e hedhur dje nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta edhe pse duket një procedurë ligjore ka shkaktuar reagimet e para. Kryeministri Edi Rama ka gjetur kohë në axhendën e ngjeshur të takimeve në Serbi që të reagojë menjëherë për këtë çështje.Në bashkëbisedimin me gazetarët ai tha se ishte kundër listave të hapura.  Por për të mos e bërë fakt të kryer refuzimin ndaj aleatit, la të hapur mundësinë e diskutimeve. “Personalisht jam kundër listave të hapura, por kjo çështje kërkon një diskutim të gjerë. Unë jam që të zbatohen rekomandimet e OSBE-ODIHR”, është shprehur Rama nga Nishi i Beogradit.

Pas reformës në drejtësi, debati i madh i radhës është reforma zgjedhore. Shenjat e para të mungesës së kohezionit brenda koalicionit u dhanë dje, ku idesë nga Tirana, Edi Rama iu përgjigj me “jo” nga Beogradi.

Listat e hapura nuk i sjellin asnjë dëm zgjedhjeve në Shqipëri. I vetmi efekt që kanë te partitë është se cenojnë pushtetin e Kryetarit dhe u japin më shumë pushtet qytetarëve.

Qamil Xhani

SHKARKO APP