Intelektualët, thirrje qytetarëve: Sot të gjithë duhet të jemi në shesh!

Emra të njohur të artit dhe kulturës kanë dalë mëngjesin e sotëm me një thirrje publike drejtuar qytetarëve. Apeli i shkrimtarëve, artistëve dhe intelektualëve është për të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve politike që të marrin pjesë në tubimin kombëtar para Kryeministrisë, në orën 18:00.

Pavarësisht bindjeve politike që ka çdo shqiptar, intelektualët ngrenë alarmin për rrëzimin e sistemit politik dhe të vlerave qytetare në Shqipëri nga ana e Kryeministrit Edi Rama.

Dy nga emrat e njohur në rezistencën për mosshembjen e Teatrit Kombëtar, regjisori Robert Budina dhe shkrimtari Rudi Erebara, u bëjnë apel qytetarëve që sot të jenë në shesh.

Apeli i regjisorit të njouhur: Sot të gjithë në orën 18.00 në shesh!

Nga Robert Budina (Regjisor)

E patëm thënë që në krye të herës, që përpjekja për të shembur Teatrin Kombëtar do të shënonte fillimin e rënies së kësaj qeverie që e ka çuar vendin në kolaps! E nisën me grabitjen e pronës publike, për të vazhduar grabitjen e pronës private, të banorëve të Astirit, Bulevardit të ri dhe nesër mund të jetë radha jote!

Ndaj  për Teatrin, për dinjitetin, për mbrojtjen e demokracisë, për shëmbjen finale të diktaturës,  kundër arrogancës shtetërore, kundër plaçkitjes që kjo qeveri i bën vendit të vet: SOT TË GJITHË PARA KRYEMINISTRISË në orën 18.00, për një Shqipëri më të mirë!

Mesazhi: Pse duhet të dalim të gjithë sot në protestë?

Nga Rudi Erebara (Shkrimtar dhe publicist)
Sepse ka shumë rëndësi numri i qytetarëve. Sot protestën e opozitës duhet ta mbështesë në radhë të parë Tirana. Ta mbyllim sot një herë e mirë çdo shpresë se kjo diktaturë, kjo mafie, vjedhje, grabitje me dhunë, shitja e Shqipërisë, shitja e votës, nxjerrja në rruge nga shtëpia si Enver Hoxha në 1945, bandat që kontrollojnë parlamentin, nuk kanë ku shkojnë më.
Sistemi ka rënë. Shteti po mbahet pas litarit të rrogave.
Të dalim sot si qytetarë të Tiranës t’i themi gjithë Shqipërisë se këtu ka rënë shteti. Se nuk e njohim parlamentin e mafies. Se nuk ka për të fituar me mafia në asnjë zgjedhje. Sepse nuk ka zgjedhje me mafien.
Të dalim të mbështesim opozitën, që të detyrojmë opozitën të mos përkulet nga presioni ndërkombëtar për stabilitet me çdo kusht.
Jo. Të dalim sot, për demokraci me çdo kusht. Prandaj është shumë i rëndësishëm numri. Duhet të jemi shumë të tregojmë se nuk jemi ne ata që vjedhin aeroporte, por është qeveria. Nuk jemi ne ata që mbrojnë krimin, por qeveria. Edhe me këtë qeveri nuk ka zgjedhje.
Të dalim t’i japim fund.

Lexoni edhe…

SHKARKO APP