Intervista/Gjykata Kushtetuese ka vendosur se duhet vota e emigrantëve, ndërsa qeveria nuk nxjerr aktet nënligjore
Bashkëthemeluesi i lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, Florian Haçkaj shprehet optimist se politika në Shqipëri do ta shohë me përparësi të drejtën e diasporës për të zgjedhur dhe në respekt të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese do të plotësojë brenda janarit të 2024 kuadrin ligjor që do të sigurojë votën e emigrantëve.
Në një interviste për Zërin e Amerikës, zoti Haçkaj thotë se edhe pse deri më tani nuk ka patur asnjë lëvizje nga ligjvënësit, pavarësisht se kanë kaluar 6 muaj nga vendimi i gjykatës, ai “nuk beson se ka njerëz në politikën shqiptare që mund të pranojnë me vetëdije të plotë të jenë bartës të paligjshmërisë” dhe të mos mundësojnë të drejtën e diasporës për të votuar.
Gjatë bisedës me gazetaren Klementina Cenkollari, ai thotë gjithashtu se shqetësimi më i madh i emigrantëve është siguria e votës ndërsa shton se varianti më i mirë që emigrantët të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025 do të ishte votimi me postë.
Zëri i Amerikës: Zoti Haçkaj, ka kaluar 6 muaj nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese që i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të plotësojë kuadrin ligjor, përmes së cilit të sigurohet vota e emigrantëve. Lëvizja juaj e ka ndjekur nga afër këtë çështje. A keni shpresa se aktet nënligjore do të miratohen brenda afatit, pra në 6 muajt e ardhshëm?
Florian Haçkaj: Faleminderit shumë që e ngritët këtë çështje kaq të rëndësishme. Në fakt, vota e diasporës është një proces jetik, që duhet të fillojë pas 32 vitesh demokraci për Shqipërinë dhe kjo është lokomotiva e lëvizjes sonë, ne e kemi ndjekur që prej fillimit dhe kemi dashur që veçse të jemi në tryeza bashkëbiseduese, tryeza këshilluese, si grup interesi, kemi dashur dhe anën ligjore ta kemi në krah tonë dhe fatmirësisht fituam në padinë ndaj shtetit shqiptar që konstatoi të drejtën e cënimit të votës. Do të thotë, ligji zgjedhor që ishte prej 2020 realisht nuk e mundësonte votën e diasporës, ishte ndoshta për të hedhur hi syve dhe tani me këtë vendim që kemi në dorë, parlamenti është i detyruar deri në janar të 2024 ta ketë plotësuar kuadrin ligjor.
Fatkeqësisht, sot që flasim nuk ka ndodhur asnjë gjë, ndoshta kanë qenë të ngarkuar me zgjedhjet lokale nuk e di, e rëndësishme është që shqiptarët këtë gjë e duan dhe ne do të bëjmë të pamundurën për ta marrë këtë të drejtë kushtetuese. I përkthyer më thjeshtë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, do të thotë që çdo proces zgjedhor pas janarit të 2024 pa votën e diasporës është i paligjshëm dhe unë nuk besoj se ka njerëz sot në politikën shqiptare, që kanë një vendim nga gjykata më e rëndësishme e vendit dhe mund të pranojnë me vetëdije të plotë të jenë bartësit e kësaj paligjshmërie dhe lënësit jashtë të 1, 7 milionë shqiptarëve me të drejtë vote, që nuk duhet të harrojmë, nuk janë vetëm shqiptarë që e duan Shqipërinë me zemër, por janë edhe investitori më i madh strategjik, nëse mund ta shikosh të tillë, duke parë remitancat, që janë mbi 17 përqind të prodhimit të brendshëm bruto në Shqipëri, përveçse janë shumë të lidhur me shtetin amë.
Zëri i Amerikës: Zoti Hackaj, më shumë se 30 % e shqiptarëve me të drejtë vote jetojnë jashte vendit. Është folur shumë për votën e emigrantëve. Çfarë mendoni ju se po e pengon politikën ta shohë me përparësi këtë çështje?
Florian Haçkaj: Ne si lëvizje ia kemi dalë, dhe për këtë jemi krenar, të artikulojmë diasporën politikisht. Pra diaspora deri para tre vitesh nuk kishte një zë, kishte njerëz të mirë, të përgatitur që flasin nga gjithë globi, por ne ia kemi dalë të jemi në mënyrë të strukturuar dhe ne kemi vënë re që kjo ka sjellë një lloj tërheqje nga klasa politike, kryesisht nga qeveria që e ka këtë proces në dorë, duke patur dhe shumicën në parlament. Këtu më lejoni t’u kujtoj për shembull, ka patur një ministri diaspore, pasi dolëm ne si lëvizje, pasi u artikulua fort zëri i diasporës me kërkesat e tyre. Kjo ministri u shkri, që normalisht flitet që e duam shumë diasporën dhe pastaj një portë që ka për në shkrihet dhe sot nuk dimë ku të drejtohemi në një portë direkte. Pengesa kryesore është pikërisht ky zë i pakontrollueshëm, sepse, çfarë ka diaspora shqiptare? Ne kemi vënë re që janë njerëz që e njohin shumë mirë realitetin, mund të vijnë nga simpati të ndryshme politike, kahet politikë, por të gjithë, pas kaq vitesh jashtë duan më të mirën për vendin, sepse të gjithë ne kemi familjarë në Shqipëri, kemi ndoshta dhe angazhime të tjera, biznesi, pronash dhe duam më të mirën për vendin tonë. Pra, jemi larg atij militantizmit të njohur në çdo vend, jo vetëm në Shqipëri, që kanë grupe të ndryshme njerëzish që i kontrollojnë, ne vijmë përtej kësaj dhe kjo i shkakton një vështirësi, sepse mendojnë kjo është një votë e pakontrollueshme dhe pikërisht kjo është e bukura e kësaj vote, pse ne të gjithë ne duhet ta mundësojmë si votë, përfshi dhe partitë politike, sepse unë gjykoj që partitë politike do t’i nxjerri nga ato premtimet e njëjta elektorale që bëjnë prej 32 vitesh dhe do dali në një spektër tjetër, sepse ka njerëz që jetojnë jashtë të cilët duhet t’i bindin për t’i marrë votën.
Zëri i Amerikës: Cilat mendoni se janë çështjet kryesore teknike që duhen zgjidhur për të mundësuar votën e emigrantëve?
Florian Haçkaj: Problemi madhor është ana ligjore, që duhet plotësuar. Por aty nëse ka konsesus, dhe ne po vijmë me një draftim. Një gjë që ne si lëvizje duam të bëjmë ndryshe është që jo vetëm të kërkojmë, por edhe të sjellim diçka në tryezë pra diçka për të cilën flitet, aq më tepër që jemi grupi më i madh i interesit. Pjesa ligjore është e para.
Me shpresën, me besimin që kjo do të bëhet, ne duhet të merremi me sigurinë e kësaj vote sepse ka një mosbesueshmëri të madhe dhe nga shqiptarët që janë brenda, por edhe nga shqiptarët që janë jashtë. Unë tani, në turin tim në Amerikë kam takuar ligjvënës amerikanë, por çfarë është më e rëndësishmja kam takuar diasporën shqiptare dhe do ta takoj ende dhe dëshira është e madhe, por frika është e tillë: kur vota vidhet në Shqipëri si do të sigurohet vota jonë? E mira është që ne nuk duhet të shpikim rrotën, ka rreth 150 shtete në botë që e aplikojnë votën e diasporës, përshirë Kosovën, që ka pasur 4 procese tashmë me votën e diasporës dhe të gjitha kanë ardhur në përmirësim. Më e thjeshta nga ana teknike është vota me postë. Qytetari regjistrohet si votues, që dëshiron të votojë, i vjen letra nga KQZ-ja, e çon me postë dhe aty numërohet ditën e votimit, para se të fillojë numërimi tjetër, ose pas. Ka dhe teknikalitete të tjera, flitet për votimin elektronik, fatmirësisht, ne kemi në levizje dy profesorë që merren me votimin elektronik dhe e dimë shumë mirë se çfarë problematikash ka. Vetëm Estonia e përdor votimin elektronik sot që flasim, shtetet e tjera e kanë pjesërisht, por ka shumë problematika, kështu që ndoshta do të mbetemi të pjesa me e thjeshtë që është votimi me postë, këtë herë.
Zëri i Amerikës: Nga konkaktet që ju keni cilat janë format që po diskutohen për përfaqësimin e diasporës?
Florian Haçkaj: Përfaqësimi i diasporës, të paktën nga ne që e kemi shtyrë përpara këtë proces, është lënë në një vijë paralele për të mos vonuar procesin e realizimit të votës së diasporës, sepse përfaqësimi me deputetë të dedikuar për diasporën vjen me një ndryshim kushtetues dhe kjo mund ta vështirësonte procesin. Megjithatë, e drejtë kushtetuese e çdo shqiptari mbi 18 vjeç është që jo vetëm të zgjedhi, por edhe të zgjidhet, kështu që kjo është pyetje shumë e vend. Ne po punojmë, mendojmë se në atë draftimin tonë do kemi dhe një draft për këtë pjesë, por ka pasur disa, po i quaj shashka në gjuhë popullore nga politikanë në Shqipëri, të tipit të rrisim deputetët në Tiranë, që do të ishte një flluskë totalisht e panevojshme dhe do t’i bënim keq dhe njerëzve që banojnë në Shqipëri sepse ne nuk kemi nevojë të rrisim artificialisht numrin e deputetëve, por kemi nevojë të kemi përfaqësues dhe shpresimisht përfaqësues në parlament që vijnë me një qasje tjetër ndaj politikbërjes dhe ndaj dashurisë për vendin./VOA/