Ish-ambasadorja e hekurt Yuri Kim del në protestë
Pamjet që erdhën së fundmi nga Uashingtoni tregojnë një tablo që shumë shqiptarë do ta konsideronin të pabesueshme disa vite më parë: Yuri Kim, ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, qëndron në trotuar jashtë godinës së Departamentit Amerikan të Shtetit dhe proteston kundër një vendimi të qeverisë së saj. Në krah të saj ndodhen dhjetëra punonjës të shkarkuar nga administrata, disa me lot në sy, të tjerë me pankarta në duar, duke protestuar për atë që ata e quajnë “spastrim politik”.
Kim tha publikisht: “Është një ditë e trishtë për Shërbimin e Jashtëm dhe për të gjithë ne që kemi shërbyer në këtë institucion me përkushtim”, shkruan TCH.
Deklaratë njerëzore, e sinqertë dhe e natyrshme. Por pikërisht këtu lind një kontrast i thellë — një hipokrizi e rëndë politike dhe diplomatike që nuk mund të injorohet nga askush që mban mend rolin e Yuri Kim në Shqipëri.
Nga protestat në Uashington, tek ndalimi i protestave në Tiranë
Nëse një qytetar shqiptar do të protestonte kundër qeverisë në vitin 2021, duke shprehur pakënaqësi për zgjedhjet, korrupsionin, dhunën policore apo censurën mediatike — Yuri Kim ishte aty për ta ndëshkuar moralisht. Qoftë përmes deklaratave publike, përmes qëndrimeve të dyzuara, apo përmes mesazheve të nënkuptuara që mbështetnin vetëm një krah politik.
Ishte po Yuri Kim që këmbëngulte se kushdo që kritikonte marrëveshjen politike të 5 qershorit, duhej të heshtte, sepse “ashtu e donte Amerika”. Madje, ishte po ajo që dha deklaratën se kush nuk pranon linjën e imponuar, do të “hajë bar”.
Pse kjo protestë është simbolike për Shqipërinë
Ka shumë gjëra që e bëjnë këtë protestë të pazakontë jo vetëm për vetë SHBA-të, por veçanërisht për shqiptarët. Sepse është dëshmia më e qartë që asnjë ambasador nuk është Amerika. Asnjë qëndrim diplomatik nuk është i pagabueshëm. Dhe asnjë ndërhyrje e huaj nuk është mbi sovranitetin dhe logjikën e shëndoshë të një kombi.
Shqiptarët e panë Yuri Kim të përfshihej drejtpërdrejt në jetën politike. E panë të ndërhynte në përjashtimin e Sali Berishës nga Partia Demokratike, të përkrahte zgjedhjet më të kontestuara të dekadës dhe të miratonte kontrata të errëta si ajo për dy anijet-gjeneratorë në Vlorë, që u kushtojnë qytetarëve 64 mijë dollarë në ditë pa prodhuar asnjë kilovat energji.
Tani ajo vetë proteston për “drejtësi”, për “liri mendimi”, për “mosdiskriminim politik”. Ironia është aq e thellë, sa kalon përtej kritikës. Bëhet një akt simbolik i zbërthimit të një narrative që për vite është përdorur për të imponuar, për të frikësuar, për të heshtur. Në Shqipëri ajo quhet ambasadorja e hekurt.
A do ta lejonte Yuri Kim këtë protestë në Shqipëri?
Kjo është pyetja që çdo qytetar i ndershëm shqiptar duhet të bëjë sot. Nëse kjo protestë, me të njëjtat pankarta dhe mesazhe, do të ndodhte në Tiranë, kundër një qeverie që ajo mbështeste, si do të reagonte? A do ta cilësonte të ligjshme? A do t’i përshëndeste protestuesit me duartrokitje, siç ndodhi me të sot në SHBA?
Mësimi që nuk duhet harruar
Rasti Kim është një rast studimi për të ardhmen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Ai nuk cenon miqësinë me Shtetet e Bashkuara — përkundrazi. Na ndihmon të kuptojmë se të jesh aleat nuk do të thotë të jesh servil. Se të jesh mik nuk do të thotë të heshtësh përballë arrogancës. Se të jesh pro-amerikan nuk do të thotë të pranosh çdo “mesazh ambasade” si të shenjtë.
E megjithatë Yuri Kim ishte ambasadore kalibri, ndofta ambasadorja me e fuqishme që SHBA ka patur në Tiranë.
KOHA JONË SONDAZH

