Ish-kryeministri Aleksander Meksi i surprizuar nga rrefimi i Izet Haxhisë
Ish- truproja e Sali Berishës, Izet Haxhia në rrëfimet e tij, tregon edhe për një skenar të vrasjes së Aleksandër Meksit në vitin 1992.
Sipas Haxhisë, Berisha i kishte dhënë fjalën Bashkim Koplikut për t’u bërë kryeministër, por ky humbi në votimin përballë Meksit në Këshillin Kombëtar. Megjithatë Haxhia shkruan se Berisha i ka premtuar Koplikut se do të qëndronte vetëm 6 muaj si ministër i Brendshëm dhe më pas do të bëhej kryeministër.
Por për të shmangur Meksin duhej një mënyrë që ai të eliminohej.
Dhe përmes një skenari si nëpër filma, do të tentohej rrëzimi i avionit të kryeministrit të saj kohe. Izet Haxhia ka qenë për rreth 6 vjet badigard i Sali Berishës dhe një nga njerëzit e tij më të afërt. Por në 3 vitet e fundit ai nuk i ka ndaluar për asnjë moment sulmet ndaj ish shefit të tij, duke e akuzuar si vrasës.
I kontaktuar nga gazeta Dita, ish-Kryeministri Aleksandër Meksi thotë se ngjarja është e vërtetë. “Më ka tronditur ky rrëfim i Izet Haxhisë. Ngjarja është e vërtetë. Kështu ka ndodhur. Por nuk i kam ditur dhe nuk jam interesuar asnjëherë për prapaskenat dhe rrethanat se si ka ndodhur. Nuk mund të flas më tepër për momentin…”, deklaron Meksi.