Ish-ministri grek Kotzias: Bushatin e larguan se nuk pranoi ndryshim kufijsh Kosovë-Serbi
Gjithnjë dhe me shumë po zbardhet prapavija politike dhe antikombëtare e largimit të ministrit Ditmir Bushati. U tha se ishte dora e presidentit Thaçi dhe presidentit serb Vuçiç, të cilët ndikuan te kryeministri Rama për ta shkarkuar. Ndonëse presidenti Meta duket i vendosur që të mos e firmos dekretin e shkarkimit, prapë korrierë kryeministror po ofrojnë gjithçka vetëm që ta firmosi që të ruhet dinjiteti i Edi Ramës në mazhorancë.
Por ish-ministri grek Kotzias ka zbuluar pse e largoi Bushatin kryeministri Rama. Gjithashtu mësohet se politika gjermane mbetet shumë e interesuar për mos ndryshim kufijsh në Ballkan, sepse e di mirë se do plasë lufta. Ndaj Ministri Bushati ka qenë kundër ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi dhe natyrisht ka sugjeruar kryeministrit Rama që të mos mbajë anën e Presidentit serb, Vuçiç. Kjo duket se e ka irrituar Edi Ramën dhe synoi ta shkarkonte si ministër të jashtëm.
Në një intervistë radiofonike, që ka shkaktuar komente dhe reagime të shumta, ish-ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias iu referohet edhe marrëdhënieve me Shqipërinë duke dhënë një fakt pse u shkarkua ministri Bushati.
“Në këtë historinë e toneve të larta, më racionali, më luftëtari për pikëpamjet e tij, i ri në moshë, por një njeri shumë i pjekur, ministri i Jashtëm më serioz që kishte Shqipëria për të negociuar, zoti Bushati u largua nga detyra. E u largua, për mendimin tim, jo sepse kishte shumë vite ministër, siç thuhet në Shqipëri. Por, sepse kishte një pikëpamje të ndryshme për çështjen e Kosovës, domethënë nuk pajtohej me ndryshimin e kufijve”, ka thënë ai.
“Dhe e dyta – ka sqaruar Kotzias, – sepse kishim bërë këtë përpjekje për një paketë marrëveshjesh, e cila kishte përfunduar, por kishte dy probleme. Njëri nga pala shqiptare, pasi nuk ekzistonte Gjykata Kushtetuese që të certifikonte ndryshimet në një sërë çështjesh, sepse kishte vetëm dy nga 11 gjykatësit në këtë moment; dhe i dyti, sepse sa i përket Shqipërisë, ka edhe në shtetin grek një segment fundamentalist për të cilin nuk kam vendosur ende që të flas, por e kam informuar me detaje kryeministrin para se të largohem”, ka thënë ai.
Pikërisht ky segment që nuk njeh zyrtarisht me truke të ndryshme ligjore kufijtë dhe nuk është i gatshëm të njohë me mjete ligjore se ka mbaruar lufta mes Shqipërisë dhe Greqisë, një luftë që ka ndodhur para shumë dekadash. Greqia – ka përfunduar Kotzias, – duhet të bëhet më serioze dhe të zgjidhë problemet, ose metodikisht ose menjëherë, siç zgjidhi nyjen gordiane me shpatë, Aleksandrin e Madh.