Ish-ministri i PS, Elmaz Sherifi: Të pushkatuan pa gjyq, o Teatër!
Nga Elmaz Sherifi, ish-ministër i PS
Dhe ku të “pushkatuan” e pse pa “gjyq”? Të “goditën” në pabësi, më 17 maj 2020, kur “gardianët” e Teatrit Kombëtar”, të sfilitur nga netët pa gjumë të 28 muajve, u kapën në befasi dhe u masakruan nga “kapuçonët e Zinj”, të cilët ekzekutuan urdhrin e “Haxhi Qamilistëve” !
Aksioni, si paralelizojnë media e autorë të shumtë brenda e jashtë vendit, ngjasonte me veprimet e talebanistëve. Ju ishit shndërruar realisht në “lapidar”, një status, që askush nga autoritetet shtetërore nuk e kishte akorduar, por që ishit futur në kompleksin e objekteve muzeale. Ndonëse nuk kishit ndonjë vlerë të madhe arkitekturore sipas “grupit pushkatues”, kishit një vlerë të papërsërtshme historike e kulturore.
Pikerisht në sallen tuaj qëndrore janë zhvilluar disa gjyqe e janë marrë vendimet monstruoze për vrasjet e intelektualëve më të shquar të kombit, më firmetarë të “Aktit të Pavarësisë” dhe protagonistë që hodhën themelet e shtetit të së drejtës, si organizatorë të Kuvendit të Durrësit nga doli qeveria e Kombit që mbrojti çështjen kombëtare shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, themeluesit e institucioneve politike e juridike në Kongresin e Lushnjës dhe pjesëmarrës në Luftën e Dytë Botërore. Por edhe Diktatura e zhvillonte gjyqin formalisht, ndërsa “Haxhi Qamilistët, nuk kishin durim të prisnin vendimin e Gjykatës Kushtetutese, e cila kishte filluar procedurat e gjykimit të kërkesës që Kryetari i Shtetit e kishte depozituar, si për ligjin absurd që i dhuronte një subjekti të preferuar privat, ndërtimin e tij dhe për vendimin e Filozofit Surealist të së drejtës, i cili e bëri “nul”, si thonë të paditurit, me vendim qeverie, duke “rrafshuar” filozofinë e jurisprudencës të Hans Kelzenit, ashtu si të rrafshuan edhe ty o “monumenti historik” në errrsiren e 17 majit, si hakmarrje për “opozitën jo institucionale”, që kishte filluar të bënte rojë, duke shkelur “marrëveshjen” e 17 majit 2017 !
Ti o “lapidar” duhet të ikesh i qetë në “botën e harresës”, se nuk je i pari që u ekzekutove “pa gjyq”. Këtë fat kanë patur të gjitha institucionet e trashëgimisë kulturore. Në atë botë shkuan pa vendim gjykate, Kinema Republika, Kinema 17 Nëntori dhe Stadiumi Kombëtar Qemal Stata, i cili ishte në listen e Trashëgimisë Kulturore dhe u ekzekutua “pa gjyq”. Madje atë e poshtëruan aq barbarisht, se pasi i vendosën emrin e Heroit të Popullit edhe Akademisë Politike të Rilindjes, emri i tij “luturoi me Air Albania”!
Fatkeqisht është tragjike se ekzekutimet e tyre u bënë nga ish-ministri i Kulturës, sot kryeministër. Cila ishte baza juridike e ekzekutimit? Filozofia surealiste, e cila ka eleminuar të gjitha pushtetet e shtetit dhe kompetecat e tyre i ka marrë vete themeluesi i Filozofisë Surealiste të së Drejtës. Këtë e ka theksuar edhe në debatet e përditshme. Pyetjes së një gazetari me panelin e TV 7 në Kosovë, se përse nuk pritet vendimin e Gjykatës Kushtetutese, Filozofi Surealiste iu përgjigj plot kompetencë: “Ç’punë ka Gjykata Kushtetutese, ajo nuk e ka kompetencë” !
Kot lodhen edhe institucionet ndërkombëtare e mjaft personalitete europiane, që rreken me këshilla e deklarata.
Akoma nuk kanë parë gjë akoma, ashtu si populli shqiptar. Ata e kanë harruar kërcënimin e tij, se do e miratojmë ligjin për legalizimin e parave të pista, edhe sikur e gjithë bota të jetë kundër. Prandaj gjeti kohën e kolerës për të miratuar edhe ligjin e legalizmit të kanabisit, pavarësisht se në Shqipëri nuk ka pushtet legjislativ legjitim dhe votimet per veteqeverisje vendore kane rikthyer keshillat popullore të Rretheve.
Këtu te legalizimi i papastërtive do kërkuar e gjetur edhe shkaku i “dënimit pa gjyq” i Teatrit Kombëtar”.
Sa për kujtesën e “dritëshkurtërve”. Ligji Nr. 37/2018 u bë për t’ia hequr kompetencën Këshillit Bashkiak të Tiranës, sepse atë mot ishin anëtarë edhe përfaqësues të opozitës dhe marrja e vendimit kërkonte 3/5 e votave. Këtë mot u analua se “privati i preferuar” nuk e tregon “hallin” pse “heq dorë” nga ndërtimi. Prandaj Filozofi Surealist i së Drejtës e “bëri nul” ligjin me Vendimin Nr.337/2020 dhe autorizoi Këshillin Popullor të Rrethit tëTiranës, pasi aty nuk ka më zë kundër, sepse të gjithë janë keshilltarë të rilindjes.
Që brenda natës e jashtë kompencave që u jep ligji për vetëqeverisje vendore të nxirrnin aktin për “pushkatim pa gjyq”.
Por jo të gjitha djallezitë mbulohen me një “pushkatim” pa gjyq. Pyetja e parë që bëhet nga njerëzit normalë është, me çfarë projekti do të ndërtohet Teatri i Ri? Përgjgja jepet në heshtje. Me atë projekt që do të ndërtonte “ndertuesi i preferuar”!
Po si ka mundësi që “dhurohet” projekti disa milionë euro? Përgjgja është e kuptueshme. Se dhuruesi do të ndërtojë kullat pas Teatrit Kombëtar !
Ik i qetë në atë botë i “vjetri” teatër. Të pushkatuan pa gjyq, që nga “lapidar” të shndërrohesh në “vend të shenjtë” ku mijëra qytetarë do të ndezin qirinj e do falen çdo ditë për të kuptuar fuqinë që kanë, ashtu si kjo pikturë e hedhur nga unë 3 vjet më parë.