Ish-ministri Tahiri, presion Ramës

Pas daljes së dosjes “Habilaj” dhe deri të enjten në mbrëmje, kur u shfaq në emisionin “Opinion”, Saimir Tahiri ishte i bindur edhe vetë se e priste burgu. Në PS dhe në qeveri shumë ministra rrinin me veshë në krah se mos u vinte radha atyre pas Tahirit, por edhe thonin se “ishalla mbyllet kjo fortunë me kokën e Sajmes!”. Dhe Sajmo (Sajmiri) e dinte se këtë donin edhe në PS. Ndaj ndonëse ishte në situatë të rëndë, siç e thoshte edhe te Fevziu, prapë me sa duket i punoi mendja djallëzore se duhej të kërcëllonte dhëmbët te Rama dhe tek këshilltari më i besuar i kryeministrit, Endri Fuga. Fuga nuk ka gjynahe, por dërgon në mënyrë korrekte fjalët të shefi i madh i qeverisë.

 Ende pa vajtur mesazhet e Tahirit ishte kryeministri Edi Rama i pari që, pas sinjaleve të mediave afër tij, e lëshoi ish-ministrin . Me disa komente të shkurtëra në Facebook, ai shprehej i “neveritur” nga përgjimet ku përmendej Tahiri, si dhe bënte thirrje për drejtësi dhe “drurë të shtrembër” në Partinë Socialiste. Në këtë mënyrë dukej se Rama “lau duart” me ministrin më të suksesshëm të rilindjes, sipas tij. Pas këtij sinjali, në grupin e PS u dha porosia që të mos bëhej asnjë deklaratë në mbështetje të Tahirit nga deputetët, një pjesë e të cilëve janë dhe miq shumë të afërt me ish-ministrin. Deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm çështja “Habilaj” njësohej me emrin e Tahirit dhe arrestimi i ish-ministrit, sipas akuzës së prokurorisë, ishte vetëm çështje orësh. Socialistët ishin gati të sakrifikonin deputetin dhe kreun e PS-së së Tiranës duke shmangur kështu një barrë të madhe që rrezikonte të hidhte dyshimet për trafikun e drogës deri në zyrat e më të larta të qeverisë.

Për të parë se sa seriozisht e kishte Tahiri se do të hapte thesin e faktëve dhe regjistrimeve që ka për shumë zyrtarë të lartë në qeveri, e jo vetëm, mbërriti në majën e Kodrës së Diellit ( atje ku Tahiri shikon i pari diellin në Tiranë) një president futbolli. Presidenti i futbollit është njeri besnik i kryeministrit Rama dhe dikur ish-kryeministrit Nano. Dëshmitarët rrotull shtëpisë së Tahirit, atje në Kodër, tregojnë se Presidenti i futbollit kryeqytetas hyri i qartë, por doli i turbulluar. Se çfarë i ka thënë ish-ministri nuk dihet, por gjykohet me atë që ndodhi më pas, pra dje në mesditë.

Pak orë para se të mblidhej Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit një telefonatë e Saimir Tahirit, interceptuar nga shërbime perendimore, ka bërë që kryeministri Rama të ndërrojë mendim. Ndryshe nga sa kishte deklaruar më parë Rama, në Këshill socialistët mbajtën një tjetër qëndrim. Në vend të shqyrtohej kërkesa e prokurorisë për Tahirin, socialistët i bën gjyqin publik e politik prokurorisë. Shqyrtimi i fakteve, dosjes dhe atyre që prokuroria konsideron prova, edhe pse nuk është detyrë e Kuvendit, u bë në mënyrë të tillë që gjithë akuza e prokurorisë të dukej politike. Praktikisht dje socialistët, me një mbrojtje në bllok që niste nga Kryeministri e përfundonte te gjithë deputetët, e shpallën të pafajshëm Saimir Tahirin. Realisht luajtën bukur politikisht. Janë mjeshtra në këtë drejtim. Prokuroria nuk duhej të futej në këtë lojë direkte mediatiko-politike. Nuk  kishte pse prokuroria të dilte në Këshill sikur të ishte para një gjykate për të vertetuar provat. Por jo vetëm kaq. Sajmir Tahiri kishte lajmëruar mbështetësit socialistë që ishin thirrur të protestonin para kuvendit pro Tahirit, duke e kthyer ish-ministrin në një hero public, sipas tyre. Saimir Tahiri mund të jetë i pafajshëm dhe është i tillë derisa nuk ka një vendim gjykate, por aktualisht ndaj tij Prokuroria ka akuza për trafik droge dhe korrupsion. Ruçi bënte sikur ishte mbi palët, por ndërsente deputetët e tjerë. PS-ja dha një shenjë solidariteti, duke përdhunuar drejtësinë. Ajo çfarë u pa është shenjë e keqe për reformën në drejtësi.

Pavarësisht ka apo nuk ka faj Tahiri, PS-ja dhe Rama ndërhynë me të dyja këmbët në një proces duke e bërë të pavlefshëm që në fillim. Edhe sikur Prokuroria të ketë pasur një akuzë politike, asnjë gjykatë nuk do çmendej të vendoste mbi prova të paqëna. Edhe sikur prokurorët, siç pretendon nën zë PS, të jenë vënë në lëvizje nga “telefonatat e Berishës”,  do ishte më  e favorshme për Qeverinë dhe Tahirin që gjithë këtë skenar ta rrëzonte gjykata duke i dhënë dhe fitoren morale-juridike ish-ministrit. Por duket se frika zotëron në PS. Shtyrja e vendimit ishte e panevojshme dhe e ka vënë mazhorancën dhe Edi Ramën në një presion të fortë nga ndërkombëtarët.

Mësohet se nga një ambasadë e rëndësishme perëndimore në Tiranë është pritur me shumë habi vendimi i PS dhe i Ramës për ta shtyrë dhe bllokuar këtë hetim vendas dhe ndërkombëtar. Pas gjithë shfaqjes teatrale në Këshillin e Mandateve, pyetja publike që shtrohet është se çfarë ndodhi që Edi Rama të ndryshojë mendim? Nga e enjtja në mesnatë deri në mëngjesin e të premtes mes Kryeministrit dhe ish-ministrit duket se ka pasur komunikime të reja që kanë vendosur fatin politik të Saimir Tahirit. Janë disa variante që qarkullojnë në korridoret e PS-së. Mes tyre, ai që është më i besueshmi dhe që shpjegon përmbysjen e skemës së parë të Ramës për braktisjen e ish ministrit, është presoni që Tahiri i ka bërë Kryeministrit. Ish-ministri i Brendshëm që ka qëndruar në këtë detyrë për 4 vjet, duket se ka në dosjen e tij materiale komprometuese për aktivitetin e ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë. Në ato pak komunikime që Tahiri ka pasur me disa kolegë të PS-së mësohet se u ka thënë se pas braktisjes do të vinte dhe sulmi i tij shkatërrues për Ramën.

Ndaj kryeministri e ktheu pllakën me 180 gradë brenda 24 orëve. Sot PS do votojë kundër arrestimit, por do bëjë sikur do lejojë vetëm heqjen e imunitetit dhe kontrollin e banesës.

Q.Xh.

SHKARKO APP