Ish-ministri Ylli Manjani për prapaskenat e PS-së kundër Presidentit Ilir Meta

Pas “krisjes” mes PS-së dhe LSI-së, teza e shtruar së tepërmi në ambientet politike dhe mediatike është ajo e refuzimit prej PS-së të betimit për presidentin e zgjedhur Ilir Meta.

Shpesh është thënë se PS nuk do të marrë pjesë në seancën e betimit të 24 korrikut për të sjellë më pas shkarkimin e Metës. Por në një arsyetim ligjor, ish- ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani shkruan se kurrsesi nuk është kushtetuese një veprim i tillë.

Sipas Kushtetutës Presidenti shkarkohet vetëm kur e shkel rëndë atë dhe kjo bëhet me 93 vota. Ndaj sipas Manjanit, Bujar Nishani do të mbetet në detyrë deri në betimin e Ilir Metës sado që parlamenti ta shtyjë.

Një sqarim ligjor për Presidentin

Në korridoret e politikës dhe nëpër media qarkullon ideja se: PS e inatosur me Ilir Metën, nuk do paraqitet në Kuvend për të lejuar Presidentin të betohet.

Kjo ide nuk ka fare terren kushtetues, as as ligjor. Thjesht duket si tym politik post fushate!

Megjithatë po rendis disa fakte që sqarojnë situatën nga pikëpamja kushtetuese:

  1. Ilir Meta është zgjedhur President rregullisht sipas kërkesave të nenit 87 të Kushtetutës. Zgjedhja e tij është bërë rregullisht sipas procedurave të Kuvendit dhe me shumicë legjitime deputetësh. Shumicë kjo e ngjizur edhe me vendime politike.
  1. Nga çasti i zgjedhjes, Presidenti i Republikës merret në mbrojtje kushtetuese. Por sipas nenit 88.3 të Kushtetutës Ai fillon të ushtrojë detyrën e Presidentit vetëm pasi Betohet para Kuvendit. Betimi bëhet vetëm kur mbaron mandati i Presidentit në detyrë.
  1. Presidenti në detyrë Bujar Nishani qëndron në detyrë deri më datë 24 Korrik 2017. Pra kjo është data kur Presidenti i Zgjedhur (Meta) duhet të betohet në Kuvend për të filluar detyrën.
  2. Kuvendi ndërkohë është i shpërndarë. Për më tepër që është zgjedhur (thuajse) Kuvendi i ri. Neni 65.1 e Kushtetutës na sqaron se Kuvendi ekzistues qëndron në detyrë, edhe pse është i shpërndarë, deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri.
  1. Kuvendi i ri mblidhet me 9 ose 10 shtator 2017. Pra deri atëherë kuvendi me deputetët aktualë, jo këto të zgjedhurit tani, mblidhet sipas nevojës edhe në seancë të jashtëzakonshme, sipas nenit 74.2 dhe 74.3 e Kushtetutës.
  1. Pas datës 10 Korrik, Kuvendi i mbledhur në seancë të jashtëzakonshme nuk mund të miratojë ligje (neni 65.4 e kushtetutës). Pra qartësisht veprime të tjera siç është edhe betimi i Presidentit të ri, lejohet ta bëjë. Betimi është vetëm një moment formal.

Këto janë momentet Kushtetuese që e bëjnë rotacionin në Krye të shtetit.

Të tjerat, ato që përfliten të paktën nuk janë normalja, por anormalja!

Pyetja është çfarë ndodh nëse Kuvendi nuk i ka 71 deputetë prezentë për të lejuar betimin e presidentit? Për t’u përgjigjur kësaj pyetje duhet të kemi në konsideratë se:

– Mosbërja e betimit se Kuvendi nuk mblidhet, nuk e shkarkon nga detyra Presidentin e zgjedhur. Refuzimi për të bërë betimin çon në mbarimin e detyrës, por jo mos mbledhja e Kuvendit.-

-Presidenca nuk mbetet bosh, presidenti në detyrë vijon detyrën deri sa të betohet i riu.

-Kuvendi është i detyruar, herët a vonë, të lejojë betimin e Presidentit. Praktikë e Gjykatës Kushtetuese kjo.

-Kuvendi mund ta shkarkojë Presidentin ( edhe ate të zgjedhur që nuk është betuar) vetëm nëse Ai (Presidenti) shkel rëndë Kushtetutën dhe kryen një krim të rëndë. Vetëm për këto arësye, e jo se nuk më pëlqen apo se “u bëra pishman”…

-Presidenti shkarkohet nga 93 vota deputetësh, kur provohet njeri nga kushtet. Vendimi i Kuvendit gjykohet në gjykatën Kushtetuese. Pra vetëm kështu shkarkohet Presidenti. Edhe Ai i zgjedhuri.

Nisur nga ky sqarim, besoj është e qartë se është kot gerdufja politike se nuk e duam Metën President.

Eshtë diskutim dhe përpjepje e kotë dhe e panevojshme!

SHKARKO APP