Ish-presidenti Nishani apel Metës: Deklasifiko informacionet e SHISH
Ish-presidenti Bujar Nishani ka folur për informacione të klasifikuara në emisionin “Të paekspozuarit” në lidhje me krimin e organizuar në Shqipëri. Informacione këto të raportuara tek Presidenti i Republikës dhe të bëra të njohura edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të thirrur 3 tetorin e vitit të kaluar nga Nishani për situatën e trafikut të drogës. Nishani tha sonte se ka pasur informacione për përfshirjen e punonjësve të policisë në trafik.
Ai tha se sipas ligjit SHISH më parë i raporton kryeministrit dhe më pas Presidentit dhe së këto informacione janë në arkivin e Presidencës. Duke vënë alarmin për situatën në vend, Nishani tha se shteti është në zgrip dhe informacionet e klasifikuara duhen deklasifikuar. Ilir Meta duhet ti hap këto dokumenta para publikut.
Rakipi: Si shpjegohet që sa më shumë asgjësohej në gojën e qeveritarëve, aq më shumë rritej.
Nishani: Kjo tregon mungesë papërgjegjshmërie, mungesë përgjegjësie dhe natyrisht shpërdorim të detyrës nga të gjithë ata që kanë pasur për detyrë të luftojnë krimin e trafikun.
Rakipi: Duket sikur jetojmë në një shtet kartel?
Nishani: Ju thashë që përveç pjesës së aktivitetit kriminal, ky grupi kriminal i Habilajve, që jo pa qëllim thashë janë të kategorisë së dytë, krimi i organizuar në Shqipëri ka kaluar në një stad më të lartë. Ambasadori amerikan foli për mafie. Edhe qëndrimi i qeverisë së SHBA për deklarimin e familjeve mafioze në Shqipëri këtu klanet mafioze kanë arritur aq lart sa jo vetëm duhet të na alarmojë por duhet të gjejmë rrugën e zgjidhjes.
Rakipi: Një ambasador bën një deklaratë kaq të madhe, ju duhet ta keni diskutuar më parë?
Nishani: Unë po nënvizoj atë që ambasadori ka folur në emër të qeverisë së SHBA. Që në Shqipëri ka klane mafioze dhe grupe kriminale. Maja e veprimtarisë kriminale shkon tek këto familjet mafioze, që jo vetëm kontrollojnë trafikun por kontrollojnë politikën.
Lubonja: Ajo që dua të di është kjo gjë, që ish-presidenti tha se Habilajt janë një skalioni i dytë. Halli im është ky si qytetar, si gazetar, ju nën petkun e presidentit, siç e kuptoj unë keni marrë informacion për këto grupe të tjera, ashtu sikurse për Habilajt. Ne na shqetëson si kanë funksionuar institucionet. Pra institucioni i SHIK-ut.
Nishani: Presidenti ka marrë informacione për trafikun në rritje, për përfshirjen e punonjësve të policisë me emra.
Rakipi: Këta emra vijojnë në qetësi?
Nishani: Përderisa nuk janë goditur, nuk ka hetime ndaj tyre do të thonë se vijojnë.
Lubonja: Këto informacione duhet t’i shkonin dhe kryeministrit.
Nishani: Nuk mund të flas se çfarë informacionesh i kanë shkuar kryeministrit. Me ligj është që para se t’i shkojnë Presidentit, i shkojnë kryeministrit.
Rakipi: Rama thotë që nuk ka marrë informacione, thotë që nuk kam marrë informacione për Tahirin.
Nishani: Informacione që kam marrë janë në arkivën e SHISH dhe të Presidencës.
Rakipi: Ju doni t’i thoni Presidentit të ri bëjeni publike.
Nishani: Unë dua t’i them opinionit publik që në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë është diskutuar dhe për zyrtarë të përfshirë. Shteti është në zgrip. Në këtë pikë ku kemi mbërritur edhe opinioni publik duhet të jetë i qartë. Të deklasifikohen disa qëndrime, deklarata dhe informacione nga institucionet e mbledhura në atë tryezë dhe të kuptohet së pari, sepse aty nuk është çështja vetëm e hetimit penal, kemi nevojë për një diskutim të madh publik.
Bushati: Çfarë do zbardhte kjo?
Nishani: Nuk mund ta them unë sot. Nuk besoj se ka të bëjë me çështje emrash, por ka të bëjë me funksionimin e mekanizmave.