ISMAIL KADARE, SHKRIMTARI QË ME VEPRËN E TIJ NA DHA LIRINË KU MUND TË ARRATISESHIM

Nga Luan Rama-

Në 88-vjetorin e lindjes:

ISMAIL KADARE, SHKRIMTARI QË ME VEPRËN E TIJ NA DHA LIRINË KU MUND TË ARRATISESHIM

Shqiptarët, si popull dhe si komb, nuk kanë patur ndonjëherë më parë në të gjithë kohërat që prej kur kanë lindur dhe janë vendosur në këtë pjesë të globit, një shkrimtar tjetër më të njohur në botë se sa Ismail Kadarenë.

Me veprën e tij ai krijoi Shqipërinë europiane, na dha mundësinë të njohim Shqipërinë e ëndërrave tona, atë që donim të ishte, e cila natyrisht ishte më e bukur nga Shqipëria që qe dhe është më e bukur nga Shqipëria që është.

Kësisoj, duke na dhënë Shqipërinë europiane në një kohë kur vetëm ta mendojë këtë ishte më shumë se blasfemi, Kadareja ynë na solli me veprën e vet po aq edhe Europën brenda nesh; Europën si përmasë lirie e si monument vlerash, ku secili mund të “arratisej” pa patur frikë se mund ta vrisnin apo ta arrestonin në kufi, pa patur nevojë për pasaportë. E vetmja pasaportë që duhej ishte të lexoje veprën e Kadaresë.

Veçantia e të qenit në këtë “udhëkalim” ku Europa vinte ndër ne si përmasë lirie dhe Shqipëria shkonte në Europë si Shqipëri europiane, e bën Kadarenë nga shkrimtarët më unik në botë, emri i të cilit bën të njohur e të famshëm për botën emrin e vendit të tij, ndërkohë që brenda vendit të vet, ai bëhet maratonomaku që mban ndezur shpresën e lirisë duke rendur papushim të na dëshmojë se jemi europianë po aq sa shqiptarë.

Nëse “De Rada riktheu letërsinë shqipe në orientimin evropian, që letërsia shqipe ishte duke e humbur”, siç ka thënë vetë Kadareja, shkrimtari ynë i madh i dha letërsisë shqipe pasaportën europiane, e bëri atë pjesë të natyrshme dhe të dinjitetshme të letërsisë europiane dhe botërore.

E përkthyer në mbi 50 gjuhë të botës, vepra e Ismail Kadaresë vlerësohet sot si një fenomen letrar i letërsisë bashkëkohore botërore.

Shqiptare në çdo germë e fjalë dhe universale për nga vlerat, vepra e Ismail Kadaresë është gjithashtu prej kontributoreve më të mëdha në pasurimin e gjuhës shqipe, në konsolidimin e normës gjuhësore dhe në shpërfaqjen e dinamikave dhe të tendencave të saj për të pranuar me elegancë trendet e zhvillimet që imponon koha.

Shkrimtarët janë ata që e krijojnë normën apo standardin e një gjuhe. Gjuhëtarët e kodifikojnë atë. Ndaj fondi Kadare në tërësinë e pasurisë leksikore, morfologjike dhe sintaksore të gjuhës shqipe, do të mbetet përjetësisht një kontribut i çmuar po aq i vlefshëm sa e gjithë vepra e tij në fondit e artë të letërsisë dhe kulturës tonë kombëtare.

Ismail Kadare është i vetmi shkrimtar shqiptar (dhe me siguri nga të paktët në botë) që duke qenë gjallë, arrin të ketë dhe të jetojë plot 70 vjet krijimtari që prej veprës së tij të parë. Edhe ky një rekord tjetër i Kadaresë, i cili rekordin e tij më të madh ka lartësinë ku e ka vendosur emrin e letërsisë dhe të kulturës shqiptare në botë.

Të paçim jetëgjatë dhe me vepra të tjera Kadareja ynë!

SHKARKO APP