Italia merr kthesë të fortë djathtas, shqetësime të forta në Bruksel nga fitorja e Giorgia Melonit
Triumfoi kampi i djathtë në zgjedhjet parlamentare në Itali, i cili e arriti shumicën për krijimin e qeverisë. Giorgia Meloni, nga partia radikale, Fratelli d’Italia mund të zgjidhet kryeministrja e parë femër e Italisë.
Një aleancë rreth partisë radikale të djathtë, Fratelli d’Italia, FDI ka fituar zgjedhjet në Itali. Aleanca e partisë populiste të djathtë, Lega dhe partisë konservatore, Forza Italia pritet të marrë më shumë se gjysmën e vendeve në parlament, sipas llogaritjeve të fundit. Televizioni italian, RAI ka parashikuar, se aleanca e djathtë mund të marrë mes 227 dhe 257 vende në dhomën e deputetëve dhe 111 deri në 131 mandate në senat. Kryetarja e partisë më të fortë nga këto zgjedhje, 45-vjeçarja Giorgia Meloni mund të drejtojë qeverinë e ardhshme dhe të zgjidhet kryeministrja e parë femër e Italisë. Pas zgjedhjeve ajo ngriti pretendimin për këtë. “Italianët kanë dërguar një mesazh të qartë në drejtim të një qeverie të djathtë nën drejtimin e Fratelli d’Italia”, tha Meloni në Romë. “Ne do të qeverisim për të gjithë.”
Më shumë se 50 milionë italianë votuan të dielën për parlamentin e ri.Gjatë së hënës pritet që të jepet rezultati zyrtar i zgjedhjeve.
Që në sondazhet para zgjedhore aleanca e djathtë dilte kryesuese, kurse të dielën Fratelli d’Italia arriti të marrë më shumë vota, se partia Lega dhe Forza Italia së bashku, me një rezutat 26%. Kurse rivalët politikë të majtë dhe të qendrës nuk u bashkuan në këto zgjedhje. Aleanca zgjedhore e socialdemokratëve nën ish-kryeministrin Enrico Leta me partitë e majta dhe Të Gjelbrit dilnin në prognoza me rreth 25,5% të votave. Socialdemokratët e Letas e pranuan humbjen të dielën dhe bënë të ditur, se do të kalojnë në opozitë. Në zgjedhjet e së dielës (25.09) Lëvizja Pesë Yjet arriti të marrë vetëm 13,5 deri në 17,5% të votave.
Shqetësim në BE
Giorgia Meloni gjatë fushatës bëri gjithçka për të bërë të pranueshme partinë, të cilës nuk i hiqet etiketa “postfashiste”. Partia është organizata pasuese e lëvizjes, MSI, Movimento Sociale Italiano, e krijuar nga ish-funksionarë të diktatorit, Benito Musolini pas fundit të Luftës së Dytë Botërore. Në logon e partisë ndodhet simboi i zjarrit, që të kujton Musolinin dhe është një simbol për ultra të djathtët.
Meloni u paraqit me tone të moderuara në fushatë dhe u përpoq të sigurojë partnerët, se Italia do të mbetet një partnere e besueshme. Ajo hodhi poshtë zërat e frikësuar, se fitorja e FDI do të çojë në një kthesë autoritare të Italisë apo në daljen e Italisë nga Bashkimi Europian apo eurozona.
Megjithatë në Bruksel zgjedhjet në Itali janë ndjekur me shqetësim. Meloni e shpreh qartë mbështetjen për Ukrainën e sulmuar nga Rusia, dhe konsiderohet si properëndimore dhe mbështetëse e NATO-s. Por ajo është e njohur edhe për kritikën e saj ndaj institucioneve në Bruksel. Kurse aleati i saj i Legas, Matteo Salvini shpreh hapur dyshimin për efektin e sanksioneve kundër Rusisë.
Socialdemokratja Katarina Barley, zëvendëspresidentja e Parlamentit Europian e cilësoi shqetësuese fitoren zgjedhore të aleancës së djathtë dhe rrezik për bashkëpunimin konstruktiv në Europë. “Girogia Meloni do të jetë një kryeministre që ka si modele politike Viktor Orbanin dhe Donald Trumpin” , shkroi Barley./DW/
“Zëri i Amerikës” mbi zgjedhjet në Itali:
Rezultatet e pjesshme të zgjedhjeve parlamentare në Itali treguan se votuesit italianë shpërblyen partinë euroskeptike të Giorgia Melonit, me rrënjë neofashiste, duke e çuar vendin drejt asaj që ka të ngjarë të jetë qeveria e parë e udhëhequr nga e djathta e skajshme që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në fjalim të fitores, udhëheqësja italiane e së djathtës së skajshme Giorgia Meloni u shfaq me një ton të moderuar pasi parashikimet e mbështetura në votat e numëruara në rreth dy të tretat e qendrave të votimit treguan se partia e saj Vëllezërit e Italisë kryeson përballë konkurrentëve të tjerë.
“Nëse zgjidhemi për ta qeverisur këtë komb, do ta bëjmë për të gjithë, do ta bëjmë për të gjithë italianët dhe do ta bëjmë me synimin për të bashkuar njerëzit (e këtij vendi)”, tha zonja Meloni në selinë e partisë së saj në Romë.
“Italia na zgjodhi”, tha ajo. “Ne nuk do ta tradhtojmë, siç nuk e kemi bërë kurrë”.
Formimi i një koalicioni qeverisës, me ndihmën e aleatëve të krahut të djathtë të zonjës Meloni dhe atyre të qendrës së djathtë, mund të zgjasë disa javë. Nëse zonja Meloni, 45 vjeçe, ia del mbanë, ajo do të jetë gruaja e parë që do të mbajë postin e kryeministrit të vendit.
Mandati për të provuar formimin e qeverisë jepet nga presidenti i Italisë, pas këshillimeve me udhëheqësit e partive.
Ndërkohë, ish-shefi i Bankës Qendrore Evropiane Mario Draghi, qeveria e të cilit u rrëzua dy muaj më parë, do të qëndrojë në detyrë deri në formimin e qeverisë së re.
Dallimet midis partnerëve të mundshëm të koalicionit të zonjës Meloni, mund të shfaqen gjatë diskutimeve për qeverinë e re.
Ajo ka mbështetur fuqishëm furnizimin e Ukrainës me armë për t’u mbrojtur kundër agresionit të Rusisë. Ndërkaq, shefi i “Liga Nord” të krahut të djathtë Matteo Salvini, i cili para luftës ishte një admirues i vendosur i presidentit rus Vladimir Putin, ka shprehur shqetësimin se sanksionet perëndimore mund të përfundojnë duke dëmtuar më shumë interesat ekonomike të Italisë sesa duke ndëshkuar Rusinë.
Ish-kryeministri Silvio Berlusconi, një tjetër admirues prej kohësh i Vladimir Putinit, ka thënë se përfshirja e tij në një koalicion të bllokut të qendrës së djathtë do të garantonte që Italia të qëndrojë e ankoruar fort në Bashkimin Evropian dhe një nga anëtaret e tij më të besueshme.
Zgjedhjet në ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës po ndiqen nga afër në Evropë, duke pasur parasysh kritikat e zonjës Meloni për “burokratët e Brukselit” dhe lidhjet e saj me udhëheqësit e tjerë të krahut të djathtë. Ajo së fundmi mbrojti kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban, pasi Komisioni Evropian rekomandoi pezullimin e miliarda eurove financimi për Hungarinë për shkak të shqetësimeve për dëmtimin e demokracisë dhe keqmenaxhimit të mundshëm të parave të BE-së.