Izraeli refuzon thirrjen e SHBA-së për pauzë humanitare dhe vazhdon sulmet
Aeroplanët luftarakë izraelitë kanë goditur kampin e refugjatëve Maghaza në Rripin e Gazës në orët e para të së dielës, duke i vrarë të paktën 33 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë, kanë thënë autoritetet shëndetësore palestineze.
Për këtë sulm është raportuar teksa Izraeli është zotuar se do ta zhvillojë ofensivën për ta shkatërruar grupin militant Hamas – që e udhëheq Gazën – pavarësisht thirrjeve të Shteteve të Bashkuara për pauzë, që të ndihmohen civilët e dëshpëruar.
Rritja e numrit të viktimave në Gazë ka nxitur zemërim ndërkombëtar, pasi dhjetëra mijëra njerëz, nga Uashingtoni deri në Berlin kanë dalë nëpër rrugë të shtunën, për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm.
Izraeli e ka hedhur poshtë këtë ide për ndalje të ofensivës, qoftë edhe për pauza të shkurtra humanitare, të propozuara nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë vizitës që është duke e zhvilluar në rajon.
Përkundrazi, Izraeli ka thënë se liderët e ngujuar të Hamasit në Gazë, janë duke i luftuar ushtarët e tij me “forcë të plotë”.
“Secili në qytetin e Gazës është duke e rrezikuar jetën e vet”, ka thënë ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant.
Shtëllunga të mëdha tymi janë parë në qytetin e rrethuar të Gazës, shënjestrën e parë të Izraelit në luftën kundër Hamasit.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë, ka thënë që më shumë se 9.400 palestinezë janë vrarë në këtë enklavë brenda një muaji, dhe numri pritet të rritet me vazhdimin e sulmeve.
Izraeli është duke i vazhduar bombardimet në pjesë të ndryshme në Gazë, duke thënë se po i shënejstron luftëtarët.
Por, kritikët kanë thënë se sulmet e Izraelit janë shpesh jopropocionale, duke e marrë parasysh numrin e madh të grave dhe fëmijëve të vrarë në këto sulme.
Blinken është takuar të shtunën me ministrat e Jashtëm arabë, pas takimeve që ka zhvilluar në Izrael me kryeministrin Benjamin Netanuahu, i cili ka insistuar se nuk mund të ketë armëpushim, derisa të lirohen të gjitha pengjet e marra nga Hamasi.
Ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi ka thënë se shtetet arabe kërkojnë armëpushim të menjëhershëm, duke thënë se “gjithë rajoni është duke rrëshqitur në ujin e urrejtjes, që do t’i definojë gjeneratat në ardhje”.
Blinken, megjithatë, ka thënë se “sipas pikëpamjes sonë, një armëpushim tani vetëm do t’i jepte hapësirë Hamasit që të rigruphet, dhe ta përsërisë atë që ka bërë më 7 tetor”, referencë për ditën kur Hamasi i ka nisur sulmet në jug të Izraelit, dhe e ka nxitur këtë luftë.
Ai ka thënë se pauzat humanitare janë kyçe për mbrojtje të civilëve, për ofrim të ndihmës dhe nxjerrje të shtetasve të huaj jashtë Gazës, “teksa Izraelit i mundësohet që ta arrijë synimin, që ta mposhtë Hamasin”.
Një zyrtar i lartë i Hamasit, Osama Hamdan, u ka thënë gazetarëve në Bejrut se Blinken, “duhet ta ndalë agresionin dhe që të mos dalë me ide që nuk mund të zbatohen”.
Zëdhënësi i krahut ushtarak të Hamasit, ka thënë në një fjalim se luftëtarët e grupit i kanë shkatërruar 24 pajisje izraelite dhe kanë shkaktuar viktima në dy ditët e fundit.
Zyrtarët e Egjiptit kanë thënë se bashkë me Katarin kanë propozuar pauza humanitare për gjashtë deri në 12 orë në ditë, për të lejuar hyrjen e ndihmës në Gazë.
Ata, po ashtu, kanë bërë thirrje që Izraeli t’i lirojë disa gra dhe të moshuar nga burgjet e veta, në këmbim të pengjeve të marra nga Hamasi më 7 tetor./Europa e Lirë/