Deputetët me makina të shtrenjta, ndërsa biznesmenët me jahte luksoze
Pasuritë e deputetëve kapin shifra të larta në blerje makinash. Për vitin 2016 Agron Çela rezulton se ka blerë tre makina. Njëra prej tyre është në emër të bashkëshortes, Belma Çela dhe ka kushtuar 147 mijë euro.
I dyti renditet deputeti i PS, Sadri Abazi, edhe ai biznesmen. Gjatë vitit 2016 ai ka blerë një makinë me vlerë 105 mijë euro dhe ka shitur dy automjete me vlerë 47 mijë euro.
Në opozitë bie në sy makina e deputetit të PKD, Nard Ndoka. Ai ka blerë një makinë me vlerë 85 mijë euro. Në deklaratën e dorëzuar në ILDKP, rezulton se 14 mijë euro i ka marrë kredi, 35 mijë euro hua dhe 33 mijë euro i ka të ardhur nga paga.
Deputeti i PS, Anastas Angjeli, disponon gjithashtu një makinë të shtrenjtë, me vlerë 40 mijë euro.
Në PD, Edi Paloka, gjatë vitit 2016 ka blerë një makinë me vlerë 25 mijë euro.
Deputetët Majlinda Bregu dhe Flamur Noka kanë marrë nga 30 mijë euro secili kredi për të blerë makina. Ndërsa kryeministri Edi Rama nuk rezulton të ketë makinë private. Ai nuk ka as patentë. Nuk di t’i jap makinës.
MAKINAT E DEPUTETËVE
Agron Çela
Blerje automjeti tip…, 147 mijë euro.
Mbyllja e kontratës leasing për autoveturë, kontratë zëvendësimi me një qiramarrës tjetër.
Blerje automjeti… 100 000 lekë.
Blerje automjeti tip… 260 000 lekë.
Sadri Abazi
Blerje automjeti me vlerë 105 mijë euro. Shitje automjeti me vlerë 25 mijë euro. Shitje automjeti 22 mijë euro.
Nard Ndoka
Blerë makinë 85 mijë euro në vitin 2016. Burimi 14 mijë euro kredi, 35 mijë euro marrë hua, 33 mijë euro të ardhur nga paga.
Robert Bitri
Blerje autoveture me vlerë 44 mijë euro.
Edi Paloka
Autoveturë blerë tek… me vlerë 25 mijë euro.
Anatas Angjeli
Kredi për blerje makine, shlyer 8 mijë euro, mbetur 33 mijë euro.
Anduel Xhindi
Kredi për blerje makine me vlerë 2 162 000 lekë.
Shkëlqim Troplini
Blerë makinë me vlerë 10 mijë euro
Blerë makinë me vlerë 970 000 lekë.
Ridvan Bode
Paguar mesing makine, 521 447 lekë, detyrimi i mbetur 8 512 euro.
Flamur Noka
Kredi 30 mijë euro në 2015 për blerje makine.
(Vazhdon lista me pak shuma)
Jahtet, tendenca luksoze e të pasurve shqiptarë, nuk do e besoni sa lekë shpenzojnë
Miliarderët janë shpesh pjesë e titujve “bombastikë” të mediave në botë dhe, në shumë raste, për stilin ekstravagant të jetesës së tyre.
Miliarderët janë shpesh pjesë e titujve “bombastikë” të mediave në botë dhe, në shumë raste, për stilin ekstravagant të jetesës së tyre. Kanë supermakina, megajahte, hotele dhe bëjnë pushime që të krijojnë iluzionin e një bote tjetër, të një bote ireale. Shqipëria, edhe pse një pikë oqeani, duket se nuk i ka shpëtuar tendencës që kanë super të pasurit për të shijuar në maksimum aksesin që të jep ky status.
Së fundmi, një tendencë që po përvijohet është zotërimi i një jahti duke kaluar nga faza e qiramarrjes në atë të të qenët pronar. Burime nga operatorët e tregut që kryejnë edhe negociatat apo asistojnë në transaksione, thanë për “Monitor” se, në harkun e më pak se një viti janë blerë shtatë jahte, por numri i tyre është shumë më i madh. Pyetja që lind vetvetiu është: Ku janë këto jahte, pse nuk i shohim në brigjet shqiptare?
Në fakt, shumica zgjedhin t’i mbajnë larg Shqipërisë, në brigjet e Montekarlos në Monako, të Kanës në Francë, në Holandë, dhe më i afërti me Shqipërinë, në Tivat të Malit të Zi. Ka edhe nga ata që zgjedhin të prekin herë pas here brigjet shqiptare, por ky veprim nuk u krijon problemin e zakonshëm që lind nga burokracia, sepse regjistrimi i tyre është bërë nën flamurin e një shteti tjetër, që rëndom mund të jetë Malta, Holanda, Italia, Qiproja apo Monako.
Volumet kanë ardhur në rritje dhe këtë e konfirmon edhe tendenca që ka pasur importi i mjeteve të tjera lundruese ku motoskafë, varka me motorë dhe gomone kanë shënuar nga viti 2012 në 2016 një shifër prej 4165 njësish të importuara, me një vlerë kumulative prej 4.5 milionë dollarësh, sipas burimeve zyrtare.
Por ndërsa për këtë kategori është e lehtë të kuptosh vlerën e shpenzuar, për jahtet, transaksionet kryhen në kanale jashtë Shqipërisë por që përmes agjencive negociatore mund të krijosh një ide mbi milionat që qarkullojnë. Dorian Mersini, avokat për çështjet detare, shprehet se interesi ka ardhur në rritje, por transaksionet që bëhen nuk kalojnë përmes Shqipërisë. Ai shton se janë të paktën 20 milionë euro blerje jahtesh që janë bërë në vend, nga të cilat, Shqipëria ka humbur 4 milionë vetëm nga mosarkëtimi i TVSH-së së zhdoganimit .
Kush po i ble?
Jo çdokush mund të blejë një jaht, në shumë raste jo për hir të shpenzimit të parë që është vlera e këtij mjeti, por më tepër për koston e mirëmbajtjes dhe të akostimit. Këto janë ato që përbëjnë sfidën e vërtetë dhe sidomos në një shtet si Shqipëria, ku infrastruktura është e dobët dhe jahtet shihen me dyshim si të ishin “gomone” që janë bërë herë pas here pjesë e lajmeve me aksione policorë dhe antikanabis. Nëse e merr një jaht, me logjikë ai duhet të qëndrojë në ujë dhe jo të magazinohet diku, kjo fazë e bën atë thjesht një mjet të rëndomtë.
Por kush po i ble në fakt jahtet sipas biznesmenëve dhe sektorëve ku operojnë? Pothuajse në të gjithë sektorët ka nga një emër përfaqësues, por vitet e fundit, janë kryesisht ndërtuesit, të cilët kanë blerë jahte, industria e lojërave të fatit ka qenë e interesuar gjithashtu, si dhe bankierët. Këta të fundit, ku shumica janë të huaj por jo vetëm, vijnë nga një tjetër kulturë, ku të pasurit e një jahti nuk përbën diçka të jashtëzakonshme, por një mënyrë për t’i shpëtuar rutinës. E në këto kushte kanë edhe jahtet e tyre, për aq kohë sa edhe shtetësia e huaj dhe një mjet i regjistruar nën një flamur joshqiptar ua bën më të thjeshtë situatën.
Nuk është e vështirë të gjesh emrat e atyre që kanë sot një jaht, kjo pasi në faqet e kompanive që kanë kryer transaksionet dhe regjistrimet e tyre nën flamurin e shtetit tjetër, pikërisht blerësit kanë lënë edhe përshtypjet për shërbimin e kryer, gjithsesi më shumë sesa emrat e përveçëm, rëndësi po marrin tre pika: shqiptarët po ndjekin tendencën e blerjes së jahteve, Shqipëria po humb paratë nga transaksionet e kryera që nuk kanalizohen përmes saj dhe duket se asgjë nuk është gati në terren për t’ju përgjigjur kësaj tendence.
Një ngërç duket se e shkaktoi një moratorium i gjatë i aplikuar nga ish-qeveria Berisha dhe një politikë e zbehtë e rregullimit të këtij sektori nga qeveria Rama, e cila erdhi vetëm pak muaj pas heqjes së ndalimit.
Ku po i mbajnë sot jahtet shqiptarët
Sot, shqiptarët po i mbajnë jahtet e tyre edhe në Porto Montenegro që ndodhet në Tivat, në Malin e Zi. Në këtë port ekziston opsioni i qiramarrjes me afat të gjatë nga 10 në 30 vjet për një vend akostimi. Në total, në këtë port janë 450 vende për akostim. Nga viti 2009, kur nisi aktivitetin, janë shitur 200 prej tyre. Kostoja për akostimin e një jahti me afat 12-mujor dhe me një gjatësi prej 15 metrash është 3500 euro, por edhe kjo varion sipas parametrave specifikë të çdo jahti.
Bonus në rastin e Portit të Tivat është fakti që Porto Montenegro, ashtu si një pjesë e mirë e porteve me koncesion apo privatë të jahteve, ofron lehtësi si furnizim me karburant pa taksat mbi çmimin final, çka e bën shumë ekonomik udhëtimin, si dhe pjesën e pijeve dhe verës sërish “tax free”.
Një pjesë tjetër e atyre që kanë jahte zgjedhin t’i mbajnë edhe në Holandë dhe kjo sepse procedura e regjistrimit nën flamurin e tyre është pa burokraci, madje mund të plotësohet edhe online, me një vlerë nga 220 euro në 350 euro, ndërkohë që tarifat e akostimit variojnë sipas portit.
Në Shqipëri, sipas ekspertëve, regjistrimi kthehet në një makth për qytetarët, pasi legjislacioni mbetet ende i pafreskuar me kërkesat e kohës dhe hapat që kanë bërë shtetet europiane. Mbetet ndoshta pjesa që kemi përafruar më pak.
Rritet importi i gomoneve, skafeve dhe varkave me motor
Të dhënat tregojnë se ka një tendencë gjithnjë në rritje për blerjen e një mjeti lundrues. Një jaht në kufijtë 20-25 metra nis minimalisht me vlerën nga 500 mijë euro dhe sipas madhësisë dhe faciliteteve të integruara në të, rritet edhe çmimi, që shkon në miliona euro.
Por jo të gjithë mund të përballojnë shpenzimet marramendëse që ka një mjet lundrues i klasifikuar si jaht. Ndaj një pjesë e mirë e atyre që gëzojnë një status ekonomik të kënaqshëm dhe ndajnë pasionin për peshkimin, eksplorimin dhe adrenalinën që të jep deti mjaftohen edhe me mjete lundruese më ekonomike, siç mund të jenë skafet, gomonet por pse jo, edhe motor uji që rëndom njihen si jet ski.
Por si paraqitet importi për këto mjete nga viti 2012 e deri në fund të vitit 2016. Në vitin 2012, kur ende kishim moratoriumin në fuqi janë importuar të paktën 84 gomone, që fryhen me ajër ose gaz në një vlerë kumulative prej mbi 67 mijë dollarësh. Në vitin 2013, kur u hoq moratoriumi, importi për këto gomone shkoi në 130 njësi dhe vlera në para e tyre, 114 mijë dollarë. Në vitin 2014 u importuan 221 njësi gomone, me një vlerë 137 mijë dollarë. Kulmi për këtë kategori do të ishte viti 2015, 616 njësi dhe vlerë 248 mijë dollarë. Në vitin 2016, edhe pse numri është i ulët, vetëm 121, vlera e tyre kap rekordin 318 mijë dollarë, çka tregon për import të gomoneve më të shtrenjta, pasi çmimi mesatar për njësi ka arritur 2628 dollarë.
Nga viti 2012 deri në fund të vitit 2016, në total janë importuar 365 motoskafë dhe vlera e tyre arrin në 1.66 milionë dollarë. Mesatarisht, çmimi për njësi është 4669 dollarë. Viti kur janë importuar më shumë motoskafë është 2015, me105 të tillë, kurse në vitin 2016, rezultojnë vetëm 75 njësi.
Në listë janë edhe mjetet e tjera lundruese si varka me motor apo jet ski, që arrijnë në shifrën 2023, nga një luhatje prej 90 minimalisht në vitin 2012 dhe 282 në vitin 2013. Vlera e importeve për këtë kategori është 1.9 milionë dollarë, me çmimin mesatar për njësi prej 718 dollarësh, por që çmimi i varkave ulet dukshëm nga mesatarizimi me çmimin e jet ski (shiko grafikët në fund të shkrimit).
Në total, ajo që vihet re është tendenca e shqiptarëve për t’u pajisur me mjete lundruese, ku një pjesë e mirë kanë shkuar edhe në funksion të turizmit, siç janë kryesisht jet ski, por edhe për përdorim individual.
Intervistë me Dorian Mersini, avokat për çështjet detare
“Ja kush po blen jahte”
Shqipëria duhet të lehtësojë procedurat, të përmirësojë infrastrukturën dhe t’u përgjigjet kërkesave të kohës lidhur me zhvillimin e nautikës shqiptare. Sot ka një rritje të interesit nga milionerët shqiptarë “për t’u arratisur” nga rutina me një jaht privat, por burokracitë që hasin e kthejnë aventurën e relaksit në një stres më vete.
Në një intervistë për “Monitor”, Dorian Mersini, avokat për çështjet detare, shprehet se interesi ka ardhur në rritje, por transaksionet që bëhen nuk kalojnë përmes Shqipërisë. Të paktën nga 20 milionë euro blerje jahtesh që janë bërë, Shqipëria ka humbur 4 milionë vetëm nga mosarkëtimi i TVSH-së së zhdoganimit. Më problematike sesa kjo janë burokracitë në vend, në rast se kërkon të kryesh një blerje të tillë luksoze. Gjithsesi, sipas Mersinit nuk i ka kufizuar shqiptarët që të blejnë superjahte dhe t’i regjistrojnë nën flamuj të tjerë.
“Kjo praktikë regjistrimi nëpërmjet dhënies së flamurit, u lejon këtyre shteteve të kanalizojnë në sistemet e tyre fiskale transaksionet mbi shitje-blerjen e barkave, shërbimeve që lidhen me to, si dhe t’u ofrojnë mundësinë e akostimit të tyre në marinat dhe portet e vendit të flamurit. Ndërsa për fatin tonë të keq, Shqipëria qëndron në heshtje si një spektatore, e cila ende nuk e konsideron sektorin si një burim të rëndësishëm të ardhurash, dhe nuk parashikon asnjë strategji shtetërore”, – shprehet Mersini.
Si shfaqet sot tendenca e jahteve në vend?
Përpara se t’ju sqaroj për pyetjen tuaj, ju përgëzoj dhe më vjen mirë që revista juaj gjithnjë ka shkruar rreth kësaj teme, për të ndihmuar lexuesin të kuptojë sa më shumë rreth jahteve, që fatkeqësisht për shqiptarët, ndër vite e për shumë arsye janë konsideruar si një “mollë e ndaluar”. Gjithsesi, le të fokusohemi tek e ardhmja e këtij sektori në Shqipëri dhe të harrojmë të kaluarën, pasi vetëm kështu mund të përcjellim një frymë pozitive dhe relaksi, tepër e rëndësishme për shqiptarët këtë sezon vere.
Le t’i rikthehemi pyetjes. Tendenca për të zotëruar një jaht sot është përhapur ndjeshëm te një pjesë e mirë e biznesmenëve shqiptarë, të cilët sot, pas dekadave pune në biznes, kanë mundësinë financiare të eksperimentojnë në investime të tilla. Ata më shumë se kurrë sot kanë nevojë të ndiejnë lirinë, qetësinë, privatësinë dhe luksin që ofron deti në bordin e një jahti.
Për më tepër nuk duhet harruar se bregdeti shqiptar ka një magji të veçantë, në mungesë të infrastrukturës rrugore përgjatë vijës bregdetare, pjesa më e madhe e tij paraqitet krejtësisht e virgjër dhe mund të aksesohet vetëm me rrugë detare. Pikërisht ky fakt e bën udhëtimin detar me jaht, të duket si një lloj aventure për eksplorimin e vendeve të reja. Kjo tendencë është tepër e vlerësuar nga turistët e huaj të jahteve, të cilët këtë përvojë mund ta realizojnë vetëm në Shqipëri, pasi në vendet e tjera, popullsia është zhvilluar përgjatë vijës bregdetare.
Nga të dhënat që dispononi a është rritur kërkesa për blerje jahtesh dhe kush po i ble?
Po, sot mund të themi me siguri se kërkesa për të blerë jahte apo për t’i marrë ato me qira, është në rritje, kjo referuar pikërisht asaj çka përmenda më lart, rritjes ekonomike të vendit tonë dhe të bizneseve shqiptare. Gjithsesi, duhet pasur parasysh se mungesa e kulturës dhe përvojave të shqiptarëve me barka, e bën kërkesën të jetë disi e brishtë. Jo mirë e menduar. Në shumicën e rasteve, emocionale. Më shumë tendencë momenti ose mode, se sa stil jetese. E rëndësishme është që shqiptarët që kanë mundësinë financiare, së fundmi kanë filluar të hedhin hapat e parë në zotërimin e barkave dhe marrjen me qira të tyre. Me kalimin e kohës, patjetër që kjo tendencë do të kthehet në një stil jetese për ta dhe fëmijët e tyre. Çdo kulturë e re kërkon kohën e vet për t’u zhvilluar me qëndrueshmëri.
Gjatë 10 viteve të fundit mund të shprehemi se transaksionet e shitblerjes së jahteve në Shqipëri kanë njohur një rritje të ndjeshme, pasi kanë kaluar shifrën e 20 milionë eurove. Kjo shifër, edhe pse e lartë në dukje, është e papërfillshme, nëse i referohemi vlerës së lartë të tyre për njësi. Gjithashtu, nëse do të krahasonim ecurinë e kësaj tendence në vendet fqinje si: Greqi, Itali, Mal i Zi apo Kroaci do të vërenim që Shqipëria është shumë mbrapa në këtë drejtim. Arsyet pse vendi ynë nuk po arrin ta përvetësojë maksimalisht këtë tendencë, referuar vendeve fqinje konkurrente, është se në Shqipëri, ky sektor është zhvilluar në mënyrë rudimentale, sipas iniciativave sporadike nga vetë biznesmenët shqiptarë. Ende sot nuk kemi një strategji të qartë investimesh konkrete dhe afatgjatë. Nuk ekzistojnë marina apo porte të përshtatshme për pritjen dhe shërbimin e jahteve, sipas kërkesave të kohës.
I vetmi port në vend që mund të quhet marinë jahtesh, është ai i Orikumit. Një vend si Shqipëria, me 450 kilometra vijë bregdetare duhet të zotëronte minimalisht 10 porte të tillë, me rreth 4000 vende akostimi, vetëm për nevojat vendase. Ndërsa për të qenë konkurrues në rajon duhet të zotëronte të paktën 30 porte, me një kapacitet kompleksiv prej gati 18.000 vende akostimi. Nuk duhet harruar se sot, në Shqipëri, rezultojnë të regjistruar rreth 5000 barka të dimensioneve nga 5 metra deri në 20 metra.
Klientela e jahteve luksoze, përpara se të vendosë për regjistrimin dhe flamurin e mjetit lundrues, nëpërmjet agjencive të specializuara që merren me menaxhimin e mjetit, studion paraprakisht alternativat dhe avantazhet fiskale të ofruara nga vende të ndryshme të botës që kanë interesa në ekonominë detare. Këto vende, si Malta, Holanda, Belgjika, Britania e Madhe, Kroacia, Mali i Zi, etj., prej vitesh janë futur në një garë globale për të përthithur sa më shumë jahte pranë regjistrave të tyre detare. Kjo praktikë regjistrimi nëpërmjet dhënies së flamurit, u lejon këtyre shteteve të kanalizojnë në sistemet fiskale transaksionet mbi shitje-blerjen e barkave, shërbimeve që lidhen me to, si dhe t’u ofrojnë mundësinë e akostimit në marinat dhe portet e vendit të flamurit.
Ndërsa për fatin tonë të keq, Shqipëria qëndron në heshtje si një spektatore, e cila ende nuk e konsideron sektorin si një burim të rëndësishëm të ardhurash dhe nuk parashikon asnjë strategji shtetërore apo partneritet publik – privat, për zhvillimin e kësaj pjese të rëndësishme të ekonomisë shqiptare.
Mjafton të shikojmë zhvillimin e porteve të jahteve në fqinjin tonë Malin e Zi, veçanërisht Porto Montenegro në Tivat. Ky është një investim që ka kapur vlerën e 100 milionë eurove, i realizuar në më pak se 10 vjet, me mbështetjen e qeverise malazeze nëpërmjet projekteve koncesionare dhënë investitorëve të huaj. Ky port, që më parë ka qenë në shërbim të ushtrisë, pasi u dha me koncesion, ka zhvilluar një zonë krejtësisht të harruar më parë, tepër të varfër. Pas 10 viteve, banorët e Tivatit nuk kanë më probleme punësimi, kanë shndërruar banesat e tyre në hotele dhe sot kjo zonë frekuentohet nga një nivel elitar turimi, që gjeneron të ardhura të shumta jo vetëm për komunitetin e zonës, por edhe për shtetin e Malit të Zi.
Duke parë këto përvoja, fare mirë mund të kuptojmë lehtësisht se ku janë gabimet tona dhe të ndërmarrim rrugën e duhur për zhvillimin e sektorit.
Ende sot, klientela e jahteve në Shqipëri përballet me një sërë problemesh burokratike që janë trashëguar ndër vite. Asnjë qeveri nuk ka marrë dhe nuk po merr iniciativën për t’i reduktuar, ose qoftë t’i eliminojë, pasi paraqiten jo konform praktikave ndërkombëtare të detit, referuar jahteve.
Nëse një barkë kërkon të lundrojë në ujërat shqiptare, bazuar në kërkesat ligjore, duhet të bëjë raportime duke paraqitur dokumentacionin e kërkuar në mënyrë të vazhdueshme pranë Policisë Kufitare, Kapitanerisë, Administratës së Portit etj. Kjo praktikë është e kërkuar për anijet e mallrave dhe nuk mund të jetë gjithashtu kërkesë detyruese për barkat që lundrojnë brenda ujërave territoriale. Njoftimi i institucioneve në të gjithë vendet e botës, kur nuk kemi kalim të kufirit shtetëror, bëhet nëpërmjet komunikimit radio, nga kapiteni i jahtit.
Ndërsa në Shqipëri duhet të lajmërohen institucionet 24 orë përpara nisjes, duhen dërguar një sërë dokumentesh (letrat e skafit, dokumentet e identifikimit të personave në bord, dëshmitë, lejet, etj.) dhe më pas të merret konfirmim nga të gjitha institucionet për nisjen e skafit. Duhet kuptuar se një mjet lundrues është gjithnjë i identifikuar nëpërmjet numrit të matrikulës dhe komunikimit radio që kapiteni kryen me kapitaneritë e porteve në vazhdimësi. Kjo praktikë është trashëguar nga koha kur skafet shikoheshin si mjete të angazhuara në aktivitete të jashtëligjshme. E kundërta, sot. Skafet janë në pronësi të personaliteteve të biznesit, artit, sportit. Të ushtrosh kontrolle është një praktikë e mirë, pasi ndihmon sigurinë e lundrimit. Por të kërkosh paraqitjen e dokumenteve institucionale, sa herë që skafi do të niset në lundrim, e bën këtë përvojë të shndërrohet nga kënaqësi në një makth. Si rrjedhojë i detyron pronarët shqiptarë të heqin dorë nga zotërimi i barkës, ose nga regjistrimi i saj me flamur shqiptar, si dhe të mos i marrin më këto barka me qira në Shqipëri, por të zgjedhin vendet fqinje, ku këto praktika janë tërësisht të liberalizuara.
Duke qenë se Shqipëria zotëron rreth 460 kilometra vijë bregdetare, e ka të gjithë potencialin gjeografik dhe ekonomik për ta zhvilluar sektorin e nautikës, jo sipas shpikjeve të zyrtarëve shqiptarë, por sipas përvojave më të mira të realizuara në vendet fqinje, ku ky sektor ka marrë një zhvillim të qëndrueshëm, me standarde bashkëkohore, në kushte konkurrence tregu.
Po në lidhje me qiradhënien, si është ky raport? Si paraqiten çmimet e qiramarrjes dhe blerjes? Kush merr jahte me qira sot?
Qiradhënia e jahteve, duke pasur parasysh problematikat e adresuara më lart, sot paraqitet si një alternativë e pronësisë së barkës. Klientela, për të mos u përballur me vështirësitë që ka sot nautika në Shqipëri, preferon t’i marrë barkat me qira dhe të shijojë vetëm pjesën e kënaqësisë që këto mjete luksoze dhurojnë. Personat që zgjedhin qiranë, më shumë se sa pronësinë e barkës, janë individët që rishtas kanë filluar t’i kalojnë pushimet me jahte dhe ende nuk ndihen të gatshëm të përqafojnë të dyja aspektet e të pasurit të një barke. Pjesa e vështirë: mirëmbajtja dhe administrimi i barkës, kostot dhe pjesa e bukur: përdorimi për kënaqësi. Në kategorinë e personave që marrin barka me qira bëjnë pjesë edhe individët që e kanë kohën e kushtëzuar, si rrjedhojë e impenjimeve që kanë në jetën e tyre të përditshme. Këta persona e shikojnë alternativen e qirasë si një mundësi më pak të kushtueshme dhe më pak impenjative, krahasuar me zotërimin e pronësisë së një jahti.
Çmimet e qiramarrjes janë të përcaktuara nga vetë tregu i këtij sektori, për llojin e barkës, zonën e lundrimit, kapacitetin, kohëzgjatjen e qirasë etj. Ka një dallim të ndjeshëm ndërmjet barkave me vela dhe jahteve motorike. Të parat janë më të përshtatshme për shtresën e mesme dhe të lartë të shoqërisë, referuar mundësive ekonomike. Ndërsa jahtet motorike janë ekskluzivitet i të pasurve (ato fillojnë nga 1000 euro dita dhe kufi është imagjinata dhe portofoli i klientit).
Ajo çfarë influencon negativisht tregun shqiptar në ngritjen e çmimit të qirasë, është mungesa e infrastrukturës portuale të përshtatshme për shërbimin e jahteve. Ende kompanitë ndërkombëtare të sigurimeve nuk ofrojnë shërbim siguracioni për lundrim në ujërat shqiptare. Hartat detare ende rezultojnë të papërditësuara (publikime të vjetra) dhe shumë zona lundrimi aktualisht paraqiten si zona detare të minuara.
Gjithashtu mungon informacioni në portale apo faqet e internetit për këtë lloj turizmi në Shqipëri. Nuk ekzistojnë guida të specializuara dhe të certifikuara për të trajtuar dhe për t’i shërbyer turizmit të jahteve në rang vend. Në Shqipëri nuk kemi ende një distributor karburanti për jahtet që kalojnë tranzit dhe që kërkojnë të furnizohen me naftë të përjashtuar nga taksat. Mungojnë shërbimet e specializuara ndaj jahteve (mirëmbajtje, asistencë teknike në det, pastrim, etj.).
Vendi ynë nuk është pjesë e tregut ndërkombëtar për lëvizjen e jahteve çka sjell shumë pasiguri tek pronarët e tyre. Më të guximshmit, ata me shpirt eksploratori, zgjedhin të lundrojnë në ujërat shqiptare dhe padyshim kalojnë një përvojë mbresëlënëse, me të cilën më pas krenohen duke e treguar tek miqtë e tyre. Por kjo nuk është dhe nuk mund të jetë rruga e duhur për promovimin e këtij sektori.
Këto informacione në tregun ndërkombëtar të qiramarrjes (Yacht Charter) kanë ndikim tepër negativ, që nuk e ndihmon përqasjen e interesit të investitorëve të huaj drejt nautikës shqiptare. Nga ana tjetër vlen të theksohet se ky lloj turizmi do të shpërthejë vetë nga kërkesat e tregut të brendshëm, i cili tashmë ka filluar të fokusohet në këtë drejtim të ri. Shumë biznese shqiptare kanë ndërmarrë iniciativë për ndërtim të marinave të jahteve, përfshirë portet me rezidenca shumëfunksionale në shërbim të nautikës. Kanë filluar njëkohësisht 4 projekte të tilla, kryesisht përgjatë bregdetit Adriatik. Nesër këto nisma do të mbeten thjesht në letër apo të zbatohen së shpejti, koha do ta tregojë. Personalisht jam i mendimit që, nisur nga përvojat e gabuara të viteve të shkuara, nga koha e humbur e fitimi i munguar i këtij sektori të ekonomisë, do të jetë në interesin e qeverisë shqiptare të mundësojë dhe të mbështesë realizimin e këtyre investimeve, çka do t’i jepnin jetë nautikës shqiptare.
Jahte me qira
Çmimet e qiramarrjes janë të përcaktuara nga vetë tregu i këtij sektori, për llojin e barkës, zonën e lundrimit, kapacitetin, kohëzgjatjen e qirasë etj. Ka një dallim të ndjeshëm ndërmjet barkave me vela dhe jahteve motorike. Të parat janë më të përshtatshme për shtresën e mesme dhe të lartë të shoqërisë, referuar mundësive ekonomike. Ndërsa jahtet motorike janë ekskluzivitet i të pasurve (ato fillojnë nga 1000 euro dita dhe kufi është imagjinata dhe portofoli i klientit).
Çfarë ndikimi ka mospasja e infrastrukturës së nevojshme portuale ku mund të ankorohen? Një pjesë e mirë e atyre që i kanë në pronësi i mbajnë jashtë Shqipërie…
Siç u shpreha dhe më lart, personat të cilët kanë vendosur të blejnë një jaht, u adresohen agjencive të specializuar, për të vendosur mbi: shtetin e regjistrimit të barkës, portin e akostimit, shtetësinë dhe certifikimin e ekuipazhit që do të mbajnë në bord, vendin për kryerjen e kantierit detar. Nëse në vendet fqinje, për të gjitha këto shërbime ofrohen dhe ekzistojnë lehtësi burokratike dhe fiskale, atëherë zgjedhja e alternativës më të mirë është në dorë të klientelës.
Vetëm nëse vendi ynë do të bëjë hapa përpara në këtë drejtim, duke krijuar mundësinë e investimeve të huaja për ndërtimin e marinave me kushte bashkëkohore, lidhjen e infrastrukturës së marinave me rrjetin rrugor dhe atë ajror, ofrimin e shërbimeve të specializuara të jahteve, reduktimin ose heqjen e burokracive administrative që nuk përkojnë me praktikat ndërkombëtare, ndryshimin e sistemit fiskal për shërbimet dhe zotërimin e jahteve, si dhe promovimin e këtij sektori në Panairet e Turizmit, atëherë mund t’i kërkojmë kësaj klientele të vlerësojë krahas alternativave të shumta, edhe variantin tonë për zotërimin e një Jahti me Flamur Shqiptar.
Cilat janë zonat më të bukura për t’u përshkuar me jaht?
Zonat më të bukura të vendit tonë për të udhëtuar me jaht janë gjiret dhe shpellat që gjenden në detin Jon (Gjiri i Karaburunit, Sazani, Gjiri i Gramës, Arushës, Shpella e Haxhi Aliut, Gjipe, Kështjella e Ali Pashë Tepelenës, bregdeti i Dhërmiut, Himarës, Sarandës). Këto gjire, përveç bukurive mahnitëse natyrore, janë të mbushur dhe me histori dhe site arkeologjike. Në këtë drejtim, shteti duhet të bëjë sa më parë ruajtjen dhe kontrollin e tyre, mbrojtjen mjedisore, katalogimin e pasurive arkeologjike mbi dhe nënujore, si dhe të nxirren ligjet përkatëse me sanksione të rrepta, nëse këto pasuri cenohen nga turistë, qofshin këta shtetas shqiptarë apo të huaj.
Gjithashtu zona të bukura ka dhe deti Adriatik, ku mund të përmendet Kepi i Rodonit me kalanë e Skënderbeut, Rana e Hedhun në Shëngjin. /Monitor/