Oerd Bylykbashi: Rama ka frikë ODIHR, ndaj nuk e fton për Kodin Zgjedhor
Nga Oerd Bylykbashi
Në vitin 2001, PS-ja kishte hartuar sistemin zgjedhor e vetme, me votat e saj. Një sistem i komplikuar që mund të manipulohej. Pikërisht sistemi që prodhoi “Dushkun” famëkeq, që i dha padrejtësisht PS-së 9 deputetë. Por nuk qe vetëm “Dushku”. PS-ja shpiku edhe trukun e kandidatëve të pavarur fallso.
Për të manipuluar sistemin dhe rritur rezultatin me të njëjtat vota të marra, PS-ja regjistroi shumë ministra dhe drejtues të saj si kandidatë të pavarur. Nëse ata fitonin, nuk quheshin si deputetë të PS-së dhe sistemi zgjedhor nuk ia zbriste PS-së nga llogaritja e përgjithshme. Nëse nga vota e përgjithshme proporcionale PS-së do t’i takonin 61 deputetë, por në mazhoritar kishte fituar 61 të tille, PS-ja nuk do përfitonte mandate kompensuese nga proporcionali (61 me proporcional minus 61 në mazhoritar = 0 mandate kompensuese). Por nëse 10 prej deputetëve socialistë ishin zgjedhur si të “pavarur”, këta nuk do t’i llogariteshin PS-së, e cila do të quhej se kishte fituar vetëm 51 deputetë nga mazhoritari dhe do t’i takonte të merrte edhe 10 të tjerë, si kompensim nga proporcionali. Me këtë truk, në vend që PS-ja të merrte vetëm 61 deputetë sa i takonte, do të merrte 71 të tillë (51 zyrtarisht dhe 10 të “pavarur” nga mazhoritari, plus 10 nga proporcionali) dhe kështu do të formonte qeverinë.
Opozita kishte bojkotuar referendumin e manipuluar të Kushtetutës në 1998-n dhe raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të masakruara të vitit 2000, si dhe protestonte në bulevard thuajse çdo ditë ndaj shkeljes së të drejtave.
Një ndërkombëtar shumë i rëndësishëm asokohe në Tiranë, madje, shprehej se “nëse gjetja e PS-së nuk ndalohet nga ligji, atëherë është e lejuar”. Me këtë “leje” në xhep, PS-ja filloi fushatën. Kandidatët e saj të “pavarur” fallso që deri para fushatës ishin ministra, bënin fushatë me postera me logon e PS-së.
Por një profesor i shquar dhe ekspert ndërkombëtar u skandalizua kur e dëgjoi këtë dhe e denoncoi publikisht në deklaratë për shtyp në “Rogner”. ODIHR-i u shqetësua shumë për mundesitë manipulative të këtij truku dhe në Tiranë erdhi vetë Drejtori i ODIHR-it. Në oborrin e OSBE-së të mbushur me ndërkombëtarë dhe media, me një anglishte me theks francez, ai deklaroi:
“Kandidatët e pavarur janë si gratë shtatëzëna. Gratë ose janë shtatëzëna, ose nuk janë. Edhe kandidatët e pavarur, ose janë vërtet të pavarur, ose nuk janë.” Të pranishmit qeshën me batutën lapidare që vrau fallsitetin e “të pavarurve” të PS-së. Ndërkaq, ata që ishin aty e që kishin mbështetur këtë gjetje të PS-së, ulën kokën dhe heshtën. Më pas, KQZ-ja u detyrua t’i varte tek PS-ja ministrat socialistë që garonin si të pavarur.
Kjo është një histori e vërtetë e qershorit të 2001-it. Ja si është kthyer PS-ja 20 vite pas dhe kërkon të manipulojë rezultatin, madje, jo duke manipuluar sistemin zgjedhor, por duke e ndryshuar atë kur gara ka filluar. Për këtë arsye ka frikë nga ODIHR-i dhe bllokon Këshillin Politik që të kërkojë asistencën e tij, sepse e di përgjigjen.