Ja situata e përmbytjeve; Tirana tmerr, Fushëkruja mbi çati, Golemi nën uji

Shirat e rrëmbyeshëm dhe pa ndalesë po rrezikojnë jetë njerëzish dhe pronat. Deri tani situata më alarmante është në Tiranë, ku janë të përmbytura autostrada Tiranë-Durrës, krejt bizneset e mëdha afër vendkalimit të qafës së Kasharit, te kthesa për Rinas. Rruga për aeroport është bllokuar nga ngritja e nivelit të ujit mbi rrugë. Për në aeroport po përdoret rruga Kamëz-Fushëkrujë-Rinas. Po kështu njoftohet në orën 23.20 se edhe rruga e Ndroqit është mbuluar me uji deri në 40 cm. Pra asnjë dalje nga Tirana në drejtim të Jugut, pasi Tiranë-Durrës nuk funksionon, kurse Tiranë-Ndroq-Plepa e bllokuar në periferi të kryeqytetit.

Lajmet nga Fushë-Kruja janë të frikshme, pasi Lumi Zezë ka dalë nga shtrati dhe banesa e biznese janë në pushtetin e ujit. Në Shkodër po rrijnë me frikën e hapjes se hidrocentraleve në mënyrë masive, kurse Lezha dhe Bregu i Matit jetojnë në ankthin e hapjes se portave të hidrocentralit të Shkopetit dhe Ulzës.

Në Durrës uji ka zaptuar qytetin, zona e Golemit ka mbi 1 metra uji, kurse në Vlorë dhe Fier po jetojnë me shpresën se Shkumbini dhe Vjosa nuk do dalin natën nga shtrati pasi pasojat do jenë katastrofale.

Në një mesazh në Facebook, kreu i shtetit shprehet se po ndjek me vëmendje të veçantë situatën e krijuar nga moti i keq.

“Jam duke ndjekur me vëmendje të veçantë situatën e krijuar si pasojë e motit të keq dhe masat që po merren për tejkalimin e saj në disa zona të përmbytura. Solidarizohem me banorët e këtyre zonave dhe punonjësit e Emergjencave Civile duke apeluar angazhim maksimal për sigurinë e jetës dhe të pronës”,– shprehet kreu i shtetit.

Ja situata sipas Emergjencave Civile

Emergjencat Civile japin informacion për situatën e deritanishme nga përmbytjet në vend. Sipas njoftimit janë disa rrugë të bllokuara në mbarë vendin për shkak të vërshimit të ujërave. Kjo është situata e deritanishme.

Si pasoje e intensitetit te larte rreshjeve te shiut, aksi rrugor Kardhiq -Gjirokaster kalohet me veshtiresi pasi ka dale uji ne rruge tek pika e Viroit.

Aksi Fushe Kruje-Laç kalohet me veshtiresi pasi perballe lokal Arberia ne Fushe-Kruje ka dale lumi ne rruge.

Rruga e Ndroqit per ne Durres tani eshte drejt bllokimit per shkak te ujit qe po bllokon rrugen ne disa pika.

Te dyja krahet e autostrades Tirane- Durres jane te pa kalueshme.

Nga Durresi per te ardhur ne Tirane drejtuesit e mjeteve te qarkullojne ne aksin Durres-Vore-Rinas-Laknas-Kames.

Akset e tjera per momentin jane te kalueshme pa probleme.

Policia e Shtetit ka kaluar ne gadishmeri te perforcuar.

Te gjitha Repartet e FNSH, Tirane, Shkoder e Fier jane angazhuar ne mbeshtetje te Policive lokake per t’ju ardhur ne ndihme njerezve ne nevoje.

Policia Rrugore eshte 100% ne rruge ne te gjitha akset rrugore.

Policia e Rendit ka shtuar patrullat te cilat jane ne gadishmeri per te nderhyre ne rast nevoje.

Policia e Shtetit po bashkepunon ngushtesisht me Emergjencat Civile, Ushtrine, Zjarrfikesit dhe ARRSH per te menaxhuar situaten.

1.5 metra uji në autostradë

Në autostradën Tiranë-Durrës situata është larg përmirësimit. Reshjet e pandërprera kanë bllokuar autostradën. Uji me nivel mbi 1.5 metra kalon mbi trafikndarëset. Qendra tregtare City Park është rrethuar nga uji. Parkungu i saj dhe është zhytur tërësisht në ujë. Situata nuk paraqitet mirë as nga ana tjetër e autostradës. Përballë karburant Kastratit trafiku është bllokuar dhe qytetarët e bllokuar në makina kërkojnë ndihmë, por shërbimet e emergjencave nuk kanë arritur t’i përgjigjen.

 Meteoalb parashikon përkeqësim natën

Në një lidhje telefonike për News24 sinoptikania e Meteoalb Tanja Porja tha se “Deri në 4 të mëngjesit të së premtes qendra e vendit do jetë problematike. Nga ora 1 e natës deri në mesdite do kemi reshje me intensitet mesatar dhe të lartë në zonën Jugore”, tha Tanja Porja.

Në foto: Sheshi para City Park sonte nga përmbytjet

Bllokohet autostrada Tiranë-Durrës dhe Rinasi

Reshjet filluan të japin pasojat e para. Autostrada Tiranë-Durrës është përmbytur te pjesa e rrugës afër kthesës së Kasharit, pikërisht te Benz-Mercedes i firmës Kastrati. Policia nuk po lejon makinat të futen në autostradë, pasi vërshimi i ujërave po përkeqson situatën. Makinat kthehen te kthesa e Kamzës, ndërsa itinerari për në Rinas devijohet po nga Kamza. Gjithashtu është përmbytur nënstacioni i Kasharit duke lënë pa energji Kamzën, Laprakën dhe Kombinatin. Në Tiranë probleme janë regjistruar edhe në Laknas. Situata sa vjen duke u bërë më e rrezikshme jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe të tjera.

Ndërsa përveç qarkut të Tiranës ka përmbytje në Vlorë, në Fier, në Gjirokastër, në Lezhë dhe në Shkodër.

Në foto: Përmbytjet në autostradën Tiranë-Durrës afër kthesës së Kasharit

Njoftimi i Policisë:

Ne autostradën Tiranë -Durrës, përballë karburant Kastratit është bllokuar qarkullimi i mjeteve, pasi niveli i ujit në karrexhatë ka arritur  mbi 0,75 metra

Policia Rrugore ka marrë masa duke  devijuar qarkullimin e mjeteve në rrugën dytësore përballë me karburantin.
 
Policia Rrugore ka dërguar përforcime me patrulla shtesë. Policia Rrugore kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe rritjen e kujdesit në rrugë gjatë drejtimit të automjetit.
 
Të telefonojnë në numrin 112  dhe shërbimet e Policisë rrugore dhe ato të rendit do tju vijnë në ndihmë menjëherë.

Reshjet e dendura të shiut kanë përmbytur nënstacionin e Kasharit duke sjellë ndërprerjen e energjisë elektrike. Nga stakimi janë pa energji elektrike Kamza, Lapraka dhe Kombinati.

Ndërkohë që autostrada vijon që të jetë e bllokuar prej orës 18:00 të pasdites së sotme. Për të zhbllokuar situatën ka ndërhyrë edhe ushtria.

Rruga e bllokuar është afërsisht 10 Km, ndërsa niveli i ujit vijon që të rritet nga reshjet që vazhdojnë që të bien.

Ndërkohë uji është futur në ambientet e City Park. ‘Te city park kemi ngelur këtu s’përgjigjet as zjarrfikësja as policia uji esh futur deri ne ambientet e city parkut ju lutem beni diçka flm’, ka denoncuar një qytetar, pasi askush nuk po i ndihmon.

Disa dhjetra qytetarë që kanë mbetur të bllokuar në qendrën tregëtare City Park, si pasojë e përmbytjes, do të shpëtohen me mjete lundrimi.

Nga të dhënat mësohet se janë rreth 300 qytetarë, mes të cilëve gra dhe fëmijë, që kanë mbetur të bllokuar në katin e dytë të ndërtesës, ndërsa Forcat e Armatosura janë angazhuar në një operacion evakuimi.

Sikundër raportohet pritet që për të larguar qytetarët nga ambientet e qendrës tregëtare do të përdoren gomonet.

OSHEE njofton:

Si rezultat reshjeve të dendura që kanë përfshirë vendin gjatë pasdites së sotme, në N/Stacionin Kashar janë konstatuar prurje të mëdha uji, duke sjellë përmbytjen qe ka sjellë dhe rrezik përmbytje të N/Stacionit.

Për këtë shkak si mase sigurie kompania e OSHEE mori masën e stakimit të detyrueshëm në regjim avarie të të gjithë n/stacionit.

Zonat e mbetura pa energji aktualisht si rezultat i këtij stakimi janë:

Autostrada Tirane-Vorë, Vorë-Fushë Krujë, Bashkia Vorë, Pompat e Ujësjellësit në Laknas, Ujësjellësi Bërxullë, pallatet në fushën Misto Mame, Yzberisht, Pallatet Giron, Unaza Re, Bashkia Kamëz, zona e Bregut të lumit dhe Valiasi i Ri.

Anullohen fluturimet ajrore për Rinas

Pritet që lumi Vjosa të dalë nga shtrati të premten në darkë

Klodian Zaimi, parashikues i përmbytjeve në Institutin e Gjeoshkencave,  paralajmëron se nesër në mesditë Vjosa të dalë nga shtrati duke sjellë përmbytje.

“Deri tani kemi pasur reshje shumë intensive që kanë ardhur nga veriu i vendit në pjesë malore dhe kanë zbritur drejt qendrës dhe po shkojnë drejt pjesës jugore.

Në pjesën qendrore do të ketë intensitet gjatë natës, por do të qëndrojnë më gjatë në jug. Nesër intensitet të lartë të reshjeve në jug, do të shoqërohen me përmbytje të mundshme, kanë potencial për pasoja”, thotë specialisti.

Sipas tij, reshje ka pasur edhe në pjesën veriore, por ne mendojmë që rreziku më i lartë është te baseni i Vjosës, Semanit dhe Shkumbinit, ndërsa për Drinin dhe Bunën situata nuk paraqitet problematike.

“Ne parashikojmë që me këto reshje, deri të premten në darkë dhe të shtunën në mesditë mund të kemi dalje të Vjosës nga shtrati me pasoja.

Në momentin e tanishëm nuk mund të parashikojmë dëmet, pasi uji është në nivele mesatare, por sikur e thashë, prurjet maksimale duke ardhur nga Greqia kërkon kohë, që deri të shtunën në mesditë mund të shkaktojnë përmbytjet” deklaroi ai.

Në foto: Lumi Vjosa duke rritur nivelin e tij

Ministria e Arsimit pezullon mësimin në gjithë Shqipërinë

Ministria e Arsimit merr vendimin të pezullojë mësimin në të gjithë Shqipërinë për ditën e nesërme. “Për shkak të përkeqësimit të motit në të gjithë vendin, si dhe nga informacionet e marra nga Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore mbi situatën e reshjeve të dendura të shiut, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë njofton pezullimin e procesit mësimor, në datën 01 dhjetor 2017, në të gjitha institucionet arsimore të arsimit parauniveristar”,-thuhet në njoftimin e ministrisë. Dita e humbur e procesit mësimor do të zëvendësohet një ditë tjetër.

SHKARKO APP