Ja video e goditjes së gruas nga policia tek Liqeni. Gjykojeni vetë aktin!

[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=IzMdLnLf4R0″ width=”560″ height=”315″]

Aktivistë të shoqërisë civile, qytetarë, studentë, janë përplasur me policinë e Tiranës gjatë heqjes së rrethimit të projektit të këndit të lojërave në parkun e Liqenit Artificial.

Përplasja ka degjeneruar në dhunë ndaj efektivëve të policisë dhe protestuesve, mes tyre dhe gra.

Ky është momenti kur një efektiv i policisë ka ushtruar dhunë ndaj një protestuesje, e cila kërkonte të mos arrestonin të rinjtë në këtë protestë.

Polici: Mua nuk duhet të më prekë asnjeri sipas ligjit. Vjen dikush dhe më godet mua këtu ( bën me shenjë nga pjesa e këmbës), pse nuk filmohet kjo? Unë isha këtu. Njeriu është njeri dhe kur prek kordonin e policisë është ligji.

Protestuesja: Zotëri, me çfarë urdhri, me çfarë vendimi më ndalon që të hyj në një hapësirë publike?

Polici: Kjo është e rrethuar.

Protestuesja: Me çfarë vendimi?

Sjellja e efektivit të policisë është krejtësisht jo profesionale, pavarësisht nga përdorimi i forcës edhe nga ana e protestuesve.

Policia e Shtetit ka për detyrë të sillet në përputhje me ligjin e standartet si një vend i NATO-s e që aspiron integrimin europian.

Aktivistët u shpërndanë në disa pika të ndryshme të rrethimit, ndërsa ndërhyrjet u bën edhe nga reparti “Shqiponja”.

Me argumentin e dhunimit të pronës publike dhe kundërshtimit të efektivëve të policisë,  12 aktivistë u ndaluan dhe u shoqëruan drejt komisariatit numër 1 të Tiranës.

Përplasjet vijuan për gati një orë, më pas aktivistët e zhvendosën qëndrimin e tyre drejt Bashkisë së Tiranës nëpërmjet protestës për të kërkuar anullimin e këndit të lojërave.

Por qëllimi i aktivistëve ishte lirimi i të ndaluarve dhe për këtë arsye iu drejtuan ambjenteve të komisariatit numër 1 në kryeqytet.

Fillimisht avokatët u ndaluan nga autoritetet e komisariatit numër 1 dhe u lejuan pas një ore gjatë thirrjeve se ndaj të ndaluarve është ushtruar dhunë.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka vizituar protestuesit dhe pas daljes nga ambjentet e komisariatit u shpreh se janë evidentuar disa shenja dhune, por do të jetë vlerësimi mjeko-ligjor që do të saktësojë nëse është ushtruar dhunë.

Totozani: Një zonjë po dhe dy persona të tjerë që pretendojnë se janë tërhequr nga policia dhe që kanë shenja në duar. Por që natyrisht këto janë pjesë e një detyre tjetër që është ekspertiza mjeko-ligjore që do të na ndihmojë dhe ne për të qartësuar gjithçka që ka ndodhur.

Aktivistët paralajmëruan protesta kundër këndit të lojërave në parkun e Liqenit të Tiranës.

Zirkon Disha: Ne do të vazhdojmë reagimet tona, do të jemi sërish bashkë me gjithë qytetarët që ishin sot por edhe me ata që do të na bashkangjiten në ditët në vijim. Do ti themi jo ndërtimit te Parku i Liqenit.

Kjo është hera e dytë ku aktivistë të shoqërisë civile përplasen me policinë dhe shembin rrethimin që tregon nisjen e punimeve për ndërtimin e këndit të lojërave nga Bashkia e Tiranës.

 Pezullohet nga detyra polici

Për ngjarjen ka reaguar edhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i cili teksa ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj uniformave blu, ka deklaruar se punonjësi i policisë  Kristaq Papajorgji i cili goditi përfaqësuesen e shoqërise civile, është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij ka filluar hetimi.

Ndërkohë bëhet ditur se policia ka bërë dononcim për aktivisten për dhunën dhe pjesmarrje në një protestë të paligjshme .

Njoftimi i policisë:Nisur nga protesta e ores 11:00, tek Parku i Madh i Liqenit Artificial, ku ishin mbledhur rreth 100 persona, ku ne media online eshte publikuar nje video ku nje punonjes Policie godet ne fytyre nje protestuese Drejtori Vendor i Policise Tirane ka pezulluar nga detyra punonjesin e policise dhe ndaj tij ka nisur ecuri per shkelje te rende disiplinore si dhe ka filluar procedim penal ne gjendje te lire ndaj shtetases M.B per veprat penale” Kundershtim punonjesit policise “Pjesmarrje ne protesta e organizime te paligjshme”, “Goditje per shkak detyres”

Ora 16:07 Lirohen tre protestuesit e fundit që ishin në komisariatin numër 1

15:17 Totozani flet për dhunim të protestuesve

Avokati, Igli Totozani, deklaroi se në komisaritin numër 1 aktualisht kanë mbetur dhe tre protestues, pasi pjesa tjetër janë liruar. Ai thotë se ka konstatuar disa persona me shenja në radhët e protestuesve, por do të jetë vlerësimi mjeko-ligjor ai që do të japë vlerësimin e saktë mbi këto pretendime.

14:59 Disha: Do lirohen të gjithë protestuesit, protesta vijon

Zirkon Disha ka deklaruar se të gjithë protestuesit e shoqëruar në komisariatin numër 1 do të lirohen sapo të mbarojnë procedurat. Ndërkohë ai ka paralajmëruar se protesta për të mos lejuar ndërtimin e parkut të lojërave për fëmijë tek Liqeni Artificial do të vijojë. Mësohet se në komisariatin numër 1 është i pranishëm edhe Avokati i Popullit.

Ora 14:50 Lirohen disa nga të ndaluarit nga policia

Pas gati 3 orë në ambientet e komisariatit janë lënë të lirë disa prej aktivistëve të cilët u shoqëruan në policia gjatë porotestës që Shoqëria Civile zhvilloi kundër projektit të bashkisë për ndërtimin e një parku për fëmijë në ambientet e Liqenit.

Ora 14:00 Kristaq Papajorgji, polici që qëlloi qytetaren

Është zbardhur emri i policit, i cili ushtroi dhunë ndaj qytetares. Kristaq Papajorgji qëlloi me shpullë një qytetare e cila po protestonte kundër projektit të bashkisë për ndërtimin e një parku për fëmijë, pranë liqenit artificial.

13: 50 Totozani: Njerëz me prirje dhunë s’janë të denjë për të mbajtur uniformën e policisë

Dhunën e ushtruar nga uniformat e policisë e ka dënuar edhe Avokati i Popullit Igli Totozani. Nëpërmjet një njoftimi për mediat Totozani thotë se dhuna është e patolerueshme në çfarëdolloj rrethane, duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të policit që ushtroi dhunë ndaj qytetares. Po ashtu Totozani i bëri thirrje qytetarëve që të protestojnë qetësisht.

Ora 13:30 Procedohet në gjendje të lirë qytetarja M.P, që u konfliktua me policin

Policia ka filluar procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetases M.P e cila u qëllua nga një efektiv policie. Sipas policisë së Tiranës, M.P akuzohet për “kundërshtim ndaj punonjësit të policisë, për “Goditje për shkak të detyrës” dhe për “pjesëmarrje në protesta të paligjshme”

13:00 Pezullohet polici qe ushtroi dhunë

Ndërsa Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka pezulluar nga detyra policin i cili qëlloi me shuplakë qytetaren, ndërsa ka  dhënë edhe urdhër disiplinimi për të.

Ora 12:50 Tahiri liron nga detyra policin që ushtroi dhunë ndaj qytetares

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka kërkuar pezullimin dhe lirimin nga detyra të punonjësit të policisë, i cili ushtroi dhunë ndaj një qytetareje gjatë protestës kundër ndërtimit të parkut të fëmijëve tek Liqeni.

“Eshte e papranueshme te sulmohet uniforma e Policise se Shtetit, qofte edhe nga nje grua, por absolutisht edhe me e papranueshme dhe e patolerueshme te reagohet fizikisht, sidomos ndaj nje gruaje.
Kam kerkuar pezullimin e menjehershem te punonjesit e policise dhe lirimin e tij nga detyra.
Policia qe duam nuk mund te jete kjo qe na treguan pamjet e konfliktit mes punonjesit te policise dhe nje qytetareje.
Cdo punonjes policie duhet ta dije kete dhe kushdo e harron nuk do te tolerohet ne asnje rast e per asnje arsye.”(oranews)

SHKARKO APP