“Jelekët e verdhë” në shesh. Opozita organizohet: Tirana së shpejti si Parisi!

Në Francë, “Jelekët e verdhë” është termi që përdoret për protestuesit që në tre javë kanë zhvilluar protestat më të mëdha në historinë e këtij vendi, duke detyruar Presidentin Emanuel Macron të tërhiqet. Protestat nisën më 17 nëntor për shkak të një vendimi të qeverisë franceze që rriste çmimin e naftës, vetëm me disa qindarka. Të parët që dolën ne shesh ishin punëtorët e kompanive të transportit, të cilët mbanin dhe jelekët më të cilët po identifikohet protesta që ka tronditur Francën. Më pas, nga një protestë e izoluar u kthye në një lëvizje kombëtare. Në Paris janë zhvilluar tubimet më të mëdha ku ka pasur përplasje të ashpra mes protestuesve dhe policisë. Gjatë protestave raportohet për rreth 300 të plagosur nga radhët e protestuesve dhe policisë. Ajo që nisi si një protestë kundër rritjes me disa qindarka të karburantit, sot është kthyer në një lëvizje me motive politike, e cila e ka vënë në pozitë të vështirë presidentin Macron. Tashmë në gjithë Francën ajo nuk cilësohet me si një protestë kundër çmimeve, por një tubim kundër qeverisë që mund të sjellë dhe rrëzimin e presidentit.

Përshkrimi i shkurtër i asaj që po ndodh në Francë dhe që në gjithë botën po cilësohet si një leksion që qytetarët e pakënaqur u japin qeverive të tyre të cilat zhvatin popullin. Frymëzuar nga protestat franceze dhe nga halli se këtu në Tiranë, po iu merret gjithçka kanë si pronë, e jo si në Paris për disa qindarka me tepër çmim karburanti, banorët e Unazës së Re u veshën me “Jelekët Portokalli”. Dje banorët e Unazës së Re që prej 30 ditësh protestojnë kundër shembjes së shtëpive nga qeveria ishin kthyer në protesues “Jelekë portokalli”. Është një mënyrë për të identifikuar protestën e tyre me atë që po ndodh në Francë, por edhe sinjali se tubimi që nisi për shtëpitë po merr tjetër drejtim. Pas gati një muaji, protesta nuk është zbehur, por ka filluar të përhapet në disa zona të tjera. Po dje, njëlloj si banorët e Unazës së Re protesta nisi në zonën e Shkozës në Tiranë. Edhe atje, një pjesë e shtëpive rrezikohen nga projektet e qeverisë për ndërtimin e rrugës. Qeveria ka njoftuar se nuk do të ketë edhe në këtë rast dëmshpërblim të plotë. Veç Unazës dhe Shkozës, banorët e Bregut të Lumit në Tiranë dje nisën protestën e parë kundër qeverisë. Ndryshe nga dy rastet e tjera, banesat e këtyre qytetarëve janë prishur një vit më parë, por qeveria ende nuk ka dhënë as minimumin e dëmshpërblimit që iu premtoi. Tubimet pritet të shtohen edhe në zona ta tjera ku ende nuk ka njoftime për shembje banesash. Arsyet janë të thjeshta, me mënyrën sesi qeveria po vepron te Unaza e Re po tregon se nuk ka rëndësi nëse shtëpinë e ke me hipotekë dhe as nëse je në proces legalizimi.

Parimi që po ndjek qeveria tashmë është; nëse ke ndërtuar pas viteve ’90 dhe banesa jote preket nga një projekt, atëherë nuk mund të marrësh dëmshpërblim 100 %. Ky është rreziku që të gjithë banorët po ndjejnë tani jo vetëm te zona e “Astir”, por edhe në Kamëz, Bathore dhe gjithë periferitë e Tiranës ku janë ndërtuar lagje të tëra pas viteve ’90. Shembulli i Bregut të Lumit ku banesat u prishën dhe as dëmshpërblimi minimal nuk po jepet është prova se zonat e tjera në Tiranë nuk do të gënjehen kaq lehtë.

Sigurisht shqiptarët nuk janë si francezët që ngrihen se çmimi i naftës u rrit 50 qindarka. Nafta është dyfishuar në pak vite dhe ende askush nuk ka dalë në shesh. Por këtë herë qeveria po i prek banorët atje ku shqiptarët duket se nuk tolerojnë. Po u merr shtëpitë që i kanë ngritur me punën e 28 viteve dhe nuk po u jep asgjë si shpërblim. Kaq mjafton që edhe banorët e “Astirit” nga Skrapari dhe Kukësi, dje të ndjeheshin si “parizien” dhe të vishnin “jelekët portokalli”, si simbol reagimi.

Kryeministri Edi Rama e parandjeu mesazhin e protestës ende pa nisur tubimi dje, kur tha në Kuvend se kishte respekt për “jelekët e verdhë”, por projekti i Unazës së Re do të vazhdonte. Një qëndrim i tillë i kryeministrit është njëherazi dhe provokim. Presidenti Macron nga arroganca e fillimit dhe etiketimet e protestuesve si “barbarë”, tashmë është në kërkim të një zgjidhje politike për të qetësuar protestat masive dhe për të shpëtuar qeverinë e tij. “Jelekët e verdhë” në Francë në dy ditë dogjën Parisin dhe lanë pas më shumë se 300 të plagosur. Me deklaratën e djeshme, Rama e solli vet modelin e protestave të Parisit në Tiranë. Nëse ajo që pamë në kryeqytetin francez do të përsëritet edhe para Kryeministrisë, përgjegjësia do të jetë e qeverisë.

“Jelekët verdhë” në Paris dhe “Jelekët portokalli” në Tiranë simbioza të rrezikshme për qeveritë.

Në Francë e detyruan Presidentin Macron të tërhiqet, por në Tiranë akoma kryeministri nuk drithërohet nga “Unaza e Re”. Mëgjithatë edhe presidenti francez në fillim e mori me të qeshur dhe ironi, por nga dje po kërkon shtigje kompromisi që të mos rrëzohet qeveria e tij./Q.Xhani/

SHKARKO APP